Via Balcanica

Mali i Zi: Të rinjtë kërkojnë më shumë ndihmë nga shteti

Edhe pse jetojnë në rajone të ndryshme të Malit të Zi, që nënkupton mënyrë të ndryshme të jetesës, në kërkim të fatit dhe të suksesit, para këtyre të rinjve janë të njëjtat sfida.

Në katundin e Bjellasicës, mbi Kolashin, Mirko Shqepanoviq, 23 vjeç, ka gjetur vullnetin për jetë dhe paqen.

“Dashuria ndaj bjeshkës gjithmonë ka ekzistuar, kështu që si djalosh kam ardhur këtu, ndërsa vetëm më vonë kam gjetur punën në të cilën jam adaptuar, dhe jam shpesh këtu, edhe nga 6-7 muaj”, ka thënë Mirko Shqepanoviq, guidë turistike nga Kolashini.

Meqë kënaqet në punën me turistët, të cilët në këmbë apo me kuaj i udhëheq deri në viset magjepsëse malore, Mirko prej vitit të tij të 15-të punon si guidë. Edhe pse e ka kryer shkollën e mesme të gjeodezisë në Podgoricë, për dallim nga shumica e bashkëmoshatarëve të tij nga veriu i Malit të Zi, ai është kthyer në vendlindje.

“Po nuk kam mbetur, sepse disi nuk më përshtatej ajo rrëmujë, sepse këtu shumë kënaqem, kështu që kam njëfarë paqe timen. Njerëzit që ishin me mua në konviktin e nxënësve, shumica kanë mbetur atje poshtë, kështu që me siguri tregojnë se çfarëdo pune që e gjejnë e kanë më lehtë sesa sërish të kthehen këtu lart, edhe për shkak të shoqërisë, edhe për të gjitha, por prapëseprapë nuk kanë ndonjë fitim, sepse atje i paguajnë banimin dhe ushqimin, këto duhet t’i paguajnë, ndërsa në fund nuk ju mbetet asgjë që të mund të përparojnë në jetë, por kënaqen me atë që kanë”, ka thënë ai.

Jeta në bjeshkë dhe në fshat për Mirkon në këtë moment është zgjidhja më e mirë, por ai është shumë i vetëdijshëm për problemet e mëdha të të rinjve në veri të Malit të Zi.

“Problemi më i madh i të rinjve në veri është papunësia, dhe mjaft njerëz për shkak të kësaj nga veriu shkojnë në Podgoricë apo në qytetet më të mëdha me shpresën se në qytet të madh kanë më shumë zgjedhje të punëve, ndërsa njerëzit që mbesin këtu në veri, që fillojnë të merren ose ne bujqësi ose me blegtori, sërish më ankohen se nuk kanë shitje apo se janë çmimet e vogla, kështu që njerëzit mendoj se nuk janë të kënaqur aq shumë me mbetjen këtu”, ka shtuar Shqepanoviq.

Si e komenton gjenerata juaj faktin që ju e doni jetën në bjeshkë dhe si e shohin ata këtë paqen tuaj që keni këtu?

“Njerëzit vetë e shohin atë paqe dhe këtë bukuri që kemi këtu”.

Podgoricasja e re, e dashuruar në fjalën e bukur dhe në prozë, Lejla Kashiq, kënaqet me bukurinë e qiellit mbi Bjellasicë, dhe me insistimin e Mirkos, por ajo është e vetëdijshme që bashkëmoshatarët e saj të ardhmen më të mirë e kërkojnë kryesisht në kryeqytetin e Malit të Zi.

“Do të thosha që Podgorica është qytet ideal për disa nevoja bazike sa i përket arsimimit dhe zbavitjes. Por konsideroj që qytetit tonë i mungojnë më shumë institucione kulturore në të cilat të rinjtë do të mund të zhvilloheshin dhe të realizonin idetë e tyre, të kultivojnë talentet që kanë dhe të promovojnë krijimtarinë e tyre”, ka thënë Lejla Kashiq, poete nga Podgorica.

Shpesh edhe vetë ajo e shfrytëzon çdo moment të lirë për të ikur nga zhurma e qytetit.

“Podgorica ka një karakteristikë të shkëlqyeshme, e kjo është se prej saj ka qasje të mirë, si ekonomike ashtu edhe kohore, që të dilet deri në qytetet dhe rajonet e afërta të vendit tonë. Plus unë dua të ngas biçikletën, dua të shkruaj, dua të dal me shoqet dhe shokët e mi, dua një jetë klasike rinore, dhe nuk besoj se koha ime e lirë në esencë dallon shumë nga ajo e cilitdo person të ri”, ka thënë ajo.

As jeta e të rinjve në Tivarin buzë detit, që është i njohur sipas legjendave për bashkëjetesën harmonike të tri religjioneve, nuk është më ndryshe. Këtë e konfirmon aktivisti rinor Miqan Andrijasheviq.

“Kryesisht këtu ka shëtitje, pirje të kafesë, sepse nuk kemi përmbajtje tjetër në Tivar, nuk kemi madje as jetë të natës, as para pandemisë nuk kemi pasur jetë aktive të natës, e të thoni se ky është një qytet studentor, i të rinjve, kjo në shumicën e rasteve nuk është ndier këtu. Të rinjtë në Tivar shëtisin, pinë kafe, shkojnë në salla gjimnastike, dhe kryesisht kaq është kjo”, ka thënë Miqan Andrijasheviq, aktivist rinor nga Tivari.

Për këtë arsye atë nuk e befason që të rinjtë në Mal të Zi perspektivën kryesisht nuk e shohin jashtë Podgoricës.

