“Këta janë pishtarë, janë prodhuar në ndërmarrjen gjithëqytetare… këto ishin republikat dhe krahinat…”, ka thënë Bogdan Bërnoviq, ndërtues përmendoresh.
Pishtarët, si duar të shtrira drejt qiellit, janë pjesë e kompleksit memorial në Barutana, në afërsi të Podgoricës, të ndërtuar për nder të luftëtarëve të rrethit të Leshanit, të rënë në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore. Ata që kanë marrë pjesë në ndërtimin e tij, prej gur themelit deri në përfundim, i kujtojnë ato ditë.
“Kjo përmendore është punuar prej vitit 1976 deri më 1980, dhe është një ndërmarrje e madhe e leshnjanëve. Ajo përmendore është ndërtuar me mjete vullnetare”, thotë Milenko Vukçeviq, kryetar i “BL Barutana”.
“Kjo është shumë me rëndësi – se këtu është pajtuar rrethi i Leshanit, përkatësisht viti 1941 dhe viti 1945, nuk ka shtëpi leshnjane që nuk ka marrë pjesë këtu. Ky gur është sjellë i gjithi në baza vullnetare, rinia dhe muratorët kanë shkuar për ta zgjedhur këtë gur”, thotë Bërnoviq.
Në gur janë shkruar emrat e të gjithë atyre që kanë dhënë jetën për liri, ndërsa në mesin e tyre kishte shumë të rinj. Megjithatë, me dekada ky kompleks memorial ishte harruar. Këtë vit, në prag të 13 Korrikut, Ditës së Shtetësisë, ai është rinovuar me iniciativë të vendasve, me përkrahjen e shtetit.
“Unë isha tepër i kënaqur dhe shumë i gëzuar...”, thotë Vukçeviq.
“Ja, unë po them që kam pak a shumë aq vjet sa ka edhe përmendorja. Për fat të keq, ne si shoqëri nuk iu kemi kthyer sa duhet këtyre vlerave. Ky kompleks memorial ka rreth 30 vjet që ka rënë në harresë. Këta emra, ku janë madje tri gjenerata njerëzish që kanë dhënë jetën për liri, për shtet, për idenë e antifashizmit, për pajtimin përfundimtar, për inatin që thotë – nuk e dua të huajën, por timen nuk e jap, e ne aty e kemi bërë gabimin më të madh, i kemi harruar tanët dhe vlerat tona”, shprehet Predrag Kazhiq nga “Barutana”.
Pas shumë vjetësh harresë, është rinovuar edhe parku memorial i Kryengritjes dhe Revolucionit në Grahovë, në qendër të të cilit është kolona e partizanëve në lëvizje, të cilën e udhëheq heroi i popullit Sava Kovaçeviq, ndërsa nën të është pllaka përkujtimore në të cilën shkruan se më 13 korrik 1941 topi i parë ka krisur nga ky vend. Përndryshe, pushka e parë kryengritëse në Mal të Zi ka krisur atë ditë në Virpazar, ku është ngritur përmendorja për luftëtarët e rënë.
“Fakti që kemi më shumë se 600 përmendore, pllaka përkujtimore dhe buste memorialësh në hapësirën e Malit të Zi, dhe se nëpër ato vite turbulente të të ‘90-ave gati 99.99 për qind janë ruajtur, flet për atë që ideja e antifashizmit dhe kujtimi në antifashizmin edhe tutje është e fortë në Mal të Zi. Dhe jo vetëm kaq, por edhe shumica e rrugëve, shesheve, madje edhe shkollave e ndërmarrjeve i kanë ruajtur emrat që kanë pasur, e që i kanë marrë në kohën e pushtetit socialist. Ajo që e dallon Malin e Zi nga të gjitha republikat e tjera që janë krijuar me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë është që tek ne kurrë nuk ka ndodhur ai revizionizmi agresiv, joshkencor, më parë i bazuar në distancimin ideologjik nga socializmi, e me atë edhe prej themeleve të antifashizmit”, ka deklaruar historiani Milosh Vukanoviq.
