S’ka më deputetë me fat, 40 mijë aplikacione nga diaspora për zgjedhjet e 6 tetorit

Shahadije Bikliqi – Dragaçina 16 September 2019 19:25

Në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit nuk do të ketë më deputetë me fat, të cilët do të fitojnë vota falë përputhjes së numrit të tyre me atë të partisë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që numrat e partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje, të jenë nga 111 e lart.

Kjo, në mënyrë, që numri i subjektit politik të mos korrespondojë me numrin e kandidatëve për deputetë, raporton KTV.

Ky propozim mori përkrahjen e të gjithë anëtarëve të KQZ-së, të cilët thanë se në zgjedhjet e kaluara disa deputetë kanë fituar shumë vota, pasi kishin numrin e njëjtë në listë me atë të partisë.

Aty u bë e ditur, gjithashtu, se KQZ-ja ka pranuar 42 mijë aplikacione të qytetarëve nga diaspora, për të votuar në zgjedhjet e 6 tetorit.

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi, ka thënë se numri i saktë i këtyre personave të regjistruar, që do të kenë të drejtë vote, do të dihet pas shqyrtimit të aplikacioneve.

Halimit iu kërkua që deri të martën, Zyra e tij të bëjë gati raportin me shifra të sakta të aplikacioneve që janë pranuar dhe refuzuar.

KQZ-ja ka de-certifikuar edhe 4 kandidatë për deputetë, 3 të Partisë “Euroatlantike” dhe një të Partisë “Fjala”, të cilët vendimin për tërheqje nga lista e kanë arsyetuar se nuk janë menduar mirë kur janë futur në listë.

Ndërsa, në adresë të Zyrës për regjistrim të partive, u bë e ditur se për akreditim kanë aplikuar rreth 900 vëzhgues.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme