Via Balcanica

BeH: Titulli i kampionit të Jugosllavisë

Katërshja e madhe ka sunduar me kampionatin futbollistik të ish-Jugosllavisë. Crvena Zvezda, Dinamo, Hajduk dhe Partizan ishin favorite para fillimit të çdo sezoni, ndërsa zakonisht njëri prej këtyre klubeve në fund të sezonit do ta kalonte cakun i pari dhe do të bëhej kampion.

“Ato ishin ekipe shumë të mira dhe shumë mirë të organizuara, ishin dominuese. Me vetë atë fakt fituan shumë tituj. Kështu që, dikush të hyjë në atë katërshen ishte shumë e vështirë, por ja që Sarajeva arriti ta bënte këtë”, ka thënë ish-futbollisti i KF “Sarajevo”, Husref Musemiq.

Megjithatë, ka ndodhur që dikush t’ua prishë hesapet, Zhelezniçari këtë e arriti një herë, derisa futbollistët nga Kosheva këtë arritën ta bënin dy herë. Do të përkujtojmë se si arriti Sarajeva në sezonin 84/85 të bëhet kampione e Jugosllavisë. Sezonin që i parapriu suksesit ekipi ngjyrë bordo e përfundoi në vendin e nëntë dhe asgjë nuk linte të kuptohej se në qytetin atë vit olimpik do të mund të vinte edhe trofeu i kampionit.

“Me punë të përkushtuar ne përgatiteshim që të mbijetonim në ligë, por rrethanat dhe serioziteti i ekipit, me sjelljen e Jakovleviqit dhe Vukiçeviqit, afirmimin e Joziqit, Haxhibegiqit, Kapetanoviqit, Gjurkoviqit dhe Pashiqit, ekipi nisi dhe u bë befasi, si për taborët kundërshtarë ashtu edhe për ne trajnerët”, ka thënë Mirsad Fazllagiq, trajner në shtabin e KF “Sarajevo” 1984/1985.

“Nëse unë ju them se ne një vit më herët luftonim për mbijetesë, përfunduam në vendin e nëntë, atëherë kjo flet gjithçka. Sigurisht që askush nuk ka ëndërruar që Sarajeva në kampionatin e radhës të fitojë titullin”, ka thënë Husref Musemiq, ish-futbollist në KF “Sarajevo”.

Në fillim nuk kishte shumë ambicie të mëdha, dhe qysh në start të sezonit ndodhi diskualifikimi në Kupë nga Pelisteri, kështu që askush nuk priste sukses të madh.

“Mendoj që rezultati me Pelisterin në Kupë ishte 4:2. Sarajeva vëri udhëtim të zorshëm deri në Shkup, prej Shkupit shkohej në rrugë të pashtruar dhe tek lojtarët u vërejt një pakënaqësi, thua se dëshironin të diskualifikoheshin sa më parë”, ka thënë Fazllagiq.

“Ndoshta në fund edhe doli mirë, sepse në rrethanat e krijuara më vonë u përqendruam në kampionat dhe titull”, ka thënë Musemiq.

Por, pas një starti relativisht të dobët, ekipi Bordo ka nisur të shfaqë konturat e ekipit kampion. Rritej dhe afirmohej një plejadë e madhe e futbollistëve nën udhëzimet e trajnerëve Boshko Antiq dhe Mirsad Fazllagiq.

“Mendoj që dy ndeshje kyç ishin në Osjek dhe me Vojvodinën, ku Slavisha Vukçeviq me gol të jashtëzakonshëm e konfirmoi titullin e kampionit”, ka thënë Fazllagiq.

“Atëherë Vukçeviq shënoi një goditje fenomenale. Ishte një top i krosuar, Slavisha e kapi me volej. Unë shkova në shtyllën e parë dhe dëgjova diçka që kërciti”, është shprehur Musemiq.

Husref Musemiq ishte golashënuesi kryesor në Koshevë atë sezon. Sarajeva shënoi 51 gola, ndërsa Musemiqi shënoi 19 prej tyre. Prej tyre shumica ishin nga ndeshje me fitore minimale, që në fund ishin kyç për fitoren e titullit. Tandemi Pashiq – Musemiq ishte i pandalshëm për mbrojtjet e ekipeve prej Vardarit deri në Trigllav.