“Thjesht, Mali i Zi është i centralizuar, gjithçka është në Podgoricë. Podgorica është qendër akademike, institucionale, ekonomike, mediale, ka spektër të gjerë të ngjarjeve, profesioneve, krejt këto koncentrohen në Podgoricë, ndoshta për një nuancë edhe standardi i jetesës është më i lartë aty se në viset e tjera të Malit të Zi, dhe kjo thjesht është arsye për shkak të së cilës të rinjtë mbesin atje apo shkojnë atje të punojnë e të studiojnë”, ka thënë Miqan Andrijasheviq, aktivist rinor nga Tivari.

Dhe derisa Lejla dhe Miqani e shohin si zhgënjyes shënimin se të rinjtë në Mal të Zi, mesatarisht, deri në moshën e tyre 33-vjeçe jetojnë me prindër, Mirko thekson se vetë e kanë fajin për këtë situatë.

“Arsyet për këtë duhet t’i kërkojmë në situatën ekonomike në vendin tonë, por diku edhe në raportet patologjike simbiotike në familje, ndaj të cilave ne si shoqëri kemi prirje. Por nga ana tjetër, madje edhe kur të rinjtë pavarësohen, ata nuk jetojnë vetë, sepse kur largohen prej prindërve kryesisht hyjnë në bashkësi me partnerë”, ka thënë poetja Lejla Kashiq.

“Dikush thotë se kjo është në kodin tonë kulturor që me vonësë të pavarësohemi. Por, nëse e shihni se si kanë jetuar prindërit tanë, të gjithë ata janë pavarësuar të rinj, dhe ky është rast i shpeshtë edhe në rastin e prindërve të mi, edhe në rastin e të afërmve të mi, shoqërisë sime, kështu që kjo tezë për njëfarë kodi kulturor nuk qëndron shumë. Këtu është me rëndësi të thuhet diç që mbahet anash, se nuk është se të rinjtë jetojnë si barrë e prindërve, por ndodh që prindërit dhe fëmijët duhet, nëse kanë të ardhura, të bashkohen ashtu që të dy palët të kenë një jetë modeste, ndërsa ka dhe raste kur fëmijët duhet t’i mbajnë prindërit, sepse ata janë viktima të transicionit”, ka thënë Andrijasheviq.

“Po ja, shembull, kam një kushëri në Suedi, dhe mua më thonë se atje është rregull që kur e përfundojnë shkollën e mesme, apo kur shkojnë në fakultet, ata marrin banesë në vete dhe atë banesë e paguajnë dhe janë më të suksesshëm sesa njerëzit tanë. Sepse tanët disi mësohen, që thuhet djemtë e nënave dhe baballarëve, që mjaft shpesh presin që prindërit t’u japin të holla për të dalë në qytet, dhe kështu mësohen të jetojnë”, ka thënë Mirko Shqepanoviq.

Dhe, derisa hulumtimi i Fondacionit të Westmnisterit për Demokraci në Mal të Zi tregon se deri në 70 % e të rinjve duan ta braktisin Malin e Zi, Miqani, Lejla dhe Mirko nuk e kanë ndërmend t’i paketojnë valixhet e veta. Së paku jo për periudhë të përhershme.

“Këtu, tani, kështu si më shkon aktualisht, planifikoj të zgjerohem sa u përket tureve me kalërim, mendoj që ky do të jetë një rrëfim i mirë dhe mund të ketë sukses”, ka thënë Shqepanoviq.

“Sa më e moshuar që jam, aq më rëndë më vjen ta mendoj largimin e përhershëm nga Mali i Zi. Gjithsesi që shumë lehtë mund ta imagjinoj veten në një të ardhme të afërt në ndonjë specializim jashtë vendit, dhe në nxënie të njohurive që mund t’i shfrytëzoj në mënyrën më të mirë pas kthimit në vend. Sepse, më vjen rëndë të mendoj se gjithë jetën do të më duhet ta përkthej shpirtin tim prej një gjuhe në tjetrën, dhe që të humbas shumë kuptim në përkthim”, ka thënë Kashiq.

“Nuk jam as i paketuar e as i gatshëm të shkoj, por kam dëshirë që të studioj një periudhë të shkurtër jashtë në studime master, do të doja që kjo të realizohej, por do të doja të kthehesha më pas në Mal të Zi. Unë kam qenë shkurt jashtë, dhe kam parë se si është atje, është joshëse, i kuptoj të rinjtë që duan të mbesin dhe nuk duan të kthehen, por unë jam ende i lidhur me Malin e Zi, ende kam njëfarë doze të optimizmit se mund të bëhet më mirë”, ka thënë Andrijasheviq.

Me shpresën që dija, përpjekja dhe mundi shpaguhen kurdo, dhe se ëndrrat janë „afër dorës“, këta të rinj dërgojnë mesazh të qartë…

“Të rinjtë dëshiroj t’i porosis që të mos heqin dorë prej asaj që paraqet esencën e tyre dhe që duhet ta kultivojnë brenda vetes, të jenë të butë me veten dhe të kërkojnë mënyra në të cilat mund t’i shfaqin nevojat, talentet dhe potencialet e veta”, ka thënë Kashiq.

“Porosia ime është që të jenë më aktivë, të krijojnë një rreth më të mirë”, ka thënë Andrijasheviq.

“Përpjekja dhe puna: të punoni atë që e doni, sepse vetëm atëherë do të keni sukses”, ka thënë Shqepanoviq.

Sepse të jetosh, do të thotë të luftosh! Edhe në rini, edhe më vonë!