Zgjedhjet 2019

20 parti, 4 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur ia mësyjnë Kuvendit

Të gjitha partitë politike, kanë bërë publike listën e kandidatëve, me të cilët do t’i hyjnë garës për të siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Në këto lista prijnë kandidatë të cilët për herë të parë synojnë të bëhen deputetë.

Nga 110 kandidatë, më shumë se 30 prej tyre, në secilën listë, janë gra.

Ndër të parët që bënë të ditur listën e kandidatëve për deputet, ishte Lidhja Demokratike e Kosovës.

Listës së kësaj partie i mungojnë Kryetari i saj, Isa Mustafa, ish-Presidenti, Fatmir Sejdiu, dhe deputetët e legjislaturës që lëmë pas, Teuta Rugova dhe Naser Osmani.

Përveç grave dhe burrave të shumtë, të cilët garojnë për herë të parë për deputetë të Kosovës, garës për deputetë i ka hyrë edhe Valon Murtezaj, Zëvendësministër i Punëve të Jashtme gjatë qeverisjes së Isa Mustafës si dhe Vlora Dumoshi, drejtoreshë e Kulturës në kryeqytet, gjatë kohës sa ajo udhëhiqej nga kryetari i LDK-së.

Në anën tjetër, listës së Lëvizjes Vetëvendosje kësaj radhe i mungon deputeti më i vjetër i legjislaturës së kaluar, Adem Mikullovci. Derisa, garës si kandidatë nga LVV-ja, i kanë hyrë dhjetëra të rinj, të anëtarësuar kohëve të fundit në këtë parti, sikurse Dimal Basha, Hajrullah Çeku, Albin Gashi e Tinka Kurti.

Besimin e qytetarëve edhe për një mandat, nga kjo parti, do ta kërkojnë edhe 17 deputetët e legjislaturës së gjashtë, në krye me Albin Kurtin.

Ulëse në Kuvendin e Kosovës synojnë të sigurojnë edhe ish-deputetë të Vetëvendosjes, të cilët kanë krijuar parti të re, e cila për në zgjedhjet e tetorit ka bashkuar forcat me partinë e ish-Kryeministrit, Ramush Haradinaj. Lista e koalicionit AAK-PSD udhëhiqet nga Haradinaj, derisa përfundon me Shpend Ahmeti, përkundër se i njëjti, ditën e zyrtarizimit të koalicionit, tha se nuk do të kandidojë për deputet.

Më një listë të përbashkët në zgjedhjet e parakohshme do të hyjë edhe Nisma Socialdemokrate, e cila ka bashkuar forcat me AKR-në dhe Partinë e Drejtësisë.

Pjesë e saj nuk do të jetë ish-deputeti, Milaim Zeka, pasi i njëjti do të garojë me partinë e tij Euroatlantike, të formuar rishtazi.

Të gjitha partitë politike, edhe në këto zgjedhje të parakohshme, kanë respektuar kuotën gjinore.

Partitë politike kanë pasur kohë deri në mesnatën e së premtes që të dorëzojnë listat me kandidatë për deputetë në Komisionin Qendror Zgjedhor. Ato kanë kohë dy ditë pas dorëzimit që të bëjnë ndryshimet eventuale.