“Këta dy i thyenin mbrojtjet e kundërshtarit përmes kundërsulmeve dhe nëse do të mateshin, ndoshta ata të dy ishin lojtarët më të shfrytëzuar në atë periudhë kohore’, është shprehur Fazllagiq.

“Veç unitetit që kishim, sigurisht që kishim edhe kualitet. Predrag Pashiqi ka qenë lojtar fantastik. Unë kam pasur rastin dhe kënaqësinë që të jem pjesë e atij ekipi dhe kam përdorur maksimalisht atë kualitet që kisha. E kjo ishte të shënoja gol, posaçërisht me kokë. Unë edhe si trajner i them lojtarit të përpiqet të luajë atë që di më së miri, të shfrytëzojë atë që natyra ta ka dhënë. Nëse disa gjëra nuk i di, le t’i bëjë ato dikush tjetër. Unë kurrë nuk kam qenë njeri që ka mundur të driblonte lojtarin, sepse nuk e kisha atë kualitet. Për këtë arsye Pashiqi driblonte ndërsa unë fusja gola nga krosimet e tij”, ka thënë Musemiq.

Fazllagiq edhe nga kjo distancë kohore nuk lë dyshim se cila ishte forca më e madhe e Sarajevës në atë gjeneratë.

“Forca më e madhe e Sarajevës në atë titullin e dytë të kampionit ishte që në atë ekip kishim tetë lojtarë nga juniorët që njiheshin mes vete shumë gjatë. Të vetmit që nuk ishin nga juniorët, ishin portieri Gjurkoviq, Joziqi dhe Jakovleviqi’, ka shtuar Fazllagiq.

Kishte gjatë sezonit ngritje dhe rënie. Kishte edhe gabime të referëve në llogari të Sarajevës, humbje pikësh në Nikshiq, fitore në Zagreb, Novi-Sad, Nish, ndërsa, kur u bë llogaria para xhiros së fundit, ekipi Bordo atë 30 qershor 1985 kishte nevojë të fitonte kundër Crvena Zvezdës për të konfirmuar titullin e kampionit. Kosheva ishte plot. Priteshin vetëm edhe topat në rrjetin e ekipit të madh nga Beogradi, që qyteti në lumin Milaçka të vlonte, posaçërisht ajo pjesë e tij që adhuronte ekipin ngjyrë bordo. Titulli i dytë i kampionit ishte afër.

“Mendoj që edhe një herë kemi vërtetuar se jemi ekipi më i mirë këtë vit dhe që krejt me meritë e kemi fituar vendin e parë. Më vjen mirë dhe kjo është dita më e gëzuar në jetën time”, ka thënë Mehmed Janjosh, ish-futbollist i KF “Sarajevo” 1984-1985.

“Kjo është kurora e kësaj gjenerate dhe shpresoj që do të kemi forcë edhe për Kupën e kampionëve evropianë dhe të dëshmojmë se futbolli ynë ka vlerë”, ka thënë Faruk Haxhibegiq, ish-futbollist i KF “Sarajevo”.

“Kjo është dita më fatlume në karrierën time sportive dhe mendoj që kurrë nuk do të jem kaq i lumtur”, ka thënë Predrag Pashiq, ish-futbollist i KF “Sarajevo”.

“Mendoj që me meritë e kemi fituar këtë kampionat dhe kemi treguar më së shumti si ekip. Ekipi që ka pasur më së shumti fitore dhe më së paku disfata e ka merituar të jetë këtu ku është”, ka thënë Boshko Antiq, kryetrajner i KF “Sarajevo” 1984/1985.

Me ndeshjen kundër Crvena Zvezdës është vënë vula mbi paraqitjet e shkëlqyera që Sarajeva i pati atë vit para adhuruesve të vet dhe dashamirësve të futbollit. Është arritur suksesi që me shkronja të arta i ka shënuar futbollistët në ndërresa bordo në analet sportive.