Megjithatë, tensionet aktuale politike kanë sjellë deri tek ajo që para pak kohësh është thyer pllaka përkujtimore në Lazin e Rrafshët, në Piper, e ngritur pikërisht për nder të organizatorëve të Kryengritjes së 13 Korrikut. Pllakën përkujtimore e ka thyer një 18-vjeçar dhe ajo shpejt është rindërtuar.
“Kur e kam parë se si ishte thyer, si ishte copëtuar, më ra ndër mend ai mendimi i njohur i Balzakut që njeriu në dashuri ka kufij, por në urrejtje nuk ka”, thotë Slobodan Simoviq, kryetar i LSHLNÇ-së.
“Me vetë faktin që nuk kemi pasur përsëritje të incidenteve të tilla, mund të themi se megjithatë bëhej fjalë për një rast të izoluar. Por kjo nuk na liron nga përgjegjësia që të flasim për dy sfidat kyç të shoqërisë malazeze – kemi problem me krijimin e pamjes për vlerat e antifashizmit tek rinia e sotme malazeze. Ndërsa e dyta është që në Mal të Zi ekzistojnë faktorë relevantë dhe seriozë shoqërorë që e mohojnë trashëgiminë e antifashizmit”, ka thënë Vukanoviq.
Duke i shënuar përmendoret si dëshmi të një kohe, por edhe si tregues të gjendjes në shtet, në Lidhjen e Veteranëve të LNÇ-së thonë se edhe përmendorja e luftëtarit partizan në Goricë, Podgoricë, që është ngritur më 13 korrik 1957, e në të cilën janë varrosur 97 heronj të popullit, duhet të përpunohet.
“Në kuptimin që këtu të vendoset një rojë e përhershme dhe të ndizet një zjarr i përhershëm, u mor iniciativa që kjo përmendore në atë mënyrë të monumentalizohet. Ne nga Shoqata e Luftëtarëve dhe Antifashistëve në këtë kuptim kemi propozuar, iniciuar, ka pasur premtime nga pushteti, por deri tash ato mbetën vetëm premtime”, ka shtuar Simoviq.
Edhe Përmendorja e Lirisë në Jasikovc, në Berane, vepër e arkitektit të njohur Bogdan Bogdanoviq, që është simbol i luftës për çlirim, autoritetet përpiqen ta ruajnë nga shkatërrimi.
“Është ndërtuar më 1972 pikërisht në atë vend ku më 1941 okupatorët gjermanë i pushkatuan nëntë atdhetarë nga Berane. E lartë 18 metra, ka një dukje shumë specifike, i ngjan fishekut të plumbit, ndërsa është e rrethuar me 40 blloqe nga graniti, në të cilët me më shumë se 10 mijë shkronja është shkruar historia e Polimjes. Ka nevojë për mjaft investime që përmendorja të ruhet nga shkatërrimi, andaj dhe më 2015 ekipi i Muzeut të Polimit i ka ndërmarrë masat për konservim në pjesën e ngushtë të kompleksit dhe në vetë përmendoren. Ekzistojnë disa intenca dhe dëshira nga qytetarët në Berane që Jasikovci të shndërrohet në qendër të jetës kulturore të Beranes, andaj edhe vitet e fundit çdo verë këtu organizohen disa manifestime kulturore dhe koncerte”, thotë dokumentaristi Radule Nenadoviq.
Derisa disa përmendore rinovohen e disa të tjera presin që përmes manifestimeve të ndryshme kulturore dhe turistike përkujtojnë dhe tërheqin vërejtjen për rëndësinë dhe vlerësimin e idesë së përhershme të antifashizmit, kohët e fundit janë ngritur edhe disa të reja. Para dy vjetësh në Nikshiq është ngritur përmendorja e heroit Çedomir Luba Çupiq, i quajtur Hero në korzo. Çe Gevara malazias, siç është i njohur në popull Luba, ka kaluar nëpër atë korzo për herë të fundit i prangosur, rrugës për në pushkatim, pasi që nga fundi i prillit 1942 ra në duart e çetnikëve, të cilët e dënuan me vdekje. Kur është nxjerrë nga gjykatorja, është shkrepur fotografia e cila e ka përshkuar botën – ndërsa buzëqeshjen e tij të rezistencës dhe guximit, si simbol i lirisë dhe antifashizmit, e ka bartur në këngë kantautori më i njohur malazias, Miladin Shobiq.
