AKR-ja thotë se mori përkrahje të fuqishme në Hajvali

AKR-ja thotë se mori përkrahje të fuqishme në Hajvali

21 September 2019 21:43

Aleanca Kosova e Re ka mbajtur takim me anëtarë dhe simpatizantë, siç thotë - në bastionin e saj në Hajvali, ku para të pranishmëve foli kryetari i degës së pestë të AKR-së në Prishtinë, kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës, Islam Pacolli.

Para përkrahësve të AKR-së, Pacolli tha se Hajvalia çdo herë e ka përkrahur AKR-në dhe vizionin e presidentit, Behgjet Pacolli.

Tutje ai shtoi se AKR-ja është e fuqishme dhe e vetmja që ka punuar për të mirën e qytetareve të kësaj ane.

“Këtu është zemra e AKR-së, nga këtu ka filluar rrugëtimi jonë dhe për këtë ne do të jemi përherë mirënjohës ndaj jush, asnjëherë nuk do të harrojmë përkrahjen tuaj të fuqishme për ne. Këtu investon vetëm AKR-ja, në krye me Behgjet Pacollin, vetëm Ministritë që janë udhëhequr nga ne, asnjë parti tjetër”, deklaroi Pacolli. “Ne kemi ngritur zërin për Gollakun, të tjerët e harruan, ne kërkuam investime dhe buxhet më të madh për këtë zonë”.

Sekretari i AKR-së, kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës, Vesel Makolli ka folur për programin që ofron partia e tij.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ka thënë se AKR-ja gjenezën e ka në Gollak. Ai ka kritikuar partitë tjera për qeverisje të dobët, pa rezultate konkrete për zhvillimin e vendit.

Rreth projekteve që janë realizuar gjatë këtij mandati, nga ministritë që janë drejtuar nga AKR-ja, foli edhe ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi.

“Vota juaj për ne, është vota për Hajvalinë, për një jetë më të mirë, për projekte të ndryshme si trotuare, ndriçim, të cilat ende mungojnë padrejtësisht në këtë pjesë të Prishtinës”, tha Matoshi.

Në fund të këtij takimi u bë edhe prezantimi i kandidatëve për deputetë nga radhët e AKR-së, të pranishëm në këtë takim, Islam Pacolli, Skender Avdyli, Mirlinda Sopi, Vesel Makolli, Fatmir Matoshi, Myzejene Selmani, Ekrem Mustafa, Alma Lamçja, Arianit Ibrahimi, Avdullah Mehmeti, Ymer Rogova dhe Nusret Qubreli.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme