Via Balcanica

Mali i Zi: Vera me virus

Kristina Mihailoviq jeton në Podgoricë. Ajo punon si drejtoreshë në shoqatën “Prindërit”. Maskën, bartja e të cilës në Mal të Zi është obligative edhe në hapësira të mbyllura edhe në ato të hapura, shpeshherë e harron.

“Assesi të mësohem me të dhe që duhet ta bartë vazhdimisht, dhe, edhe pse unë, natyrisht, e bart, shumë shpesh ndodhë që të harroj ta vendos në mëngjes, por duhet respektuar obligimet, të vihet deri në punë, dhe këtu, meqë hapësira është më e madhe, e ne jemi më pak maskat nuk i bartim përveç kur kemi ndonjë mysafir”, thotë Mihailoviq.

Pronari i njërit prej restoranteve më të mëdha në Budvë, Krsto Niklanoviq, nuk ka besuar se kaq gjatë do të jetojmë me koronavirus.

“Të punosh në këto kushte kur unë kam frikë prej kamarierëve, e kamarierët kanë frikë prej meje, atëherë vjen mysafiri i cili ka frikë prej kamarierit dhe kamarierët prej tij, ky është një zinxhir, të cilin e kemi mësuar, por kjo edhe nuk është ngarkesë aq e madhe, por ngarkesë është fakti që situata tani së paku tek unë po ndryshon shumë ngadalë, ndërsa unë jam mësuar të jem në mesin e mysafirëve, të flas me ta”, ka thënë Niklanoviq.

Sipas shënimeve të Institutit për Shëndet Publik, më 7 shtator kishim vetëm 1268 raste aktive, ndërsa nga fillimi i qershorit 100 të vdekur. Kundër koronës për çdo ditë lufton epidemiologu Milko Joksimoviq.

“Nga fundi i shkurtit deri më sot jemi në gjendje konstante gatishmërie, çdo tri javë kam javën e kujdestarisë, kur jam kujdestar kjo është punë prej 16 deri në 18 orë në ditë, pa e tepruar, tekstualisht është ashtu, ka kohë veç për një sy gjumë, dhe kaq, që do të thotë se gjithë atë kohë jeni të ndarë nga familja dhe për ta jeni të papërdorshëm dhe të paarritshëm. Nëse ju them se si njeri familjar kam vajzën prej dy vjet e gjysmë, ndërsa nga muaji mars janë mbyllur kopshtet, menjëherë e keni të qartë se sa vështirë është të organizohet kjo”, ka thënë Milko Joksimoviq, epidemiolog.

Kristina Mihailoviq është nënë e katër fëmijëve. Tre shkojnë në shkollë fillore, ndërsa djali më i madh shkon në të mesmen. Të gjithë ata duhet përcjellë dhe çuar prej shtëpisë në mësim, dhe kur shkolla nuk punonte, përveç online, nuk ishte lehtë. Viti i ri shkollor nuk ka filluar më 1 shtator, por do të duhej të niste më 1 tetor.

“Sa i përket mësimit online, sinqerisht mendoj se ka qenë një opsion i mirë vetëm për një kohë të shkurtër, ka qenë fundi i vitit shkollor, shumë prej punëve janë kryer. Por që viti i ri shkollor të nisë me atë dhe që ashtu të funksionojë, nuk jam e sigurt se mund t’i pëlqejë dikujt, vetë organizimi si do të duket, kjo është një pikëpyetje… ne duhet të jemi shumë më shumë të kyçur sesa zakonisht, sa vërtet mund t’i ndihmojmë fëmijët, unë konkretisht, në disa lëndë nuk jam kurrfarë përkrahje, fizikën e njoh dobët, matematikën edhe më dobët… të gjitha bashkë, mendoj se e tëra ka ndikim negativ në familje”, thotë Mihailoviq e OJQ “Prindërit”.

“Si epidemiolog lirisht mund të them se sapo të hapen shkollat dhe fëmijët të nisin të përzihen mes vete, sigurisht se do të vijë deri te sëmurja dhe përhapja e virusit, në çfarë mase, do ta shohim. Por, nga ana tjetër, edhe si mjek edhe si prind duhet të mendoj për atë që fëmijët thjesht duhet të shkojnë në shkollë… Shumë vështirë është aty të gjendet balanca”, thotë epidemiologu Joksimoviq.

