Përmendorja e “Vëllazërim-Bashkimit”, emri me të cilin njihet memoriali që edhe sot qëndron në Sheshin mes ndërtesës së vjetër të Komunës së Prishtinës dhe ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Është ndërtuar në kohën e Jugosllavisë socialiste, në vitet 1959-1961.
Sipas kronikave të kohës kur është ndërtuar, përmendorja ishte memorial kushtuar luftëtarëve partizanë të rënë në Luftën e Dytë Botërore. Struktura, që është punuar sipas zgjedhjes ideore të skulptorit serb Miodrag Zhivkoviq, përveç obeliskut trerrembësh të gjatë 22 metra, ka në bazë edhe skulptura që simbolizojnë luftëtarët partizanë, ndërsa në vitet ’60 dhe ‘70 pjesë e memorialit ishte edhe një fontanë, e cila u hoq në vitet ‘80.
Ishte ndërtuar me një synim: të simbolizonte vëllazërimin dhe bashkimin midis shqiptarëve, serbëve dhe kombësive të tjera (malazezve), një parullë kjo dominuese në kohën e socializmit jugosllav.
Edhe Sheshi ku ajo qëndron, në kohën e Jugosllavisë socialiste është quajtur sheshi i “Vëllazërim-Bashkimit”.
Pas luftës së vitit 1999, sheshi është emërtuar me emrin e heroit të UÇK-së, Adem Jashari.
Por, më shumë sesa përmendore e “Vëllazërim-Bashkimit”, kjo strukturë ndër gjenerata është njohur dhe quajtur edhe si “trerrembëshi” apo “trekëndëshi”.
Si ciceron dhe etnolog, Ilir Sopjanit i bie shpesh t’ua tregojë vizitorëve historikun dhe rëndësinë e këtij monumenti.
“Ky objekt daton nga periudha e viteve të 60-ta. Më konkretisht, pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1947, nën moton ‘të rrënojmë të vjetrën, të ndërtojmë të renë’, mirëpo kjo ka qenë një lloj ideologjie e asaj kohe dhe në atë periudhë normalisht që nuk i është shpjeguar askujt se cilëve ushtarë po iu takon; të nacionalitetit serb, shqiptar, malazez, boshnjak apo të ndonjë komuniteti që ka jetuar atëherë në Kosovë. Prandaj, në periudhën e Titos, që ta mbajë këtë lloj balance, këtë lloj bashkimi, që u pa në vitet ‘80 e ‘90, kur filluan edhe trazirat e luftërat në Ballkan, u quajt me emërtimin tjetër ‘Vëllazërim-Bashkimi’. Qytetarët e morën se është një slogan tepër i madh, të quhet vëllezërit e bashkuar, të gjitha kombet që jetonin jo vetëm në Kosovë. Mirëpo, kjo e ka gjithashtu edhe një historik. Para se të ndërtohej, ka qenë një lloj gare apo lloj konkursi i asaj kohe, në ish-Jugosllavi, se kush të ndërtojë diçka simbolike për qytete. Kështu (Zhivkoviq) serb, i cili e fitoi këtë garë, edhe hajde ku ta ndërtojmë, po e ndërtojmë në Prishtinë. Kështu filloi ndërtimi i saj në Prishtinë”, ka thënë Sopjani.
Kur flitet për ndërtimin e kësaj strukture, Fjolla Caka, arkitekte dhe planere urbane, në projektin “Vlerësimi i Monumenteve të pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë”, përshkruan vlerat arkitekturale të Monumentit për Heronjtë e Lëvizjes Nacionalçlirimtare.
“Vetë monumenti në fjalë, ndonëse është një obelisk me tre rremba, i cili është rreth 22 metra i lartë dhe i ndërtuar nga beton armea, po ashtu edhe monumenti tjetër pranë tij që është po ashtu një strukturë me tetë partizanë të ndërtuar nga bronzi. Së bashku si tërësi e krijojnë këtë sheshin e ‘Vëllazërim-Bashkimit’, njëkohësisht janë quajtur edhe si monumente ose sheshi i Revolucionit. Pra, edhe e kanë përfaqësuar këtë idenë e vëllazërim- bashkimit, idenë e paqes dhe barazisë të të gjitha kombësive”, ka thënë Caka.
