Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Zhdehja nga autoritarizmi

Veshtrim

Ideja e reformimit rrënjësor të qeverisjes demokratike në përgjigje të ankesave konservatore tenton të shkaktojë rezistencë dhe jo vetëm në Poloni. Në SHBA progresistët i frikësohen një konvente të re kushtetuese. Por, nëse nuk u japim arsye bashkatdhetarëve tanë konservatorë për të mbështetur rendin demokratik, vendet tona do të mbeten të paqëndrueshme. Këtu dhe atje mobilizimi progresiv mund të ketë sukses në ndalimin e rrëshqitjes demokratike

Varshavë – Zgjedhjet presidenciale të këtij muaji në Turqi, të pasuara nga zgjedhjet parlamentare të tetorit në Poloni, mund të vazhdojnë një trend që filloi në vitin 2020 me fitoren e Joe Bidenit ndaj Donald Trumpit në Shtetet e Bashkuara dhe vazhdoi vitin e kaluar me triumfin e Luiz Inácio Lula da Silvas ndaj Jair Bolsonaros në Brazil. Të dyja zgjedhjet dhanë një ndjenjë të fuqishme se batica po kthehej kundër autoritarëve populistë.

Për forcat demokratike megjithatë suksesi zgjedhor është vetëm hapi i parë. Në fund të fundit, puna e vështirë e rindërtimit institucional fillon vetëm kur rrëzohet një qeveri autoritare.

Por, si mund të kenë sukses ata që drejtojnë atë proces, kur forcat kryesore politike refuzojnë të pranojnë bazat e një sistemi zgjedhor konkurrues? Ky është një territor kryesisht i paeksploruar. “Vala e tretë” e fundit e shekullit të njëzetë e demokratizimit përbëhej pothuajse ekskluzivisht nga ato që ne mund t’i quajmë tranzicione “bashkëpunuese”. Pavarësisht nëse forcat politike që qëndronin pas regjimit në rënie negociuan tranzicionin ose u rrëzuan nga pushteti, u pajtuan me - dhe ndonjëherë edhe mbështetën - një rend të ri demokratik.

Në Poloni, për shembull, gjenerali Wojciech Jaruzelski, udhëheqësi de fakto i Republikës Popullore Polake, pranoi rolin e presidentit në vitin 1989, si pjesë e një marrëveshjeje me Lëvizjen Solidarnosti. Në Kili gjenerali Augusto Pinochet zuri një vend të përjetshëm në senat pasi dha dorëheqjen në vitin 1990. Nga mesi i asaj dekade ish-figurat komuniste po fitonin zgjedhjet e lira dhe të ndershme në vendet e Evropës Qendrore – dhe po pranonin rezultatin kur humbën.

Fatkeqësisht autokratë modernë si Trump dhe Bolsonaro i janë përmbajtur një modeli shumë të ndryshëm, “jo bashkëpunues”. Teksa të dy përfundimisht e dorëzuan pushtetin, as ata dhe as mbështetësit e tyre nuk kanë hequr dorë nga qëllimi për të rrënjosur sundimin autoritar.

Edhe Dy ditët që zbehën aurën e pushtetit absolut të Trumpit Botë 8 muaj më parë Dy ditët që zbehën aurën e pushtetit absolut të Trumpit

Gati tre vjet pas humbjes vendimtare elektorale të Trumpit, shumë nga mbështetësit e tij ende këmbëngulin se zgjedhjet “u vodhën”. Trump, kryesuesi për t’i fituar zgjedhjet presidenciale të Partisë Republikane, duke vendosur një revansh me Bidenin vitin e ardhshëm, është zotuar të spastrojë “forcat demone” nga institucionet demokratike të SHBA-së. “Ose kapja e shtetit do ta shkatërrojë Amerikën, ose ne do ta shkatërrojmë kapjen”, ka deklaruar ai para një turme adhuruesish muajin e kaluar në një tubim në Waco, Teksas.

Shtetet e Bashkuara nuk janë vetëm. Përplasja e ardhshme midis partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS) në pushtet të Polonisë dhe forcave opozitare liberale do të jetë e treta që nga viti 2007. E para përfundoi në favor të opozitës, pasi qeveria e PiS-it u rrëzua për shkak të grindjeve të brendshme.

