21:21

Limaj thotë se është më kompetenti ndër kandidatët për kryeministër

Fatmir Limaj e sheh veten si kandidati më kompetent për kryeministër të Kosovës.

Në Rubikon të KTV-së, kandidati nga koalicioni Nisma-AKR-PD ka thënë se ky koalicion garon për fitore dhe “jemi në garë me koalicionin AAK-PSD, jemi afër me njëri-tjetrin”.

Teksa ka thënë se Nisma mund të jetë befasi e zgjedhjeve, Limaj ka shtuar se asnjë nga kandidatët tjerë s’ka asgjë më shumë se ai për postin e kryeministrit.

“Nuk ka kandidat që s’futet në garë për të fituar. Nuk ka më kompetent se unë nga kandidatët tjerë. E kam marrë seriozisht këtë kandidim dhe do të punoj për fitore. Pastaj vendosin qytetarët. Por çfarë kanë më shumë ata se unë? Çka kanë bërë më shumë se unë për këtë vend? Cila është përvoja e tyre përveç dëshirës për të drejtuar vendin? Çka përveç që kanë partitë e tyre? S’e shoh veten superior, por më kompetent. Jam pjesë e vendimeve të mëdha. Isha në procese dhe vendime të mëdha për vendin. Kam marrë pjesë në shumë vendime që kanë përcaktuar fatin e Kosovës”, ka thënë ai.

Të hershme e ka cilësuar kandidaturën e Albin Kurtit të VV-së dhe të Vjosa Osmanit të LDK-së. “Është herët që Kurti të marrë postin e parë publik, kryeministër. Herët është edhe për Osmanin”, ka thënë ai.

Sipas tij, për Ramush Haradinajn e koalicionit AAK-PSD nuk ka nevojë të flitet sepse ai është larguar vetë dhe qytetarët do të vendosin a duan ta mbajnë në pushtet.

Për Kadri Veselin e PDK-së, Limaj ka thënë se kjo parti është konsumuar dhe se i duhet të shkojë në opozitë, “për të mirë të vendit dhe të vetes”.

20:58

Limaj thotë se Bytyqi s’përfaqëson Nismën, e quan të pamoralshëm

Kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj, e ka cilësuar si të pamoralshëm ish-anëtarin e kësaj partie, Shyqiri Bytyqi, që në qeverinë e fundit, tash në largim, mban postin e ministrit të Arsimit.

Ai ka thënë se dorëheqja e Bytyqit nga Nisma, pas dorëheqjes së Qeverisë, tregon shumë për Bytyqin.

“Secili duhet të flasë me ndërgjegjen e vet. S’e di a do të jepte dorëheqje sikur të ishte qeveria edhe dy vjet tjera. Kjo pyetje do të thotë shumë. Pse ndodhi kjo pasi që dha dorëheqje qeveria. Çka nëse do të vazhdonte edhe dy vjet? Koha e dorëheqjes jep përgjigjen më të mirë. Akti i veprimit tregon më së miri. Po merren vendime tani, shkarkime bordesh”, ka thënë Limaj.

Limaj ka shtuar se në periudhën aktuale, Bytyqi nuk e përfaqëson këtë parti në qeveri.

“Ai nuk e përfaqëson Nismën në Qeveri. Është pa mbështetje. S’përfaqëson askënd aty. Ai sikur të kishte pak moral do të ofronte dorëheqjen nga posti i ministrit, pas largimit nga Nisma sepse atë post e ka marrë nga 45 mijë votues të Nismës. Po të largohet nga subjekti dhe është ministri që drejtohet nga ai subjekt, është dashur të mos shkojë më në zyre. Por ai përkundrazi po vazhdon të shkarkojë njerëz sipas qejfeve”, ka deklaruar më tej Limaj.

20:47

Limaj: Koalicioni shkoi ashtu siç u krijua – dorëheqja e Haradinajt, jo-korrekte ndaj partnerëve

Fatmir Limaj nga Nisma Socialdemokrate, duke folur për vendimin e Hradinajt për dorëheqje nga posti i kryeministrit, tha se ishte veprim jo-korrekt ndaj partnerëve të koalicionit.

Por, ish-zëvendëskryeministri tha se koalicioni përfundoi ashtu siç edhe nisi.

“Kosova s’ka mundur të shkojë tutje kështu. Vendimi i Haradinajt ishte i tij. Por, është elementare të bashkëbisedosh me partnerët për vendimin, pasi partnerët të kanë zgjedhur. Për këtë arsye partnerët kanë mosbesime rrugës. Veprimi i Haradinajt ishte jo i duhur dhe jokorrekt ndaj partnerëve, të cilët ta kanë besuar postin më të rëndësishëm të vendit. Është dashur së paku të na falënderohet, e pastaj të marrë vendimin. Siç u krijua ky koalicion, ashtu edhe shkoi. Koalicioni u bë për shkak të posteve, jo për program. Përfundoi sikurse edhe nisi, shpejt. Të japësh dorëheqje pa i njoftuar partnerët, nuk është partneritet”, tha Limaj në Rubikon të KTV-së.

Ai tha se motivi i dorëheqjes është individual dhe s’mund të detyrohet askush që të qëndrojë apo shkojë.

Limaj tha se “pothuajse të gjithë ishim lodhur në këtë qeverisjen e fundit, jo vetëm Haradinaj”.

20:40

Sipas Limajt, Kosovën e pret dialog i vështirë me Serbinë

Secili kandidat për kryeministër duhet të dijë se e pret një dialog shumë i vështirë me Serbinë.

Kështu ka thënë Fatmir Limaj, kandidat për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD në Rubikon të KTV-së duke shtuar se asnjëri kandidat s’mund të kryejë punë pa ndihmën e forcave tjera politike.

“Kandidatët duhet të kenë të qartë që t’u thonë njerëzve që na pret dialog shumë i vështirë. Atë dialog s’mundet asnjëri kandidat ta kryejë pa ndihmën e tjetrit dhe asnjë forcë politike s’mund ta kryejë punën pa ndihmën e të tjerëve, madje edhe opozitës. S’po flasim për afate. Kosova shpejt duhet t’i kthehet tavolinës”, ka thënë ai.

Limaj ka shtuar se Kosova në shumë raste ishte kthyer në defensivë duke gabuar gjatë procesit të dialogut. Tema e ndarjes, sipas tij, e ka dëmtuar shumë Kosovën.

“Në situata të tilla, u kthye tema për protagonizëm kush është pro e kush për mbrojtjen e kufirit, që e ka dëmtuar shumë Kosovën. Ngritja në agjendë e asaj se kush është pro e kundër nga drejtuesit e shtetit, njëri pro e tjetri kundër ka dëmtuar vendin tonë. Destabilizoi mënyrën e funksionimit”, ka thënë ai.

20:29

Limaj: Kam qenë nga fillimi për reciprocitet me Serbinë, taksa hiqet kur pushojnë arsyet

Kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj, ka thënë se që nga fillimi ka qenë për reciprocitet me Serbinë.

Duke folur në Rubikon të KTV-së, Limaj ka thënë se s’ka qenë pro mënyrës së vendosjes së masave si taksa, por është shprehur se e ka përkrahur dhe ka theksuar se nëse ai merr pushtetin, taksa do të mbetet deri kur të pushojnë arsyet.

“Kam qenë nga dita e para për reciprocitet dhe jo për masa të tilla, sepse do të dukeshim më keq. Ta përdorim reciprocitetin si instrument legal”, ka thënë ai.

“Kur është futur taksa, pas zhvillimeve që ndodhën me Interpolin, Qeveria e Kosovës ka ndërtuar qëndrim politik me taksën. Ne i kemi qëndruar besnik vendimit, taksa hiqet kur pushojnë arsyet, rrugës të tjerët kanë devijuar nga qëndrimi fillestar. Ramushi ka thënë me njohje, e ka avancuar dhe ne si parti vazhdojmë të qëndrojmë pas asaj që e kemi vendosur në fillim, taksa hiqet kur pushojnë arsyet”, ka thënë Limaj.

20:25

Limaj: Haradinaj s’mund t’i marrë meritat për Ushtrinë

Kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj, ka thënë se për transformimin e FSK-së në Ushtri, nuk mund t’i marrë meritat askush.

Ai ka thënë se, për të, proceset për formimin e Ushtrisë kanë përfunduar shumë më herët dhe se aty kanë qenë të përfshirë të gjitha partitë.

“Për mua ushtria e Kosovës është bërë në ’99-n, transformimi i UÇK-së në TMK është zemra, baza e ushtrisë së Kosovës dhe pastaj avancimi i saj është bërë në procesin e Vjenës”, ka thënë Limaj. “Krejt këto procese janë kryer në 2007. Ka qenë e gjithë Kosova, Lidhja Demokratike, Aleanca, shoqëria civile, kemi qenë të gjithë. Nuk ka proces në këtë vend që dikush e ka kryer vetë. Nuk mund t’i marrë meritat as Hashimi, as Ramushi. Kjo është humbje kohe”.

20:22

Limaj: Kosova ende s’ka burrështetas

Sipas zëvendëskryeministrit në largim Fatmir Limaj, në Kosovë nuk ka burrështetas.

Në Rubikon të KTV-së, Limaj ka thënë se burrështetasi mund të shkojë deri në atë moment që nuk guxon të rrezikojë marrëdhëniet e komunikimit shtetëror, qoftë edhe për një votë. E këtu ka thënë se nuk ka parë ende burrështetas.

“Burrështetasi duhet të shkojë deri në atë moment ku nuk guxon të rrezikohet marrëdhënia e komunikimit shtetëror qoftë edhe për një votë më tepër. Duhet me pas kujdes deri ku duhet të preken marrëdhëniet mes nesh. Nuk ka ndodh fatkeqësisht kështu sepse Kosova ende nuk ka burrështetas. Virtytet e drejtuesve të Kosovës janë drejtues politikë, ditorë dhe afatshkurtër”, ka thënë ai.

Për veten e tij, Limaj ka thënë se ka punuar që të ketë elemente të tilla.

20:15

Limaj kërkon debat publik të kandidatëve për kryeministër

Fatmir Limaj, kryetar i Nismës, dhe kandidat për kryeministër nga koalicioni me AKR-në e PD-në, ka kërkuar që të ketë debat publik të kandidatëve për kryeministër në zgjedhjet e 6 tetorit.

Ai ka thënë se deri tash ka munguar një debat i tillë, teksa ka shtuar se ky është momenti i duhur që qytetarët të shohin ofertat e secilit kandidat.

“Ne nuk kemi pse të fshihemi që ta paraqesim ofertën tonë. Përkundrazi, ne duhet t’ju falënderojmë juve për mundësinë që na jepni për të shpalosur ofertat tona. Pse mos me dalë? Pse me dalë dikush tjetër me fol për kandidatin? Sot krejt Kosova pret prej këtyre kandidatëve që të dalin e të flasin për ofertat e tyre. Është obligim dhe detyrë e jona. Një debat i tillë, me një kod etik dhe respekt të ndërsjellë, me një mundësi të komunikimit dhe bashkëpunimit, mjaftueshëm do t’i japim hapësirë qytetarit të vendit për të parë se cili është më kompetent ta qeverisë vendin, pavarësisht prej cilit subjekt vijnë”, ka thënë Limaj në Rubikon të KTV-së. “Në Kosovë asnjëherë partitë që kanë qenë pretendente për t’i fituar zgjedhjet prej lirisë e deri më sot nuk janë ballafaquar . Ky është momenti që duhet të bëhet, ka qenë mangësi deri tani”.

20:05

Limaj: Qytetarët për herë të parë kanë mundësi të mos shohin partitë, por kandidatët

Fatmir Limaj, kandidat për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, ka thënë se shpallja e pesë kandidatëve për kryeministër, e ka çuar në nivel tjetër garën për zgjedhjet e 6 tetorit.

Në Rubikon të KTV-së ai ka thënë se më në fund qytetarët kanë mundësinë të shohin qartë kandidatët dhe të zgjedhin më të preferuarin që ai të jetë kryeministër.

“I gjithë ky mandat i Parlamentit ka shkuar me garën cila parti është e para. Tani është rasti edhe të shihet se cili subjekt është më i fuqishmi. Por, mbi të gjitha, ka shkuar një hap tutje kjo çështja e kandidimit dhe besoj që këtu ka dhënë kontribut edhe Lidhja Demokratike e Kosovës në momentin kur ka nxjerrë kandidatin dhe kryetari i partisë ka ofruar zgjidhje duke larguar veten. Me këtë e ka krijuar një moment të ri ku njerëzit e Kosovës për herë të parë kanë mundësinë, mos të shohin partitë, por të shohin kandidatët”, ka thënë Limaj.

“Shpeshherë ka ndodhur që partia i ka fituar zgjedhjet por nuk ka qenë drejtuesi kryeministri i vendit pavarësisht votës që e ka fituar. Tash janë pesë oferta, le ta zgjedhin atë që i besojnë”, ka shtuar ai.