Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, që është edhe kandidat për kryeministër, ka thënë se qytetarët mblidhen në tubimet e Nismës me dëshirë, e jo pse dikush i detyron. Ndërkohë sipas tij, në partitë e tjera njerëzit mblidhen edhe pa vullnetin e tyre.
Para qytetarëve të Shtimës, Limaj tha se derisa të tjerët flasin për përçarje, Nisma paraqet projektin “Bashkë për shtetin” i cili i afron dhe bashkon njerëzit. Ai tha se projekti “Bashkë për shtetin” nënkupton shtet më të fortë e më të sigurt, për policinë, ushtrinë e administratën.
Fatmir Limaj tha se janë të përqendruar në projektin e tyre, ndërkohë që të tjerët flasin për sharje e mashtrime.
“Projekti dhe vizioni ynë ‘Bashkë për shtetin’ nuk ka alternativë për të ndërtuar këtë vend. Djem dhe vajza nuk ka asgjë më mirë se me u ndje krenar kur rreshtimi yt është i drejtë në kohën e duhur”, tha Limaj.
Në shtime, Limaj ka përmendur tubimin në Prishtinë, për të cilën tha se po flasin të gjithë, meqë ka pasur numër të madh të qytetarëve dhe të gjithë janë parë që buzëqeshur.
“Ne nuk mbledhim njerëz me mashtrime e premtime të parealizueshme, dhe ne nuk e shfrytëzojmë kohën në takimet tona për të sharë të tjerët. Ne tentojmë të nxjerri më të mirën prej njerëzve tanë dhe ne tanimë jemi bërë armatë në cep më cep të Kosovës e cila është rreshtuar e bashkuar dhe më nuk pranon ndarje të Kosovës”, ka thënë Limaj, përcjell Kosovapress. “Edhe diçka, u kish bërë përshtypje atje në Prishtinë, hajde thoshin që kemi qenë shumë (në tubim) por edhe krejt duke qeshë, e këto tjerat i kishin pru nëpër salla sikur me pas shku me ndonjë të pame, krejt kryet teposhtë. Edhe këtu ka mesazh, edhe kjo ka mesazh, unë e di që këtu vinë edhe partitë e tjera mbushen sallat, por me ardh me i pa ata mësuesit që i binë me zor këtu përnjëmend rrinë kryet teposhtë”, tha Limaj.
E sekretari i përgjithshëm i Nismës, Bilall Sherifi tha se Fatmir Limaj meriton t’i dorëzohet qeverisja e ardhshme, meqë i njëjti është dëshmuar me vepra te tij në të kaluarën.
“Nuk ka të ardhme të sigurt me njerëz të cilët asnjëherë në historinë e tyre qoftë personale, qoftë familjare, qoftë të partisë së tyre nuk kanë dëshmuar se janë të gatshëm të sakrifikojnë për vendin. E ardhmja gjithmonë duhet t’u dorëzohet në dorë për të udhëhequr atyre që janë dëshmuar në të kaluarën. Mjafton t’i hidhet një sy të kaluarës së Fatmir Limajt që me sy mbyllë të ia dorëzosh besimin për të ardhmen”, tha ai.
Ai tha se kushdo që ka vepra të dëshmuara në të kaluarën ka arsye t’i besohet që e ardhmja të jetë e ndritur.
Fehmi Hysenaj, kryetar i Nismës në Shtime, dhe kandidat për deputet tha se kandidatët për deputet nga kjo komunë janë të dëshmuar dhe do të angazhohen pa ndalë në kryerjen e punëve që i pranojnë.