BeH: Humori është mënyrë e jetës në BeH
Vladimir Çolakoviq: Eh, çfarë bordelesh ka pasur Budapesti, more jaran!
Mirza Salkoviq: Pooo… po shih, po lexoj dhe po mendoj qysh kjo pandemi nuk është edhe aq e keqe, për Zotin!
Vladimir Çolakoviq: Eh, hajt të dëgjoj që paska diçka të mirë edhe në këtë kaos të gjithmbarshëm.
Mirza Salkoviq: Nuk është, për besë! Ja sot në mëngjes u nisa këtu për kafe dhe e takova një mik, e kam pasur garantues për një kredi.
Vladimir Çolakoviq: E more, garantues ka qenë.
Mirza Salkoviq: Ai mua.
Vladimir Çolakoviq: Edhe?
Mirza Salkoviq: Shih tash këtë, unë nuk i kam paguar tri këstet e fundit.
Vladimir Çolakoviq: Atëherë paske dalë në nivel pro.
Mirza Salkoviq: Dhe frajeri më njohu, e unë kalova krejt pranë tij.
Vladimir Çolakoviq: Pak të thuhet… Pak ka ditë të tilla, që të mbetem vetëm. E kush është tipi?
Mirza Salkoviq: Një shok i imi, nuk e njeh ti!
Vladimir Çolakoviq: Po si e ka emrin? Ndoshta aiiii…
Mirza Salkoviq: Hajt, jaran Emir, nuk e njeh ti! Vllado, një shoq i imi, nuk e njeh ti atë frajer!
Vladimir Çolakoviq: Po a?
Mirza Salkoviq: Poo
Vladimir Çolakoviq: O vëlla, po unë jam Vllado! Shko bane testin e koronës, e paske humbur pak edhe të parit.
Ky është vetëm një shembull që tregon se cili është humori i përditshmërisë së boshnjakëve dhe hercegovasve. Kështu edhe gjatë kohës së pandemisë së virusit korona sundon edhe pandemia e shakave. Gjithsesi, janë të pashmangshme mahitë dhe karikaturat për politikanët boshnjakë dhe punën e tyre në kohën e pandemisë, me çka posaçërisht është marrë portali satirik šatro.info. Në tekstet e veta përveç me politikë, ata prekin edhe fenomenet e tjera që kanë të bëjnë me ekonominë, bujqësinë dhe personalitetet e njohura nga jeta publike.
“Ide ka sa të duash. Vetëm është e vështirë të jesh më i çmendur sesa realiteti, posaçërisht ai politik. Kjo diç është puna jonë më e vështirë dhe ku ne jemi krenarë, sepse arrijmë tash e katër vjet që të jemi më të çmendur sesa ata, të shkruajmë diç edhe më bizare, edhe më të marrë, ashtu që të drejtojmë kritikën edhe tek njerëzit, na atë që në të vërtetë është problemi. Prej aferave të ndryshme, deklaratave, sjelljes, veprimeve, të gjitha që ne i përcjellim në përditshmëri e që ndodhin edhe në politikë. Edhe fushat e tjera të shoqërisë, ekonominë, qytetarët, nganjëherë i kritikojmë po ashtu, e pastaj nuk na duan. Thonë se nuk ju lexojmë më, ne themi mirë dhe kështu vazhdon. Kështu që, nuk është e zorshme të gjendet inspirimi, vetëm se është e zorshme të jesh më i çmendur”, ka thënë Haris Dedoviq, redaktor i portalit Satro.info.
Boshnjakët dhe hercegovasit jetojnë prej humorit. Aktorja Aida Bukva, e cila ka luajtur një seri rolesh humoristike, thotë se jemi specifikë edhe për shkak të gjuhës, e cila vetvetiu i bart emocionin, temperamentin e karakterin, dhe vetë aktrimit i kontribuon gjuha.
“Aktorët tanë kurdo që flasin diçka pak ka nevojë që ajo të jetë qesharake, dhe në atë rast ne përpiqemi që të shprehemi me humor. Ne mbrohemi nga përditshmëria, i tejkalojmë gjërat, në njëfarë mënyre shërohemi ashtu. Edhe humori sigurisht në psikologji është një mekanizëm i shëndetshëm i mbrojtjes, sepse je në gjendje që në atë moment të krijosh distancën dhe më pas mund të vështrosh gjithçka me kokë të ftohtë, kjo është diç që ne me intuitë e kemi gjetur mirë dhe saktë”, ka thënë aktorja Aida Buvka.
Humori boshnjak është i veçantë, disa madje e quajnë një entitet të posaçëm. Boshnjakët dhe hercegovasit janë të njohur për atë që gjithmonë kanë bërë shaka në llogari të vetes. Sado që kanë qenë të palumtur me jetën, prej saj janë përpjekur të bëjnë një humor të mirë.
