Via Balcanica

Mali i Zi: Katundet malazeze

Në pikën që kufizon Nikshiqin, Danillovgradin dhe Kollashinin gjendet bjeshka Llukavica. Edhe sot blegtorët verës aty ngritin katundet llukavicase, ku e presin vjeshtën. Njëri prej katundeve më të gjallë është ky Zagarasi, rrëzë majës së Zhurimit të Vogël.

“Ky është një katund shumë i bukur. Unë merrem me këtë punë prej kohësh dhe për mua kjo është jeta”, thotë blegtori Rajko Filipoviq.

“Kemi 200 dele, nëntë gjedhe, katër kuaj dhe një pjellë, kemi tre derra, pula, ka gjithçka nga pak”, deklaron malësorja Jellena Filipoviq.

Afër Filipoviqëve, verës ditët në bjeshkë i kalojnë edhe Misho dhe Stanka Raiçeviq.

“Kam sjellë gjashtë lopë, rreth 50 dele. Kështu me plakën bashkë, pak të pushojmë, e shihni se si është pushimi, shumë punë, shumë punë”, shprehet blegtori Misho Raiçeviq,

Katundet janë të vjetra sa edhe Mali i Zi. Mënyra specifike e jetesës, organizimit të familjes, ruajtjes së bagëtisë dhe prodhimit të ushqimit – gjithçka është në harmoni me natyrën.

“Ky ambient, është diç që duket bukur edhe kur vjen këtu për gjysmë ore. Por kjo është një histori e rëndë dhe e ashpër, këtu viheni në situatë që duhet të gjeni mënyrën që bashkë me këtë natyrë dhe me këtë bjeshkë të funksiononi, nuk mund të shkoni kundër saj, sepse afati juaj është i shkurtër. Mençuria e jetesës së tyre ishte pikërisht se si të gjendet bashkëjetesa me bjeshkën dhe të shfrytëzohen përparësitë e saj që të mbijetohet. Gjithçka që shihni në këtë bjeshkë është rezultat i përvojës së shumë gjeneratave”, deklaron historiani Ivan Lakoviq.

Autor i monografisë “Katundet e bjeshkës së Kuçit”, Ivan Lakoviqi, thotë se bujqësia malazeze ka qenë e kushtëzuar me mungesën e tokës së punueshme, që do të thoshte se duhet të merreshin me blegtori. E blegtoria duhej t’i kthehej bjeshkës, sepse garës në 40 shkallë celsius në vendet më të ulëta bari thjesht nuk ka. Për këtë arsye në katunde qëndrohej disa muaj.

“Në bjeshkë gjatë verës krijohen teprica të prodhimit që ose harxhohen si rezerva të ushqimit gjatë dimrit ose shiten si teprica në treg, prej të cilave më pas blihen gjësende të tjera të nevojshme, dhe ai qark është sjellë kështu prej kohësh deri nga gjysma e shekullit 20, dhe vetëm atëherë kjo histori ndryshon, sepse atëherë fillon industrializimi dhe urbanizimi i forcuar, në fshatra jetohet veç si pasojë e pamundësisë që të jetohet tjetërkund, dhe jo sipas zgjedhjes dhe nevojës”, shprehet Lakoviq.

Historia e ngritjes në katunde është rrëfim për punën e përbashkët të gjithë familjes. Njerëzit kanë bartur krejt çka ka mundur të bartet, e që ishte e nevojshme për jetesë. Kafshëve u është kushtuar kujdesi më i madh i mundshëm.

“Ato janë që e mundësojnë mbijetesën me prodhimet e tyre, janë ato që e mundësojnë kalimin e dimrit dhe sezonit të ardhshëm, për këtë arsye akomodimit të tyre dhe shijes së tyre i është nënshtruar gjithçka. I shihni lart, ato majat e zhveshura, ai është një vend i shkretë prej guri me lartësi mesatare mbidetare prej 1600 metrash, ku nuk ka gjë pos gurit dhe shkurreve të imta, aty është numri më i madh i katundeve. Aty rritet numri më i madh i bimëve të ndryshme që janë pikërisht ajo që për delet dhe lopët është ëmbëlsirë”, deklaron Lakoviq.

Të sigurohet teprica e prodhimit në këto kushte, të ashpra, ka qenë shumë e vështirë. Lakoviqi thekson se njerëzit asokohe ushqeheshin me shumë më pak mish sesa sot. Lopët dhe delet janë mbajtur para së gjithash për shkak të qumështit, kajmakut dhe djathit.

“Ato prodhime të qumështit, edhe mund të zgjasin më shumë, edhe kanë vlerë të madhe kalorike dhe me to mund të mbijetohet më gjatë, dhe e treta gjë është se ato mund t’i shisni, ato janë diç që merrni me vete kur zbritni në tregun e Podgoricës apo Shkodrës, dhe për to fitoni diç tjetër. Sot ne përdorim mishin në sasi pakrahasueshëm më të mëdha, e kjo dikur ka qenë rasti vetëm për ndonjë festë, varrim, kur duhet të presësh numër të madh njerëzish dhe të tregohesh para tyre. Ushqimi më i shpeshtë që është ngrënë atje lart është përbërë nga gjella tradicionale të çobanëve – cicvara dhe kaçamaku. Produktet e qumështit që e përbëjnë bazën, në të cilat shtohet pak miell dhe pak patate, po e theksoj pak, sepse sa mendoni se kanë pasur miell në një familje mesatare tetë-anëtarëshe, e nuk ka pasur shumë familje më të vogla se kaq, për tre muaj në bjeshkë, që ata çdo ditë të hanë bukë? Mendoni se në ndonjë rrugicë malore më këtë gjerësi dhe me gjatësi prej 40 kilometrash ka mundur të transportohen shumë thasë me miell?” – thotë Lakoviq.