Strukturat e tilla të ndërtuara në Kosovë në epokën jugosllave janë ngritur për të dëshmuar historinë.
Edhe memoriali i “Vëllazërim-Bashkimit”, sipas Shkëlzen Gashit nga shoqëria civile, ka rëndësi në mbamendjen e një periudhe historike që ilustrohet me këtë monument.
“Monumentet janë reflektim historik i një periudhe të caktuar, të cilat na ndihmojnë me i kuptu ngjarjet historike, ashtu siç na ndihmojnë edhe fotografitë për t’i kuptu ngjarjet historike. E me i rrëzu pse nuk po na pëlqejnë është njësoj sikurse me i gris fotografitë që nuk na pëlqejnë. Nuk mundet historia të mësohet e të kuptohet vetëm përmes gazetave, rrëfimeve të njerëzve, por mësohet edhe përmes fotografive e monumenteve të periudhave të ndryshme kohore”, ka thënë Gashi.
Sheshi ku edhe sot gjendet “Vëllazërim-Bashkimi” kishte pamje krejtësisht tjetër, para se të ndërtohej kjo përmendore.
“Qarshia e vjetër në fillim të Luftës së Dytë Botërore kishte rreth 300 dyqane, megjithatë, pas Luftës së Dytë Botërore ajo fillon të dobësohet dhe nuk është në gjendje të mirë. Prandaj edhe me aprovimin e planit të ri dhe me idetë e reja për modernizimin e qytetit, fillon të rrënohet dhe mbi të ndërtohet ky shesh dhe ndërtesa të tjera, siç janë Ndërtesa e Komunës dhe e Parlamentit. Mirëpo, kjo praktikë “rrënojmë të vjetrën, ndërtojmë të renë” është vazhduar edhe pas asaj periudhe ku është humbur një aset apo një qendër e rëndësishme e qytetit e cila ka dëshmuar rreth 500-vjet të ekzistencës së tij. Është shkatërruar, është larguar, kështu duke zhdukur pjesë të rëndësishme të identitetit të Prishtinës me ndërtimin e këtij sheshi të Vëllazërim-Bashkimit”, ka thënë Caka.
Turistët e huaj natyrisht që interesohen për me e ditë historinë e saj, mirëpo vizitorët vendorë, që i kemi qytetarë tonë, shpeshherë kemi qenë të ndarë në dy taborë; ta lëmë si monument apo ta rrënojmë të tërin. Vetë fakti që Ministria e Kulturës nuk e ka marrë në vetëmbrojtje si objekt të Trashëgimisë Kulturore, nënkupton faktin se nuk pasqyron vlera kulturore, historike po, mirëpo, vlera kulturore një monument i tillë nuk i plotëson kushtet që të jetë i tillë, prandaj ka mbet kështu si në një lloj luhaje”, ka thënë Sopjani.
Nuk janë të rralla rastet kur temë diskutimi ngrihet çështja e ruajtjes apo rrëzimit të monumenteve të së kaluarës.
E njëjta dilemë paraqitej edhe tek memoriali i “Vëllazërim-Bashkimit”. Madje në projektin “Vlerësimi i Monumenteve të ndërtuara pas Luftës së Dytë Botërore”, përmendet përpjekja për t’u dëmtuar obelisku nga një dinamit.
“Ka pasë një tendencë që shumë prej monumenteve që janë ndërtuar në periudhën e socializmit jugosllav me u shkatërru. Mendoj që është gabim shumë i madh përpjekja a tendenca për me i rrëzu këto monumente, me theks të veçantë monumentin e trekëndëshit, i cili për dikë simbolizon bashkëjetesën, vëllazërim -bashkimin”, ka thënë Gashi.
Të shumta në numër janë monumentet e ndërtuara në Kosovë, të cilat i përkasin së kaluarës.
Por, ekzistenca e tyre sikur është shpërfillur, aq sa një pjesë e tyre janë shkatërruar a rrënuar plotësisht.
Monumentet e tilla janë pjesë e trashëgimisë dhe historisë së një vendi, dhe janë pasqyrë e së kaluarës.