“Kjo është ajo buzëqeshja që rrezaton me lumturi, besim në të nesërmen më të mirë, më të ngrohtë. Dëgjoj të thotë – liria është në horizont, unë e ndiej dhe ajo do të jetë”
Po ashtu para dy vjetësh në Podgoricë, Titogradi i dikurshëm, është zbuluar përmendorja e kryetarit të përjetshëm të RSFJ-së, Josip Broz Tito.
“Por nëse flasim konkretisht për këtë përmendore e që ka shkaktuar kundërthënie të caktuara te publiku malazias, para së gjithash, nëse pushteti aktual përkatësisht pushteti i deritanishëm, që madje edhe në emrin e vet e bart emërtimin socialist, ka të drejtë t’i ngrijë përmendore njeriut prej politikës së të cilit me kohë është larguar aq shumë, para së gjithash në planin ekonomik dhe social. Natyrisht, ka baza për të kritikuar pushtetin e deritanishëm për ngritje të përmendores, por nëse flasim për atë nëse Tito e ka merituar një përmendore në Podgoricë, ish-Titograd, përgjigjja është – absolutisht po”, thotë historiani Vukanoviq.
Megjithatë, kujdesi i vazhdueshëm për trashëgiminë kulturore memorial, por edhe bartja më adekuate e njohurive tek të rinjtë për vlerat e antifashizmit, janë çelësi për ruajtjen e tyre. Milosh Vukanoviq konsideron që problemi qëndron në të dhënat nga hulumtimi i paradokohshëm i OJQ-së “Qendra për Arsimimin Qytetar”, sipas së cilit rreth 50 për qind të studentëve nuk e kanë ditur pse festohet 13 Korriku, ndërsa më pak se gjysma kanë ditur t’i numërojnë më shumë se tre heronj popullorë nga Mali i Zi.
“Thjesht, ata në shkolla nuk e mësojnë ndërlidhjen mes asaj trashëgimie kulturore që e shohin nëpër rrugë dhe sheshe dhe asaj që është në librat shkollorë. Gjeneratat e reja shumë më parë do të njohin disa simbole të fashizmit dhe nazizmit, sikur Musolini apo Hitleri, dhe jo simbolet e antifashizmit ndërkombëtar, sikur Ruzvelti apo Çerçilli”, shprehet Vukanoviq.
Ndërsa ekspertët thonë se përpiqen që bashkësive lokale vetëqeverisëse t’ua imponojnë idenë që të mirat kulturore dhe trashëgiminë memorial ta ruajnë më mirë.
“Kujdesi i vazhdueshëm dhe mirëmbajtja janë mbrojtja më e rëndësishme, posaçërisht për komplekse të tilla memorialë, të mëdha. Kur ne vijmë në terren dhe e shohim situatën siç e kemi gjetur në Grahovë dhe Barutanë – kjo veç është gjendje alarmante”, ka shtuar Vanja Boshkoviq nga Qendra për Arkeologji dhe Konservim.
Nga LSHLNÇ bëjnë thirrje që gjeneratat e reja më mirë të dëgjojnë mesazhet që vijnë nga përmendoret dhe e citojnë një.
“Që diellin ta kthejmë, ne kemi rënë, mos të na jetë i kotë ky gjumë, dhe jetët tona i kemi dhënë që botës një ditë më e mirë t’i lindë”, tha Simoviq nga LSHLNÇ-së.
"Via Balcanica" - LIVE"Via Balcanica" - LIVE
Posted by Koha.net on Sunday, September 27, 2020