Zgjedhjet 2019

Haradinaj: Kundërshtarët nuk po më bindin se ia kanë dertin vendit

I pari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka takuar qytetarët e Junikut.

Ai ka thënë se konkurrentët e tij nuk po e bindin se ia kanë dertin mjaftueshëm vendit.

“Unë në Junik jam si në shtëpinë time, nuk është në rendin tonë me i sha të tjerët, por ju siguroj se nuk po më bindin, kur po i dëgjoj të tjerët, pra nuk po më bindin se ia kanë dertin mjaftueshëm vendit edhe nuk jam i sigurt që e ardhmja e vendit tim është mirë me atë që po dëgjoj prej kundërshtarëve apo partive tjera. Pra, nuk po më japin garancë që as dialogu, as kufiri, as territori, as temat tjera janë të sigurta”, ka thënë ai, thuhet në një komunikatë të AAK-së.

Në këtë takim, ai ka folur rreth situatës në të cilën gjendet Kosova, planet për Junikun e Kosovën dhe punët që janë kryer deri tash.

Harainaj ka folur edhe për rivalët e tij politikë në garën për kryeministër, para qytetarëve.

“Ju siguroj se edhe një herë, si dikur që na ka ra barra e madhe, krejt Kosovën e kemi pas në shpinë, me i strehu, me i çu, me i kthy e besa edhe me i kry punët që u dashtë me i kry. Pra, edhe njëherë do ta nxjerrim vendin prej një situate të çuditshme në të cilën ndodhet vendi 20 vjet mas lufte, e kaq vjet pas shpalljes së pavarësisë. Pra, do i largojmë disa pikëpyetje”, ka thënë ai.