Zgjedhjet 2019

Haradinaj: Deklaratat e Veselit për luftim të korrupsionit janë sikur të flasësh për 1 prill

I pari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se deklaratat e PDK-së se do ta luftojnë korrupsionit janë gënjeshtra.

Ai duke folur për hapjen e një konkursi në KEK, ka thënë se PDK-ja po flet sikur të ishte 1 prilli.

“Në KEK dihet kush menaxhon. Në kohë të zgjedhjeve, e pashë një konkurs për 130 vende pune. Imagjinojeni pra, fjala që do ta luftojmë korrupsionin, besoni se është sikur me fol për 1 Prill. Pra, kur po flet Kadri Veseli dhe PDK-ja që kemi me e luftu korrupsionin e kemi me ndërru praktika është si me fol për 1 prill”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se Veseli po i ndërron fjalët, duke shtuar se ai po dëshiron t’i ndihmojë Thaçit në ndarjen e Kosovës.

“Për Kadrinë unë po e shoh qysh po i ndërron ai fjalët. Për shembull, unë jam anku që më kanë lënë në lloç, kur duhej të pengohej ndarja dhe duhej të mbrohet taksën e mos me u dorëzu Kosova para Serbisë. E tash ai po thotë se e kam lënë në lloç. Me i thënë, ku me e marr me të lënë në lloç kur të shkosh në rrugë të gabueshme, po do me i ndihmu Hashimit me e nda Kosovën, a ka logjikë mos me e lënë në lloç”, tha Haradinaj.

Ai tutje ka thënë se Prishtina ka arsye madhore që ta mbështesë konceptin 100% shtet.

“Me politika të qëndrueshme e konsistente, e bëmë kryeqytet me ligj, pas dy dekadash lirie. Qeverisjet tjera e shfrytëzonin Prishtinën në luftën për pushtet, ne e kemi bërë krye-adresë të shtetit tonë. Nuk lejuam të futen gërshërët në territorin tonë, por krijuam ushtrinë dhe mbrojtëm asetet kombëtare dhe tregun. Me aftësi vepruese të dëshmuara, koalicioni AAK-PSD, do të guxojë të vendosë për shtesat për fëmijët, për rritje pagash për 10% për çdo vit, rritjen ekonomike mbi 6%, uljen e informalitetit rreth 4% dhe zgjerimin e listës së produkteve me zero taksë”, ka thënë ai.