Pandemia ia ka pamundësuar “DokuFestit” t’i hapë kinematë. Pikërisht me këto pamje është mbyllur edhe edicioni i sivjetmë i festivalit në Prizren. I mbajtur online, këtë verë s’e kishte imazhin e atij të 18 edicioneve të kaluara me kinematë e qytetin plot, hotelet pa asnjë vend të lirë dhe ndikimin e pazëvendësueshëm kulturor dhe ekonomik.
Por, organizatorët s’janë dorëzuar. I janë kundërpërgjigjur pandemisë me “transmision” digjital. E mesazhi ishte i fuqishëm. “Transmisioni” ka qenë tema e përzgjedhur që në shumë mënyra ka vënë në pah transicionin nëpër të cilin po kalon shoqëria. Se bota dhe çdo gjë po transformohet shumë shpejt.
E shpejtë ka qenë edhe rritja e Festivalit që nisi më 2001.
Organizatorët para gati dy dekadash nuk e paramendonin se “DokuFesti” do të arrinte të ishte një dritare e Kosovës me botën dhe anasjelltas. Gjithçka kishte nisur si një ide për t’i funksionalizuar kinematë e qytetit.
“Ideja ka qenë e vogël. Ambiciet kanë qenë po ashtu të vogla. Nuk kemi pasur ne as ide, as ndonjë vizion të bëjmë diçka që do të bëhej ajo që është bërë. ideja ka qenë e ndërlidhur me kinemanë ‘Lumbardhi’, që në atë kohë ishte jashtë funksionit. Ne e menduam një ngjarje, ta them troç: se nëse mblidhemi, bëjmë diçka, lëshojmë disa filma, ndoshta mos po funksionalizohet kinemaja. Ndoshta mos po ja nisin të shfaqen filmat. Ambiciet tona kanë përfunduar aty”, thotë drejtori artistik i Festivalit, Veton Nurkollari.
Por, vit pas viti, ngjarja po rritej me shpejtësi. Deri në masën që bota kulturore ta njohë Kosovën nëpërmjet “DokuFestit”. Ky festival ia ka dalë që ta fusë Kosovën në hartën botërore të ngjarjeve të rëndësishme kulturore.
"Është ndër 25 festivalet më të njohura sa i përket filmit dokumentar në botë për disa vjet me radhë. Në dy vjetët e fundit është i vetmi festival nga Evropa në listën e top 25 festivaleve më ‘cool’ në botë. Për ne është më shumë se një festival i filmit. Për qytetin e Prizrenit është ngjarja kryesore kulturore. Besoj që edhe për Kosovën është ndër ngjarjet më të mëdha kulturore", shton Nurkollari.
“Qyteti frymon me kinemanë. Kinemanë e shohim pak më shumë se vetëm argëtim. E shohim si mjet për ndryshimin e zemrave dhe të mendjeve të njerëzve që mund të çojë deri te ndryshimet shoqërore. Gjithmonë po flas për ndryshime pozitive”, deklaron Eroll Bilibani, udhëheqës i programit “DokuLab”.
Prizreni është mirëpritës i botës gjatë muajit gusht. Gjithçka merr tjetër ritëm. Pos kinemave unike nëpër disa pjesë të qytetit, trashëgimia kulturore është një tjetër atraksion për vizitorët. Kalaja, xhamitë, kishat, shtëpitë disashekullore e rrugicat krijojnë mozaikun e qytetit. Por për të dalë në pah krejt pasuria e qytetit dhe potenciali i tij, duhet një çelës. E ky është “DokuFesti”.
Impakti ekonomik i Festivalit shkon përtej pritshmërive. Sipas një studimi të Institutit GAP, në vitin 2015 Prizreni kishte arkëtuar mbi 4.7 milionë euro më shumë gjatë kohës së Festivalit.
Për shumëkënd, festivali me dhjetëra programet që ka i ka dhënë shpirt qytetit.
Ares Shporta, udhëheq me fonacionin “Lumbardhi”. Si i ri ishte vullnetar i “DokuFestit”. Nga perspektiva e tij, Festivali lidhi qytetin, por edhe Kosovën me botën.
