Kandidati i PEK-ut i bindur se kjo parti e kalon pragun

Kandidati i PEK-ut i bindur se kjo parti e kalon pragun

17 September 2019 00:08

Sipas Yll Isufit, kandidat për deputet nga Partia Euroatlantike të Kosovës, kjo parti do të kalojë pragun prej 5 për qind në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.

Në Interaktiv të KTV-së ai ka thënë se kjo parti do të fitojë gjashtë deri tetë ulëse në legjislaturën e ardhshme.

“Jo që do të kalojmë veç pragun, por kemi me qenë mëlmesa kryesore e shijes politike. E kemi muhabetin pa dallavere. Kush e ka me dallavere do të fundoset”, ka thënë ai, duke shtuar ata që garantojnë që PEK-u s’e kalon pragun “le të më tregojnë ta mbush një bastore e të fitoj”.

Edhe pse në zgjedhjet e 2013 ai kishte kandiduar si i pavarur në Gjilan dhe kishte marrë rreth 150 vota, Isufi ka thënë se i ishin vjedhur votat dhe se tash do të arrijë në 7 mijë.

Isufi, që ka thënë se si i ri kishte kapur pushkën për të mbrojtur vendin dhe se vjen nga një familje me bagazh kombëtar, ka deklaruar se siguria është pika kryesore e një shteti.

Deri vonë ka treguar se ishte anëtar i AAK-së, por ka shtuar se janë “krisur rrugët” sepse mendonte ndryshe nga partia.

“Prej 2004 kam qenë anëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. E kam mbështet deri më 2013, por atë vit isha si kandidat i pavarur për kryetar të Gjilanit. Aty u krisën rrugët tona sepse mentaliteti jonë është ashtu që nëse ti mendon më ndryshe, je kundër meje”, ka thënë ai.

Ai është shprehur i revoltuar me mungesën e investimeve në komunën e tij duke thënë se është mërgata e këtij qyteti që ka financuar luftën në Kosovë. Isufi ka thënë se më asnjëra parti s’duhet të kërkojë vota në Gjilan.

Për luftën ndaj korrupsionit, Isufi ka thënë se “ne korrupsionin e kemi në gjak”.

“Hajnia është ajo e keqja. Çarçafi është korrupsioni”, ka thënë ai.

Sipas Isufit, kompetencat e politikanëve të Kosovës shtrihen deri në një kilometër afër kufirit.

“Një kilometër afër e kemi nënën Amerikë. Ajo e merr çantën. Ajo i kryen punët”, ka thënë Isufi duke shtuar se Amerika më s’lejon që një parti të marrë vetë 50 për qind të votave.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme