Zgjedhjet 2019

Garës për deputetë nga PDK-ja, do t’i hyjnë kandidatë të dënuar e të akuzuar

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, nuk ka përfillur zotimin që ai e ka bërë për listë të pastër të kandidatëve për deputetë të Kosovës.

Të martën, Veseli propozoi nënshkrimin e Paktit Kundër Korrupsioni, e i cili përkundër ftesës, përveç kryetari të Aleancës për Kosovën e Re, Behgjet Pacolli, nuk është mirëpritur nga liderët e tjerë të partive politike.

Gjatë prezantimit të kësaj marrëveshjeje, kryetari i PDK-së, deklaroi se në zgjedhjet e 6 tetorit do të përfaqësohet me kandidatë pa aktakuza, raporton KTV.

Megjithëkëtë, së paku dy nga kandidatët e PDK-së për deputetë janë të akuzuar, ndonëse jo për korrupsion.

Bëhet fjalë për ish-nënkryetarin e Kuvendit Xhavit Haliti, dhe ish-deputetin Mërgim Lushtaku.

Haliti, i cili është i njëmbëdhjeti me radhë në listën e PDK-së, është ngritur aktakuzë para afro dy muajsh për një kontakt fizik që kishte ndodhur më 18 maj 2018 në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ndaj deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi.

Kurse, Lushtaku, i cili është i renditur vetëm pesë vende më poshtë se Haliti, vazhdon të përballet me drejtësinë në rastin e njohur si “QKUK”, në të cilin është i akuzuar edhe babai i tij, ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, pas arratisjes nga QKUK-ja.

Betim Musliu, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, beson se ndikimi i personave brenda PDK-së, ka bërë që kreu i saj, të tërhiqet prapa nga premtimi për persona me aktakuza, e të fokusohet vetëm në ato për korrupsion.

Në anën tjetër, nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, thonë se nuk mund të krahasohen personat të akuzuar për korrupsion dhe ata për vepra të natyrës jo të rëndë penale.

Garës për deputetë nga PDK-ja i kanë hyrë edhe Rrustem Mustafa, i dënuar për krime lufte më 2013, si dhe ish-kryetari i Ferizajt, Bajrush Xhemajli, i dënuar me dy vjet burgim për veprën penale “rrezikim i trafikut publik”.