Blegtoria dhe ngritja e katundeve edhe sot janë punë e rëndë. Për të rraket janë e vetmja prej së cilës edhe jetojnë.

“Për mua ky është burimi i të ardhurave. Unë jetoj prej kësaj dhe nuk ankohem. Ka mjaft punë, ka”, thotë blegtori Filipoviq.

“Zgjohem në mëngjes në gjashtë. I mjeli lopët, i mjeli delet, pastaj ziej qumështin, e kulloj, bëjmë djathin, pastaj ushqejmë bagëtinë”, shprehet malësorja Filipoviq.

Dhe gjithë atë që e prodhojnë, thonë, e shesin, sepse ka njerëz për të cilët është me rëndësi të ushqehen shëndetshëm, me ushqim vendor. Po pyetja është çka hamë ne sot?

“Shkoni në tregun e Podgoricës, merrni 100 euro, blini një kilogram kajmak të prodhuar në Mal të Zi, do të ktheheni me 100 euro në shtëpi, pse, sepse nuk ka! Për djathë të shtëpisë, duhet ta njihni plakën, të paralajmëroheni, t’i thoni pesë kilogramë i duam, dhe ajo të thotë se mund të marrësh një kilogram dhe kaq është puna. PSE NE NUK i PËRDORIM MË ATO NJOHURI DHE PËRVOJA NË BUJQËSI DHE BLEGTORI? Kërkojnë angazhim më të madh, për shkak se si shoqëri jemi bërë shumë dembelë, për shkak se jemi mësuar të jetojmë diku në katin e katërt, të varemi nga lifti, telefoni, interneti, uji, rryma, gjithçka që kemi, dhe nëse diçka nuk funksionon, dikush tjetër duhet ta zgjidhë atë... që të punësohemi diku, të jetojmë nga paga... Këtu nuk ka ashtu, askush këtu nuk ju qëndron prapa, këtu nëse gaboni, ju jeni ai që paguani çmimin, e çmimi është shumë i lartë”, deklaron historiani Lakoviq.

Është paradoks që importojmë ushqimin më të lirë, ndërsa nuk i shfrytëzojmë resurset e pasura.

“Tek ne një Sinjajevinë është sjellë në situatë që dikush do ta kthejë në poligon për ushtrime artilerike. Është interesante të dihet që Sinjajevina është nga tri kullotat më të mëdha në Evropë. Ne kemi me mijëra e mijëra hektarë që rrinë zbrazët”, thotë Lakoviq.

Rrëfimi për katundet është rrëfim për punën e rëndë, por edhe për shoqërimin.

“Rrëfimi i tyre ka qenë shumë i rëndë, ata është dashur gjithë ditën t’i ruajnë delet e veta, lopët nuk ruhen, ato lëshohen dhe pastaj vetë shkojnë e kthehen, por me dele është dashur të ecet vazhdimisht. Kur gjithë atë e kryejnë, janë organizuar takimet, ndejat, kanë pasur shumë lodra që janë përdorur për këto. Të përmendim rrotulluesen, kjo është një hu i ngulur në tokë, për të është ngulur një tra, në dy skajet nga dy veta, pastaj ata janë sjellë, rrotulluar, që të shihnin se cili sa rrathë do t’i kapë, dhe kjo duket mjaft primitive, por aty ndizet zjarri, luhet rreth rrotullueses, këndohen disa këngë, njerëzit shoqërohen. Sepse ata përveç me njëri-tjetrin, nuk kanë me çka tjetër ta kalojnë kohën”, shprehet Lakoviq.

Në Kuç kanë qenë 194 katunde. Nëse supozojmë se para të themi 100 vitesh secila familje mesatarisht ka pasur rreth 30 copë bagëti, dhe që në secilin katund kanë qenë dhjetë familje, kjo del të ketë qenë 58 mijë copë bagëti vetëm në bjeshkën e Kuçit. Sot në këtë rajon nuk ka më shumë se dy mijë copë bagëti, pra rreth 30 herë më pak se dikur. Nga kjo distancë kohore, në qytet është më lehtë dhe më rehatshëm, ndërsa prodhimi i ushqimit edhe atëherë edhe sot, thonë blegtorët në Llukavicë, nënkupton edhe punë të madhe por edhe pastërti të plotë.

“Përpiqem që gjithçka të jetë e rregullt, ashtu që ajo që e prodhojmë të mund të gjejë blerësin dhe që populli që bën tregti të jetë i kënaqur”, thotë malësorja Stanka Raiçeviq.

Meqë Llukavica është e pasur me burime, katundet nuk kanë mungesë uji, ndërsa për rrymë gjinden disi. Filipoviqët kanë panele solare, ndërsa Raiçeviqët kanë gjenerator. Nën Zhurimin e Vogël pret i ftohti i parë, ndërsa kolibet, stallat dhe kullosat braktisen. Deri në pranverën e ardhshme.

 
"Via Balcanica" - LIVE

"Via Balcanica" - LIVE

Posted by Koha.net on Sunday, October 4, 2020