Via Balcanica

Mal i Zi: Veraria “Gjukiq” nga Dolane

Rreth vreshtave në këtë shtëpi, pak më shumë se 5 kilometra larg Podgoricës, mendohet dhe punohet më shumë se katër decenie. Familje në harmoni, dashuria ndaj llojit specifik, të vjetër, të hardhisë, ka prodhuar verëra që janë të njohura jo vetëm në Dolane, ku janë prodhuar.

“Ne gjithsesi si fëmijë e kemi krijuar dhe kultivuar dashurinë ndaj verës në krah të babait dhe axhës, dhe me këtë edhe kemi vendosur që t’u tregojmë njerëzve, me kohë, se çfarë bëjmë. Gjithsesi se kemi marrë shumë komente pozitive për verërat tona, se janë shumë kualitative, se, para së gjithash, janë të shijshme, dhe kemi vendosur që këtë t’ua tregojmë njerëzve” ka thënë Marija Gjukiq.

Pra, mund të thuhet se ky është një vazhdim i traditës familjare?

“Ashtu është, babai dhe xhaxhai merren me këtë, siç tha ajo, tash e 40 vjet, kështu që ne vazhdojmë këtë traditë, të provojmë që t’i komercializojmë dhe t’i paraqesim verërat tona për popullin tonë dhe turistët që vijnë këtu”, ka thënë Gjukiq.

Turistët tek Gjukiqët i presin perimet dhe pemët nga kopshti i tyre, sikur edhe ushqimi kualitativ vendor, dhe, natyrisht, vera nga veraria familjare.

Qëndrimi komfor ofron qetësi, vetëm disa kilometra larg gumëzhimës së qytetit, por edhe jo aq larg nga pushimoret e njohura të kësaj ane.

“Për një ditë mund të lidhim shumë. Kjo këtu në Dolane, veraria jonë, vreshtat, e me vetë këtë mund të hipim, të them, të ecim deri në Kuç, të vizitojmë liqenet. Tash a mund t’i vizitojmë dy, liqenin e Bukmirit dhe atë të Rikavës. Nuk e di nëse kemi dëgjuar, ose jo, por mund ta lidhim një rrëfim të bukur, ashtu që turistëve kjo shumë u pëlqen”, ka thënë ajo.

Para por edhe pas piknikut gjithsesi mund të llogarisin në kënaqësi gastronomike dhe me verëra.

Vera e mirë shkon me ushqim të mirë dhe anasjelltas

“Ne sërish këtë e bëjmë në njëfarë mënyre për vete dhe vërtet përpiqemi që kualiteti të jetë në rend të parë, e tash, me kohë, njerëzit do ta çmojnë çdoherë e më shumë atë kualitet”, ka thënë Nikolla Gjukiq.

Edhe pse të rinj, Marija dhe Nikolla kanë mësuar se për sukses, krahas dashurisë, është e domosdoshme edhe përpjekja dhe puna e madhe.

“Nëse nuk e keni dhe nuk e kultivoni dashurinë e madhe, shumë shpejt mund të hiqni dorë, për shkak se hardhia e rrushit kërkon punë çdo ditë, kërkon përkushtim të madh dhe vullnet që të punoni rreth saj. Ne këtë e bëjmë si familje, duhet të jemi të kyçur të gjithë familjarisht, sepse për më të moshuarit do të kishte tepër shumë punë” është shprehur Marija.

Për këtë arsye ajo ka vendosur që t’ua lehtësojë punën dhe të merret me metodat moderne të komunikimit.

“Unë kam marrë përsipër atë pjesë që ata e quajnë për më të rinjtë. Unë bashkëpunoj me njerëzit, i drejtohem publikut e ata janë për këto gjërat teknike rreth prodhimit, rreth përpunimit, kështu që ata merren me këto punë”, ka thënë ajo

Prodhimi i verës, megjithatë, u takon burrave. Në atë terren Nikolla është bashkë me babanë dhe xhaxhanë.

“Hapi i parë në prodhimin e verës është krasitja, më pas shkon trajtimi me mjetet kimike që gjithsesi se janë të nevojshme për të mbrojtur hardhinë. Pastaj shkon e ashtuquajtura shkulje e barërave, kjo është heqja e degëve të tepërta nga hardhia. Pastaj faktori kryesor tek rrushi është moti, kushtet klimatike që tek ne janë mjaft të volitshme, sepse kemi mjaft ditë me diell, edhe pse gjithçka varet nga viti. Pastaj kemi zgjedhjen e kalaveshëve, secili kalavesh që ndahet për verë zgjidhet dhe provohet... ne mbahemi me dy lloje të verës, dhe ato janë vranaci dhe kratoshija, këto janë lloje autonome që me vite kultivohen këtu. Ne përpiqemi që ato vazhdimisht t’i përtërijmë dhe të kujdesemi për këtë, sepse ato janë treguar për këtë rajon si më të mirat”, ka thënë ai.

E më të mirat janë për verërat e ëmbla

“Konkretisht këto vreshta, siç kemi thënë, kanë më shumë se 40 vjet. Kemi vreshta të reja që kanë katër apo pesë vjet, dhe në këtë vresht gjenden hardhitë e vjetra që janë vërtet të përshtatshme për prodhimin e verës së ëmbël, së cilës ne ia japim theksin, sepse ky rajon është i njohur për verërat e ëmbla”, është shprehur ai.