Për shkak të balancës mes shëndetit dhe ekonomisë, nën goditjen e koronës ka pësuar këtë verë edhe turizmi malazias. Dëmin më të madh e kanë vuajtur pronarët e dhomave dhe apartamenteve, qiramarrësit e plazheve, si dhe pronarët e kafeneve dhe restoranteve. Ndërsa, të gjithë ishin të përgatitur për një bum, për sezonin më të mirë në histori. Tani ata duhet të shpëtojnë veten nga shkatërrimi.

“Shumë me rëndësi është të bëhet një plan se si ta ruajmë firmën dhe bërthamën e firmës, si t’i ruajmë punëtorët… jam ulur me ta dhe kam thënë “çka mendoni ju, a pajtoheni ju që të bëjmë një linjë pagash, që askush të mos marrë më shumë”… të gjithë janë pajtuar, këtë kulaç të vogël duhet ta ndajmë me të gjithë njëjtë, unë nuk kërkoj kurrfarë fitimi, fitimi im më i madh sivjet është nëse i ruaj firmën dhe punëtorët që i kam”, thotë Niklanoviq, pronari i restorantit në Budvë.

Puna shkon ndryshe në OJQ-në “Prindërit”.

“Menjëherë kemi organizuar punëtoritë online, dhe në atë mënyrë jemi përpjekur që të zëvendësojmë përmbajtjen edukative për fëmijët, aty është edhe Shërbimi Social i Shoqatës në kuadër të të cilit kemi ndihmuar familjet që janë raste sociale në pjesën e arsimimit, shpejt kemi arritur që atë shërbim ta përshtatim me situatën, kemi nisur mësonjëtoren online”, thotë Katarina Çarapi e OJQ “Prindërit”.

Kristina thotë se situata epidemiologjike, megjithatë, ka ndikuar te fëmijët.

“Sa u përket fëmijëve të mi, diçka vërehet – se qëndrojnë më shumë në aparate, ata kalojnë më shumë kohë jashtë, kanë para ndërtesës mjaft shoqëri, por një kohë të rëndësishme janë me tablete, kompjuterë dhe telefona në duar… Prej se ishte pushimi veror disi kanë vazhduar me atë temp, shumë vështirë t’i kthejmë në periudhën kur kjo përdoret një orë-dy”, thotë Mihailoviq e “OJQ Prindërit”.

Krsto Niklanoviq thekson se nuk është prej atyre turbo-biznesmenëve, për të cilët paraja është në vendin e parë, porse shton që rënia e punës e kërcënon atë më të rëndësishmen – ekzistencën.

“Për fat të keq, asgjë nuk varet prej nesh. Ndërsa, shifrat janë aty, rreth 90% më keq se vitin e kaluar”, thotë Niklanoviq.

Këtu, në Budvë, në metropolin e turizmit malazias, thonë se duhet më shumë të pyeten njerëzit nga turizmi. Jo burokratët partiakë, por ata që marrin vendime të cilët do të diskutojnë me ekonomistët edhe në kohë të rregullta edhe në situata të krizës. Që ekonomia ta diktojë politikën, dhe jo politika ekonominë. Sepse, do të jetë vështirë të kthehemi në rrugën e vjetër të suksesit turistik.

“Që ne të kthehemi në vitin e kaluar, do të na duhen, sipas një vlerësimi që kam unë, shpresoj që e kam gabim, dashtë Zoti që ta kem gabim, por neve do të na duhen 4-5 vjet, dhe kjo do duruar”, thotë Niklanoviq.

Lufta për prosperitetin ekonomik dhe standardin jetësor është edhe luftë për shëndetin e qytetarëve. Mjekët thonë se nuk ekzistojnë zgjidhje të menjëhershme, dhe as nuk ka shkop magjik, ndërsa situata me virusin vazhdimisht ndryshon, ditët e fundit komplikohej në mënyrë dramatike. Përkundër faktit që Mali i Zi deri para një muaji kishte një sistem shumë restriktiv të hyrjeve në vend.

“Ndoshta ka qenë mirë nëse do t’i kishim lejuar të gjitha vendet me teste apo nëse nuk do ta kishim lejuar askënd, apo nëse do t’i kishim lejuar të gjithë, siç thonë, pas betejës secili është gjeneral, gjithmonë mund të flitet ashtu, dhe a do ta dimë dikur, pas disa vitesh, kur e bëjmë analizën se kush çka ka punuar, a do ta dimë se cilat kanë qenë modelet më të mira, mbase do ta duam, dhe gjithmonë mund të pyesni çka nëse do të kisha vepruar ndryshe”, deklaron epidemiologi Joksimoviq.

