Botë

Një vit nga kryengritja e “Wagnerit”, Kremlini kontrollon mercenarët e mbetur

Ish-lideri i mercenarëve të "Wagnerit", Yevgeny Prigozhin

Ish-lideri i mercenarëve të "Wagnerit", Yevgeny Prigozhin

Rusia i ka shpërbërë grupet e formacionit të mercenarëve rusë, “Wagner”, në vitin kur mercenarët tronditën botën duke nisur një kryengritje ndaj qeverisë së presidentit Vladimir Putin.

BBC-ja ka shkruar se kur lideri i grupit paraushtarak, Yevgeny Prigozhin, vdiq më 23 gusht të 2023-s në një aksident ajror, ky grup mercenarësh nisi të shpërbëhej, e mbetjet të kontrolloheshin nga autoritet ruse. Sorcha MacLeod, anëtare e grupit punues të OKB-së për mercenarë, ka thënë ish-trupat e “Wagnerit” janë fragmentuar.

“Wagneri” mund të mos ekzistojë saktësisht në formën që ekzistonte më parë, por një version apo edhe versione të tij ekzistojnë. Ka pasur shpërndarje të tillë mes shtetit rus, kështu që s’ka asnjë kontrollues të përgjithshëm mbi të. Grupi “Wagner” ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm gjeopolitikisht dhe ekonomikisht për Rusinë, kështu që nuk do të zhdukej kurrë siç pretenduan disa njerëz”, ka thënë ajo.

Për vite me radhë, forcat e Prigozhinit kishin qenë mjet i vlefshëm për operacionet ruse në Afrikë dhe Siri.

Në një analizë të botuar të dielën, BBC-ja thotë se përgjatë fundit të 2022-s dhe fillimit të 2023-s, “Wagneri” ishte çelësi i fitoreve ruse në fushën e betejës. Forcat e saj, kryesisht të përbëra nga ish-të burgosur, arritën të merrnin qytetin lindor të Soledarit, përpara se ai të përballej me luftime të ashpra e intensive në Bakhmut.

Tash, ekspertët thonë se operacionet e “Wagnerit” në Ukrainë janë përfshirë nga njësi të tjera shtetërore dhe paraushtarake ruse. Një ish-komandant i “Wagnerit” ka thënë se mercenarët ishin urdhëruar “të bashkohen me Ministrinë e Mbrojtjes ruse” ose të largoheshin.

Zyrtarë të inteligjencës në Mbretërinë e Bashkuar kanë sugjeruar se disa nga njësitë e këmbësorisë së grupit janë nënshkruar nga Rosgvardia ose Garda Kombëtare. Njësia, e krijuar në 2016-n, është përshkruar si “ushtri private” e Putinit dhe kontrollohet nga ish-truproja e tij, Viktor Zolotov.

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe ka thënë se elementë të “Wagnerit” filluan të hynin nën kontrollin e Gardës Kombëtare në tetor të 2023-s. Duke iu referuar si “formacione vullnetare” ish-trupat e “Wagnerit” do të dislokoheshin në Ukrainë me kontrata gjashtëmujore dhe në Afrikë me kontrata nëntë mujore, ka thënë një zyrtar britanik.

Anton Yelizarov, operator afatgjatë i “Wagnerit”, që thuhet se ka komanduar operacione të përgjakshme ruse në Bakhmut, e konfirmoi integrimin ditë më vonë. Në një video të postuar në kanalin rus, Telegram, ai kishte thënë se ishte i pranishëm në ndërtimin e një kampi ku trupat e “Wagnerit” “do të punonin për të mirën e Rusisë” dhe do të bashkoheshin me njësitë e Gardës Kombëtare në një formacion të ri.

Zyrtarët e Britanisë së Madhe kanë thënë për BBC-në se trupat e “Wagnerit” ishin anëtarësuar për të luftuar krah Putinit në Çeçeni.

Megjithatë, ndikimi i mbetjeve të “Wagnerit” thuhet se është aktiv në Afrikë. Atje grupi rus thuhet se operon nën drejtimin e djalit të Prigozhinit, Pavelit.

Moska i ka dhënë leje trashëgimtarit që të vazhdojë të bëjë atë që bëri babai i tij në Afrikë, me kusht që kjo të mos bie në kundërshtim me interesat e Rusisë, ka një burim që ka punuar me Prigozhinin.