Këto verëra kanë fituar çmime edhe jashtë Malit të Zi...

“Kemi fituar çmime të mëdha dhe ne me këtë krenohemi shumë. Kemi fituar medaljen e artë në Francë, në Bordo, për verën tonë baron, gjysmë të ëmbël. Këtë e kemi fituar vitin e kaluar, dhe duhet ta pranoj që jo rrallë e përmend. Pastaj kemi fituar shumë medalje në Novi-Sad, në Mostar, po ashtu kemi medalje edhe nga panairet malazeze... Për plasman nuk mund të them se ndikon shumë, por gjithsesi që është plus, kur njerëzve u thoni se këtë e kanë njohur njerëzit në Francë, apo ndoshta njerëzit nga Londra, nga Dekanteri, në të cilin kemi marrë pjesë këtë vit. Thjesht, njerëzit menjëherë kanë më shumë interesim”, ka thënë Gjukiq.

“Edhe ne çdo vit përpiqemi të marrim pjesë në vlerësimin e verës, po ashtu vitin e kaluar, më 2019, kemi marrë mirënjohje në panairin e Novi Sadit, që për ne është me rëndësi, se është edhe një lloj matësi i kualitetit, ku tregojmë që vërtet kemi prodhim kualitativ”, është shprehur Nikolla.

Ashtu që t’u afrohen adhuruesve të verës, krahas katër etiketave ekzistuese, ofertën e vet kjo familje ka vendosur ta pasurojë me edhe po aq.

“Deri tani kemi prodhuar vetëm verëra të kuqe, të zeza, siç i quajnë. Krahas kësaj, në konsultim me enologët tanë, jam përpjekur, do të shohim. Shpresoj që kam arritur të krijoj një verë kualitative të bardhë dhe një roze. Kjo verë është shumë interesante për konsumatorët. Meqë nuk mund t’i plasosh të gjitha, atëherë përpiqesh të gjesh mënyra për të parë se çka kërkojnë konsumatorët, kështu që aty diku kisha idenë dhe tani të shohim në pranverë se si do të shkojë kjo”, ka thënë ai.

Edhe pse janë të njohur për verërat, Gjukiqët prodhojnë edhe rakinë, si dërstilat të rrushit.

“Rakia tek ne në njëfarë mënyre vështirë shitet, ka pak konsumatorë vetëm për rakinë, andaj e përziejmë me fruta mali dhe prej saj fitojmë; liker vërtet të mirë, që janë interesant për testim. Po ashtu kemi prej malit familjen e barërave, lincurën. Atë e vendosim në raki dhe fitojmë një prodhim të cilin mjekët kanë pranuar se është shumë i mirë për zemër. Krahas kësaj, gjilpëra, të cilën ka që e quajnë edhe ziznula. Ajo vërtet kur vendoset në raki jep një pije të mirë, me të cilën ne kënaqemi”, ka thënë ai.

Gjukiqët nuk janë ndalur as aty. Janë krenarë edhe për një tjetër prodhim vendor.

“Para ca vjetësh babai im u pensionua, pastaj vendosi që të merret me këtë punë, me mbajtjen e bletëve. Andaj edhe mjalti disi është ndërlidhur me verën dhe kemi mjaltë që vjen nga bjeshka, përkatësisht nga vendlindja jonë, Bërskuta”, është shprehur tutje ai.

Që biznesi i suksesshëm nuk mund të bazohet vetëm në traditë, Marija, përndryshe profesoreshë e gjuhës angleze por edhe turizmologe, e ka kuptuar me kohë. Andaj edhe hapësirën e verarisë e ka përshtatur për përdorime të ndryshme.

“Interesimi ka nisur së voni, ende nuk ka marrë hov siç do të donim ne. Por ngadalë shkojmë edhe drejt asaj. Njerëzve u pëlqen kjo që bëjmë, u pëlqen hapësira, u pëlqen ambienti, plus u pëlqen natyra tek ne. Kështu që, më duhet ta pranoj që njerëzit janë shumë të kënaqur kur vijnë”, ka thënë Marija.

Dhe gjithçka mund të ishte edhe më mirë, po të mos ndërhynte korona.

“Ka ndikuar shumë, më duhet ta pranoj se ka ndikuar shumë, për shkak se ky sezon është dashur të jetë kyç për fillim. Ne ende jemi në, si të them, hapin e parë dhe kemi shumë energji, kemi shumë vullnet. Tash ndodhi kjo që ndodhi, por nuk mund të zgjedhim, do të ketë sezon vitin tjetër, shpresoj”, ka thënë tutje Gjukiq.

Edhe pse në çdo mënyrë investojnë në kualitet, Gjukiqët nuk janë të sigurt se sa kjo shpaguhet sot në Malin e Zi

“Përpiqemi që të komercializojmë, e tash, sa shpaguhet... një shpagim konkret aty nuk ka, por ne përpiqemi që diçka prej investimit të kthehet”, ka thënë Gjukiq.