Koalicioni fitimtar, i udhëhequr nga Donald Tusku (i cili do të bëhej president i Këshillit Evropian), më pas u përball me një dilemë: të kërkonte ndëshkimin e keqpërdorimeve të PiS-it, siç është abuzimi i dokumentuar mirë i pushtetit nga ministri famëkeq i Drejtësisë i PiS-it, Zbigniew Ziobro, ose të zgjidhte një qasje të butë në interes të harmonisë politike. Administrata e Tuskut zgjodhi opsionin e fundit dhe udhëheqësit e PiS-it nuk u mbajtën kurrë përgjegjës.

Kjo i mundësoi PiS-it t’i përkushtohej kultivimit të një lëvizjeje të fuqishme bazë, thellësisht armiqësore ndaj rendit demokratik. Ashtu si Trump, PiS-i mobilizoi mbështetësit e tij rreth një “Gënjeshtre të madhe”, por jo për manipulimin e zgjedhjeve. Në vend të kësaj, PiS-i ka pretenduar se rrëzimi i avionit që vrau ish-udhëheqësin e PiS-it, Lech Kaczyński, në vitin 2010, nuk ishte aksident, por një vrasje e orkestruar nga presidenti rus, Vladimir Putin, Tusk, ose të dyja.

Detajet e Gënjeshtrës së Madhe të PiS-it – përsëri, si ajo trumpiane – ndryshojnë vazhdimisht. Por çështja nuk është të bindësh njerëzit, më së paku skeptikët. Përsëritja e çdo varianti të historisë është një akt performues, që synon të gërryejë legjitimitetin e kundërshtarëve liberalë dhe institucioneve demokratike. Dhe plani funksionoi: teoria e konspiracionit rreth rrëzimit u bë një element kryesor i bllokut të votimit që e solli PiS-in përsëri në pushtet në vitin 2015. Duke mos u përballur me asnjë përgjegjësi për qëndrimin e tyre të parë në pushtet, PiS-i riemëroi Ziobron si ministër të Drejtësisë.

Edhe Opinion 2 muaj më parë Putini duhet të sfidohet për ta rikthyer demokracinë lokale në Rusi

Tusku zotohet të mbajë një qëndrim më të ashpër nëse opozita fiton në tetor – një luftë e vështirë, duke pasur parasysh fushën e pabarabartë të lojës që ka krijuar PiS-i. Në një referencë lozonjare ndaj programit 500+ të PiS-it – i cili siguronte transferta parash për prindërit – Tusk u premton të ndjekë të ashtuquajturin program Cell+, që synon të pastrojë politikën polake nga ata që kanë mashtruar ose vjedhur nga publiku.

Është e lehtë të kuptohet pse Tusku do të mbështeste një qasje të tillë. Kjo është pikërisht arsyeja pse Tusk mori një linjë më të butë herën e kaluar.

Për shkak se tranzicionet jobashkëpunuese i lënë demokratët pa alternativa të mira, nevojitet një rrugë alternative. Në Poloni ne mbrojmë një reformë të thellë politike, bazuar në parimin e ndarjes së pushtetit midis forcave progresive dhe konservatore. Nisma jopartiake që bashkëthemeluam, duke përfshirë më shumë se 100 intelektualë polakë nga i gjithë spektri politik, ka nxjerrë tani një propozim të detajuar për të udhëhequr përpjekje të tilla.

Larg nga t’u japë progresistëve gjithçka që ata duan, propozimi synon t’u ofrojë të gjithëve, përfshirë konservatorët që aktualisht e shohin populizmin autoritar si rrugën e tyre të vetme drejt ndikimit politik, një aksion në të ardhmen e Polonisë. Mbetet të shihet se si do të përgjigjet PiS-i dhe opozita demokratike.

Edhe Kolumne 3 muaj më parë Rreziku i “Paradoksit polak”

Ideja e reformimit rrënjësor të qeverisjes demokratike si kundërpërgjigje ndaj ankesave konservatore tenton të shkaktojë rezistencë dhe jo vetëm në Poloni. Në SHBA progresistët i frikësohen një konvente të re kushtetuese. Por, nëse nuk u japim arsye bashkatdhetarëve tanë konservatorë për të mbështetur rendin demokratik, vendet tona do të mbeten të paqëndrueshme. Këtu dhe atje mobilizimi progresiv mund të ketë sukses në ndalimin e rrëshqitjes demokratike. Por, në planin afatgjatë, demokracitë e forta do të kërkojnë gjithmonë mbështetje të përkushtuar dhe të shumicës nga votuesit dhe partitë në të gjithë spektrin politik.

(Maciej Kisilowski është profesor i asociuar i drejtësisë dhe menaxhimit publik në Universitetin e Evropës Qendrore. Anna Wojciuk është profesoreshë e asociuar e shkencave politike në Universitetin e Varshavës. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).