“Ne jemi të njohur për humor, për atë që jemi, që qeshim në llogari të vetes, përgjithësisht kjo kudo në botë vërehet. Kjo në fakt është karakteristika më e mirë e popullit, që të mahitet me veten, atëherë ju vetë e lejoni këtë, ndërsa mund të bëni shaka edhe në llogari të të tjerëve. Ne vërtet jemi specifikë në këtë. Ne vetvetes ia kemi dhënë mbiemrat Muja i marrë, ne vetë i kemi krijuar mahitë për Mujën dhe Fatën. I kemi bërë të gjitha këto dhe kemi treguar se mund të shkelemi. Neve vërtet edhe na shkelin. Por kjo është për ata që merren me humor, është shumë e rëndësishme. Kështu janë, shembull, irlandezët, humori i tyre është i ngjashëm me këtë tonin, pastaj edhe britanikët, përgjithësisht është ajo përshtypja se kemi karakteristika të ngjashme”, ka thënë shkrimtarja, Indira Kuçuk- Sorguç.
“Këtë fqinjët gjithmonë e kanë vërejtur si diç posaçërisht kualitative. Flas nga përvoja, produkti që e kam krijuar dhe brenduar, stand up komedia “Made in Bosnia”, bashkë me kolegun Filip Andronika, ka qenë një prej show-programeve më të shikuara të mbrëmjes e që është ndjekur nga i gjithë rajoni, komplet Ballkani. Para së gjithash, për shkak të emërtimit të stand up komedisë “Made in Bosnia”, dhe kudo që kemi pasur edhe pllakatin më të vogël, në cilindo qytet, krejt salla ishte e mbushur deri në vendin e fundit, sepse njerëzit donin të dëgjonin atë humorin boshnjak”, ka thënë Hazim Mujçinoviq, stand up komik.
Mentaliteti, mënyra e të folurit, sjellja, kuptimi i situatave të caktuara, krejt këto në fund na bëjnë spirituozë. Jemi specifikë edhe për atë që përmes satirës e përqeshim dhe qeshemi me vetë mentalitetin tonë.
“Ka edhe popuj të tjerë që bëjnë shumë shaka, posaçërisht në këtë rajon. Ja, ne flasim, përkatësisht e quajmë si një gjuhë tjetër, por e kuptojmë të gjithë, andaj dhe në këtë rast do ta quaj gjuha jonë, dhe vërtet shumë humor vjen nga Mali i Zi, Serbia dhe Kroacia, deri diku. Do të thotë, mendoj që ne jemi këso treve që e do këtë, e cila ndoshta reagim natyror e ka pikërisht mahinë. Do të pajtohemi se nuk jetojmë në sistemet më të mira në botë e as në më të këqijat, mos të gënjejmë, aq sa ankohemi. Dhe diku aty gjithmonë reagimi i parë është mahia. Mendoj që kjo është e mirë dhe e shëndetshme, mendoj që nëse pas asaj mahie vijnë gjërat konkrete, kjo aspak nuk është problem, është mirë shumë”, ka thënë Dedoviq.
Aktorja Aida Bukva e pranon se ajo kënaqet me rolet humoristike, sepse janë zbavitëse, ndërsa komedia vetvetiu është kreative. Ajo konsideron që duhet pasur festivale të komedisë që do t’i jepnin një lloj rëndësie kulturologjike humorit që kemi.
“Dua të them se tek ne, sado që jemi spirituozë, aq shumë e nënçmojmë atë cilësi tonën për shkak se është shumë e përgjithësuar. Te ne secili taksist është stand-up komik, së paku, sipas mendimit tim. Kamerierët te ne në fakt shpërthejnë, kemi shumë të tillë. A po dallohemi në rajon ne më së shumti për këtë? Paj po, sigurisht që dallohemi më së shumti. Dhe kjo është për shkak se ne megjithatë përpiqemi që të dëshmohemi në këtë gjë. Kjo është një lloj i veçantë i njohjes, është një nerv i veçantë për këtë që mprehet me këtë, për këtë arsye ne insistojmë në këtë gjë. Ne mes vetes garojmë se kush e ka shakanë më të mirë, kush e ka mahinë më të mirë. Ne punojmë në këto, me të vërtetë përpiqemi që ta mbajmë këtë traditë”, ka thënë Aida Buvka.
Humori si përditshmëri është ilaç për çdo sëmundje dhe drejtim kryesor për dalje nga secila situatë. Dhe kështu do ta përmbyllnin boshnjakët dhe hercegovasit: kur për gjithçka si shtet regresojmë, të jemi të parët së paku në humor.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.