Zgjedhjet 2019

Opozita në Ferizaj akuzon Aliun se po shfrytëzon punëtorët për fushatë zgjedhore

Pak kohë para zgjedhjeve të 6 tetorit, kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka shpeshtuar vizitat nëpër institucionet shëndetësore dhe ato arsimore .

Sipas opozitës në këtë komunë, Aliu po keqpërdor pozitën zyrtare, duke i vënë të gjithë në dispozicion të fushatës zgjedhore, raporton KTV.

Nga LDK-ja kanë thënë se komuna ka punësuar shumë punëtorë me kontratë mbi vepër, të cilët për vazhdim të saj, po kushtëzohen me votë.

Përderisa nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se Aliu kështu po ushtron presion ndaj këtyre punëtorëve.

E këto deklarata, shefi i kabinetit të kryetarit, Agim Aliu i ka quajtur të pavërteta. Sipas tij, akuzat që po bëhen nga kandidatë për deputetë, janë vetëm për përfitime politike.

“Ferizajasit tash e sa kohë, i kanë refuzuar e nuk i ndjekin zërat e tillë dezinformues e tejet tendencioz. Tjetra: është një fakt i pakontestueshëm që Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu vazhdueshëm ka implementuar agjendë dinamike institucionale, çka lehtë vërtetohet, pra nuk ka të bëjë asgjë me fazën zgjedhore në të cilën gjendet vendi ynë. Përfundimisht, puna dhe agjenda e qeverisjes lokale, dikujt po i pengon, jo me fajin tonë, porse për shkak të mosmbështetjes qytetare për zërat akuzues dhe si e tillë, kjo nuk përbën një kritikë pikë së pari, të ndershme, e pastaj edhe të besueshme politike”, ka thënë Albion Sherifi, shef i kabinetit të Aliut.

Sherifi ka shtuar se Aliu po vazhdon programin e tij në përmirësim të jetës së qytetarëve.

Përkundër kësaj, Aliu është parë duke bërë fushatë bashkë me kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli.