OpEd

Viti i çadrës!

Shqipëria kaloi një vit jo të lehtë dhe pret një edhe më sfidues. Ndërsa raportet me Kosovën mbeten në nivel fasade politike

Viti 2017 nisi me ngritjen e çadrës nga opozita në bulevardin “Dëshmorët e kombit”, përballë zyrës së kryeministrit dhe u “mbyll” me çadrën para fytyrës së prokurores së përkohshme të Republikës në Kuvendin e Shqipërisë, në një atmosferë të flakëruar dhe të mjegulluar me flakadan!

Mes “dy çadrave” në Shqipëri u zhvilluan disa zgjedhje!

Zgjedhjet parlamentare, më 25 qershor konfirmuan Edi Ramën për një mandat të dytë si kryeministër dhe “timonier të vetëm të qeverisë”.

Edi Rama vuri një bast me gjithë koeficientet e ulët të analistëve dhe vëzhguesve politikë se do t’i fitonte zgjedhjet i vetëm. Për herë parë në epokën 27-vjeçare të pluralizmit një parti qeveris e vetme vendin. Por si në proverbin “kur i kërkon të gjitha” nuk ke vend ku t’i vendosësh, problemet më të mëdha për momentin Rama po i kalon i vetëm. Fitorja në zgjedhje po e përball me “humbjen” e njërit prej ministrave kryesorë të kabinetit të parë qeveritar, ministrit të Brendshëm më jetëgjatë të transicionit, tashmë nën akuzë për trafikim të lëndëve narkotike në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Zgjedhjet parlamentare u paraprinë nga marrëveshja 17- 18 majit mes kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, dhe kryeministrit. Rama u fut në takim, që synonte zgjidhjen e krizës politike 3 mujore, i rrethuar nga i gjithë faktori politik dhe doli prej saj me një shtrëngim duarsh vetëm me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha. Shtrëngimi i duarve u lexua 24 orë më vonë. Në këmbim të hyrjes në zgjedhjet parlamentare, PD-ja hyri në bashkëqeverisje duke marrë postet e gjysmës së qeverisë, disa agjencive ekzekutive, Avokatin e Popullit dhe kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në fushatë LSI - forca që kishte luajtur “king makering” dhe që tashmë ishte bërë King, iu përcaktua fati në opozitë si nga Rama ashtu edhe nga Basha. Perceptimi për një bashkëqeverisje të mundshme PS - PD e bëri fushatën më të qetë se një seancë e zakonshme parlamentare. Rezultati ishte befasues për këdo: PS-ja fitoi vetëm. PD-ja humbi keq. LSI-ja avancoi lehtë votat!

Një muaj para fushatës në Kuvend ishte zgjedhur presidenti i Republikës, Ilir Meta. Nëse presidenti i zgjedhur nuk do të ishte angazhuar në fushatë maksimalisht, me tone të ashpra dhe gjuhë agresive, gjithçka do të dukej si një tur “Ted Talk”, ku Basha dhe Rama më shumë se bënin fushatë predikonin.

Zgjedhjet e qershorit si asnjëherë tjetër u mbyllën pa ankesa. Ankesat nisën në vjeshtë!

Parti të reja parlamentare si SFIDA e drejtuar nga Gjergj Bojaxhi dhe LIBRA e Ben Blushit nuk arritën të kalonin pragun zgjedhor, megjithëse kjo e fundit shënoi 20 mijë vota.

Zgjedhjet vijuan me “zgjedhje” në partitë kryesore, tashmë në opozitë.

LSI-ja, e cila gjysmën e vitit e konsumoi në pushtet dhe gjysmën e dytë në opozitë zgjodhi si kryetare znj. Monika Kryemadhi, bashkëshorte e presidentit të Republikës. Në kushte të tjera, ajo do të ishte zonja e parë e vendit.

Mes një debati të brendshëm të pambyllur Lulzim Basha u rizgjodh kryetar i PD-së më 23 korrik. Përballë Bashës ishte ish- kryetari i viteve 90 në PD, Eduard Selami. Basha, që arriti rezultatin më të dobët në zgjedhje të PD-së, përballej me akuzat për mënjanim të elitës së PD-së në listat e deputetëve dhe për strategji të gabuar në fushatë.

2017-shi ishte viti me tri qeveri, 4 muaj qeveria PS- LSI, 4 muaj të tjerë kësaj dysheje iu shtua dhe PD-ja me 6 ministra dhe një zëvendëskryeministër, dhe 4 muaj PS-ja qeveris e vetme?

Një muaj pasi mori konfirmimin në Kuvend: qeveria u përball me krizën më të fortë: akuzat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda ndaj ish-ministrit të Brendshëm, hiç më pak, por për trafikim narkotikësh në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Viti politik 2017 nuk ishte një vit i lehtë.

Le të kujtojmë mbylljen e tij. U zgjodh në Parlament kryeprokurorja e përgjithshme e përkohshme. Theksi është te fjala e përkohshme, por procesi u zhvillua a thua se bëhet fjalë për betejën e shekullit.

Beteja është prolog i rezultateve konkrete të reformës në drejtësi, që pritet të prodhojë frutat e para, për vitin që po vjen. Drejtësia e re, tek e cila pritshmëritë janë shumë të larta, ka dy detyra për para: pastrimin e vetes dhe pastrimin e politikës.

2018-shi pritet të jetë më sfidues.

Mes zhurmës për konsum të brendshëm politik, Shqipëria ka shpresë të hapë negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Politika në Tiranë ka një aftësi të veçantë për të ngritur furtuna në një gotë uji dhe për të bërë të madhe një gjë që nuk meriton të quhet as e vogël. Rast ilustrues: debati fëmijëror për votimin e rezolutës në OKB për çështjen e Izraelit.

Pavarësisht furtunave në Parlament apo ekraneve televizive, ngjarja e madhe e pritshme është hapja e negociatave me BE-në.

Nëse kjo realizohet, ky do të jetë momenti më i madh tranformues i vendit dhe në një mënyrë nisja e fundit e transicionit të zgjatur politik.

Shqipëri-Kosovë, një tjetër vit fasadash!

Edhe këtë vit u zhvillua mbledhja e përbashkët e të dy qeverive, këtë radhë në Korçë. Ka më shumë lajme, foto, postime në Facebook, premtime, por mungojnë produkte konkrete.

Për 2018 është paralajmëruar në Tiranë Samiti II i Diasporës.

Lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave ka mbetur si premtim elektoral. Çdo punë e përbashkët e nisur pa ndihmën e qeverive të Tiranës dhe Prishtinës ka ecur mjaft mirë. (Të përkujtomë Kombëtaren e Futbollit, Festivalet e Këngës, bashkëpunimin në fushën e medias, dhe marrëdhëniet mes qytetarëve të dyja shteteve). Kur vjen puna tek “punët” që kanë marrë përsipër qeveritë: kemi mbetur tek abetarja! Një pyetje: kaq vështirë është të realizohet njohja e ndërsjellë e diplomave të studentëve?!

Projekti energjetik i linjës së interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës, i financuar nga Qeveria gjermane ka mbetur i bllokuar për shkak të Beogradit. Nuk mund të thuhet se ka një projekt të përbashkët madhor të dy qeverive në ndihmë të qytetarëve të dy shteteve.

Qeveritë po dështojnë për të krijuar një infrastrukturë dhe mjedis ku qytetarët, studentët, biznesmenët lirisht të zgjedhin të jetojnë, punojnë, studiojnë në liri të plotë në Kosovë apo Shqipëri.

Ndoshta diçka mund të bëhet, nëse flasim më pak, shkruajmë lajme më pak, postojmë rrallë dhe dëgjojmë më shumë se çfarë duan qytetarët “këndej dhe andej kufirit”.

Shqip po flasim e pak po merremi vesh!

(Gazetari dhe analisti nga Tirana)