Erzdral Babaqi e kishte ftuar Nasin dhe të dashurën e tij, e cila gjithashtu është edhe producente e atyre emisioneve të shkurtra “Nas Daily” në emisionin e tij XING me Erzdralin. Gjatë rrjedhës së emisionit vjen edhe momenti kur Erzdrali e bën pyetjen e tij pa shije dhe në atë moment zbardhet gjithçka.
E mërkurë, 7.11.2018
Nganjëherë më vjen ashtu që vetëm të flas vetë me vete me Ditarin tim. Mos të lexoj kabllograme fare. Janë shumë të parashikueshme e i tillë po bëhet edhe Ditari im.
Këtë javë vendosa që të mos merrem hiç me kabllogramet diplomatike. Aktivitetin tim diplomatik do ta bëj freestyle pa u ndikuar nga ngjarjet në vend dhe në botë.
Do të merrem me tema dhe ngjarje, të cilat ndodhën tërthorazi.
Sa i bukur ishte Facebooku javëve të fundit me të gjitha postimet e “Nas Daily”, i cili po qëndronte në Shqipëri dhe në stilin e tij të videove njëminutëshe po e prezantonte Shqipërinë në mënyrën më të bukur të mundshme. Ai përçonte mesazhet më të sinqerta dhe po kryente punë lobimi për bukuritë dhe traditat shqiptare, në një kohë kur diplomacia jonë është në defensivë. Nasi foli për peshën e fjalës me shkronjën “B”- “Besën e Shqiptarit” dhe sa e vlefshme është fjala e dhënë ndër shqiptarë. (Si duket Nasi ka mundësi të udhëtimit edhe ndër kohë, sepse nuk jam i sigurt se sa qëndron kjo thënie tashmë). Nasi shpjegoi se si shqiptarët i kishin shpëtuar edhe jahuditë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Së paku nga politikanët tanë e kemi parë se “Besa” është një gjë e devalvuar dhe vetëm një mit që ndoshta dikur të parët tanë mund ta kenë aplikuar.
Sa herë ata e kërkojnë votën e qytetarit të ndershëm, ata betohen dhe premtojnë se do të punojnë për mirëqenien e tyre dhe në fakt ashtu po del, ata me të vërtetë po punojnë për mirëqenien e tyre vetjake, por jo të qytetarëve. Sovrani duhet t’i dëgjojë më me kujdes premtimet dhe zotimet e atyre të cilët ua kërkojnë votën.
Nasi më tutje vazhdonte ta portretizonte shoqërinë shqiptare si një shoqëri shumë tolerante. Ai përmendi se toleranca fetare është ajo gjë që e dallon shoqërinë shqiptare dhe e veçon nga secili komb tjetër, pasi që e vendos kombin para religjionit.
Mos e nënçmoni forcën të cilën Nas e ka në rrjetet sociale, ku atë e përcjellin më shumë se 10 milionë njerëz.
Erzdral Babaqi e kishte ftuar Nasin dhe të dashurën e tij, e cila gjithashtu është edhe producente e atyre emisioneve të shkurtra “Nas Daily” në emisionin e tij XING me Erzdralin. Gjatë rrjedhës së emisionit vjen edhe momenti kur Erzdrali e bën pyetjen e tij pa shije dhe në atë moment zbardhet gjithçka. Ai e pyet Nasin: “a i bën ti këto emisione në mënyrë që të takohesh me femra të reja”? Si duket Erzdrali është nisur nga përvoja e vet dhe mendon se gjithçka në botë funksionon ashtu. Momentin që mysafirëve në studio iu përkthye pyetja e Erzdralit në kufjet të cilat ata i mbanin në vesh, e dashura e Nasit u shqetësua shumë dhe reagimi i saj ishte imediat. Ajo i tha se nuk ishte e drejtë mënyra se si ajo po nënçmohej ashtu në emision, duke ia pritur më pas me atë se “ju shqiptarët njiheni që jeni shoqëri që e trajtoni femrën vetëm si objekt, si objekt seksual madje, të gjithë e dimë atë gjë, shtoi ajo, dhe pyetja jote dhe sjelljet e tua e vërtetuan këtë gjë”- iu përgjigj ajo, përderisa edhe po qante në të njëjtën kohë.
Erzdrali duke e kuptuar se përballë nuk kishte një “VIP plastike me mendje elastike” disi mundohej të nxirrej nga ajo situatë në të cilën e kishte vënë veten, mirëpo për situata të tilla ne pellazgët e kemi shprehjen e duhur “mundohej me la tum me rrushpë”.
Kështu nga një pyetje kot e Erzdral Babaqit na i nxori të këqijat prej të cilave Nasi së paku na kishte kursyer në videot e tija promocionale për Shqipërinë dhe traditat shqiptare. Nga përgjigjja e saj ndaj Erzdralit la të kuptojë midis rreshtash se ajo ishte shumë e vetëdijshme për një shoqëri skajshmërisht seksiste dhe ia hodhi atë fytyrës edhe Erzdralit, edhe të gjithë neve të tjerëve që e shikojmë emisionin e tij XING me Erzdralin.
Sa me të vërtetë vlejnë tash ato videot promocionale ku na lavdëron Nas? E lë secilin nga ju që vetë ashtu të reflektoni dhe ta analizoni këtë situatë, dhe realitetin tonë të cilin ne vetë e kemi krijuar, mirëpo vazhdojmë të jetojmë në flluskë sapuni me selfiet e përditshme dhe jetën e begatshme, dhe lumturinë e cila na rrethon.
***
Duke jetuar në Angli nuk kam se si të mos merrem e të preokupohem me temën e Brexitit dhe atë se s’ka njeri, i cili e di se çka në të vërtetë është duke ndodhur dhe se çka do të ndodhë në të ardhmen. Politikanët si politikanë gënjejnë, shtrembërojnë gjëra, nuk janë të sinqertë. Si këta në Britaninë e Madhe, njëjtë edhe ata të Bashkimit Evropian. Votimi i daljes nga BE-ja tani nga anëtarët e BE-së është bërë sikur të dëshirojnë ta largojnë dikë që e ka mortajën e shekullit 15. S’ka respekt, bashkëpunimi shumëvjeçar thuajse nuk ka ndodhur, vota e lirë edhe pse me dallim të vogël në përqindje ishte që Britania e Madhe të largohej nga BE-ja, dhe këtu secili politikan që ka timonin duhet ta jetësojë atë zgjedhje demokratike që sovrani e kishte bërë. BE-ja sillet thuajse nuk mërzitet për votën e sovranit dhe kjo për mua është për t’u brengosur.
Mirëpo, unë dëshiroj që si diplomat t’i tërheq disa paralele. BE-së momentalisht i janë bërë dy vende me mortajë. Britania e Madhe në njërën anë, dhe Kosova në tjetrën. Jo assesi nuk e krahasoj Kosovën me Britaninë, sepse janë të pakrahasueshme, por sjelljet e BE-së ndaj tyre kanë pika ku gjen ngjashmëri. Pika ku është ngjashmëria më e madhe është se BE-ja nuk po tregon respekt për popullin dhe votuesit e atij vendi qoftë të Britanisë së Madhe, qoftë të Kosovës. Kosovës i premton se po që se bëhet demarkacioni (të cilin në fakt vetë udhëheqësit tanë e kishin kërkuar të jetë pjesë e plotësimit të kushteve për liberalizimin e vizave) do të jepet lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës. Gjithashtu, kusht mbetet luftimi i korrupsionit e ku si për pasojë prapë dënohen qytetarët e thjeshtë për mosliberalizimin e vizave. Kështu e njëjta ndodh edhe me Britaninë e Madhe, BE-ja kërcënohet me konsekuenca të ndryshme e ku për pasojë do të pësojë vetë populli e jo politikanët si të tillë.
Po Kosova është e kapluar nga korrupsioni dhe kjo është detyrë e jona e shtëpisë, me të cilën herë do kur të na duhet që të ballafaqohemi, dhe këtë jo pse BE-ja po na e kërkon, por sepse na e kërkon obligimi ndaj pasardhësve të cilëve fatkeqësisht nuk jemi duke u lënë asgjë në trashëgimi me qasjen të cilën e kemi. Krekosja e politikanëve kosovarë se Evropa na ka bërë të padrejtë, nuk i ka përmbushur premtimet, qenka raciste, duhet të ndëshkohet nga populli, pikësëpari dhe kurrë më ata të mos i lejojë që të mbajnë ndonjë post publik e aq më pak që të merren me politikën kosovare. Shëndetësia e cila mund të quhet gjithçka përveç jo ashtu si quhet, arsimi që mund të jetë gjithçka, por që arsim nuk mund të jetë, kultura e sporti në saje të përkushtimit dhe talentit të të rinjve sesa për përkrahjen dhe strategjinë e shtetit nuk po e bëjmë llaf atë punë, ekonomia e nivelit të tapkaroshave të biletave të kinemasë së viteve ‘80, Ahmakdemia e Shkencave që prodhon gjithçka përveç shkencës, Sistemi Ligjor i kapur fund e krye e shumë e shumë të mbrapshta të tjera, për të cilat BE-ja nuk na pati faj, bile as Serbia për këto nuk na pati faj dhe ja prapë Ditari im fillon e bëhet ashtu i parashikueshëm, sepse neve na mungon “fajtori kujdestar”, assesi nuk mundemi të shkelim mbi ‘mburrjen” tonë të kotë dhe të themi se faji është yni dhe jo ta hedhim atë si top të ping-pongut nga njëra anë në tjetrën, dhe asnjëherë duke mos marrë përgjegjësi për asgjë.
Me këtë qasje jo që s’kemi çfarë të kërkojmë në BE, por s’kemi çka të kërkojmë as jashtë dyerve të shtëpive tona, sepse s’do të mbetet çka për të kërkuar, do të jenë “ngrënë” nga të korruptuarit, e ardhmja e fëmijëve tuaj e edhe e fëmijëve të tyre … do të jetë ngrënë nga të pangopurit…