“Definitivisht ‘DokuFesti’ na ka hapur dyert me botën dhe ka vendosur standarde të reja për atë se çfarë mund të bëjmë në Prizren. E ka shfaqur atë se përderisa je në gjendje të imagjinosh, ke vullnet dhe e ndjek atë ëndërr, secili send është i realizueshëm. Për mua si i ri edhe në kohën kur kam shkuar në studime jashtë vendit, ka qenë njëfarë motivi. Kam thënë se nëse në këtë qytet është bërë diçka si ‘DokuFesti’ dhe në këtë shtet është bërë diçka e tillë, aty mund të bëhet gjithçka. Ndoshta ka qenë ajo bindje që më së shumti më ka motivuar të kthehem në vendin tim”, deklaron Ares Shporta nga fondacioni “Lumbardhi”.
Ndër vite, Festivali ka pasur mysafirë të shumtë: aktorë, regjisorë, producentë e kuratorë programesh.
Regjisori Zhelimir Zhilnik, i cili në fund të viteve ‘60 u bë i njohur si njëri prej përfaqësuesve të Valës së Zezë Jugosllave në kinematografi, ishte një prej mysafirëve. I kanë bërë përshtypje organizimi dhe pjesëmarrja e të rinjve.
“Isha shumë i kënaqur kur pashë shumë njerëz të rinj, të cilët shohin filma, pastaj edhe kur e pashë programin e Festivalit më erdhi mirë, sepse nuk prisja që programi do të jetë kaq i pasur dhe me kaq shumë mysafirë. Kështu që është ndoshta i vogël, por shumë mirë i organizuar dhe me energji të re”, thotë regjisori Zhilnik.
Qysh në vitin 2010 ai kishte vlerësuar se filmat vendorë kishin hyrë në rrugë të suksesshme.
“Jam i ftuar në shumë festivale dhe shpesh ftohem të jem anëtar jurie dhe së këndejmi kam pasur rastin të shoh se çfarë vjen nga këtu. Natyrisht, ata janë filma që krejtësisht bëhen nga filmbërës të rinj, të cilët janë duke bërë 3, 5 apo 10 filmat e parë. Të gjithë filmat që i kam parë mund të them se janë mjaft interesant dhe kur isha anëtar jurie në ‘Zagreb Dox’ edhe patëm shpërblyer disa dokumentarë nga Kosova”, shton Zhilnik.
E “DokuFesti” tash i ka dhënë vetes detyrë që të nxisë kreativitetin te të rinjtë. Programet e Festivalit synojnë që të lidhin filmbërësit e rinj me botën. Eroll Bilibani është duke u kujdesur personalisht për këtë.
“Mendoj se nëse nuk investojmë sot te rinia, nëse nuk investojmë kur janë ata në shkollë të mesme, atëherë e ardhja jonë nuk do të jetë fort e ndritur. Nëse vazhdojmë të merremi kështu me veten, me investim në infrastrukturë, asfalti nuk do të na ushqejë pas 20 vjetëve. Edhe nëse e lëmë trurin të na ikë, siç po ndodh ku shumica e të rinjve nuk po shohin perspektivë këtu e po ikin jashtë dhe nuk po kthehen , atëherë nuk do t’i kemi punët mirë”, thotë udhëheqësi i programit “DokuLab”, Eroll Bilibani.
Por, sivjet pandemia ka bërë që organizimi i Festivalit të ndërrojë me themel. Për edicionin që përthekoi “Transmisionin”, stafi ka punuar nga zyrat e larg kinemave tradicionale. Kjo ka bërë që edhe ndikimi ekonomik të jetë më i vogël. Organizatorët shpresojnë që Festivali të kthehet në rrugën e vet.
Ideja fillestare e “DokuFestit” me atë që është sot, ka të përbashkët vetëm shfaqjen e filmave. Ngjarja ka tejkaluar pritjet. Duke u bazuar në këtë askush nuk mund të thotë saktë se si do të duket Festivali në të ardhmen.
“Ambiciet tona nuk janë shumë të mëdha, pasi kemi kuptuar që me ambicie të vogla e me hapa të vegjël mund të mbërrish më shumë sesa të kesh ambicie të mëdha menjëherë. Kosova nuk është ambient aq i shëndoshë për të pasur mundësi t’i shtysh përpara ambiciet e mëdha”, deklaron drejtori artistik i Festivalit, Nurkollari.
Por një gjë është e sigurt, festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” do të vazhdojë të jetë një dritare e kulturës kosovare me botën.