Kristina, si prind i katër fëmijëve, vëren se si kriza me koronën ka theksuar mangësitë e ekonomisë malaziase: mbështetje të tepruar në turizmin, bujqësinë e dobët dhe një industri gati joekzistente.

“Mendoj se mbetet t’i shohim problemet që na presin sa i përket ekonomisë, sa u përket familjeve problemet tashmë janë të mëdha, një numër domethënës i familjeve i ka ndier efektet negative, kanë mbetur njerëz pa punë, pagat u janë zvogëluar disave… Nuk është e njëjtë të mendohet për familjen, për atë se si do të funksionojmë pas disa muajve, çfarë do të na sjellë viti i ri, a do të ketë probleme të cilat i imponon korona, dhe ja, çdo ditë del diçka e re”, deklaron Mihailoviq.

Vala e parë e virusit korona ka zgjatur prej 17 marsit deri më 2 qershor, ndërsa e dyta po zgjat prej 14 qershorit, pa ndonjë perspektivë që të ndalet në një kohë të afërt. Është e kundërta, pas fushatës zgjedhore, zgjedhjeve të 30 gushtit, tubimeve të ndryshme të palejuara dhe shumë masive, të cilat organet kompetente nuk i kanë parandaluar, sepse shpesh nuk janë udhëhequr nga interesi publik, Mali i Zi prej një destinacioni pa virus korona, verën e shkuar u shndërrua në një vend që në rajon po shënon numrin më të madh të të infektuarve krahasuar me numrin e banorëve që ka. Dhe e gjithë kjo pa një sezon turistik dhe përkundër disa përparësive.

“Përgjithësisht, me numrin e banorëve jeni vendi më i vogël në rajon, dhe kjo i ka disa përparësi të caktuara nga aspekti epidemiologjik, gjë që e kemi demonstruar verën e kaluar, kur praktikisht për një javë e kemi ndalur pandeminë, tekstualisht jemi liruar nga virusi korona, që do të thotë se kur një vend kaq të vogël e mbyllni, plus mendoj që kemi rrjetin më së miri të zhvilluar të epidemiologëve nëpër qytetet tona, krahasuar me të gjitha vendet e rajonit”, thotë epidemiologu Joksimoviq.

Edhe pse për fat të keq këto përparësi nuk kemi arritur t’i shfrytëzojmë, bukuritë natyrore të Malit të Zi i kemi njohur, ndërsa disa i janë kthyer bujqësisë nëpër fshatra.

“Nga përvoja ime personale, kjo është rruga e duhur, jo vetëm për arsyen se e di çka po ha, por edhe për shkak se kjo është kohë që konsideroj se e kaloj në mënyrë kualitative me familjen dhe që i jam kthyer natyrës më shumë se kurdoherë më parë”, ka thënë Mihailoviq.

Për pronarin e restorantit nga Budva, Krsto Niklanoviq, kriza e koronës është e rëndë edhe për shkak se një pjesë të familjes e ka në Austri. Ai është i çiltër, ka qejf të bëjë shaka, dhe tash thotë se këtë shpesh e bën prej zorit.

“I kam thënë bashkëshortes të cilën nuk e kam parë prej 20 dhjetorit, as atë as vajzën – “Shumë mirë kështu, nuk po ngatërrohemi”… Kur nisem në shtëpi, zhveshi gjithçka që kam, këto që i kam në trup shkojnë në makinë, edhe të lavdërohem pak se jam mësuar si aktivizohet makina për larje rrobash”, thotë ai.

Nga këndi i mjekut, edhe më tej është vështirë të parashihet çka do.

“Sa gjatë do t’i bartim maskat, nëse do të duhej të prognozoj, më duket e pritshme, atje diku nga pranvera apo, qe, të shohim a do ta kemi vaksinën e mirë”, ka shtuar epidemiologu Joksimoviq.

Korona ka lënë shenjë në gjithçka, për atë edhe është me rëndësi të ruhen qetësia dhe shëndeti mendor.

“Duhet të jemi të durueshëm, kjo është që është, haha, që thuhet, duhet me u përshtat”, deklaroi Mihailoviq e OJQ “Prindërit”.

Në tri dekadat e kaluara kemi pasur kriza të ndryshme: sanksionet, luftërat, varfërinë. Do ta tejkalojmë, besojmë, edhe epideminë.

“Duhet të mendojmë për të ardhmen, edhe kjo do të quhet e djeshme, do të kalojë”, ka shtuar Niklanoviq.