OpEd

Verifikimi i borës

Dikur, sado vonë, narrativat e shtrembëruara mbesin veç pjesë e atyre që i kanë ndërtuar, e gazetaria për qytetarin rikthehet në vendin e vet. Aty ku e vërteta është e rëndësishme, qoftë edhe ajo për borën që dikur shkrihet e harrohet

Ky vit u përmbyll pa një projekt të USAID-it. Pati qenë i përvitshëm, realizohej në dhjetor dhe analizonte mediat. E kujtoj për një diskutim të para nja katër vjetësh që paralajmëronte lindjen e një narrative, më shumë sesa që vlerësonte sektorin. Aty e pata dëgjuar së pari, por nuk është që s’ishte ndërtuar më herët. U përhap shpejt dhe e dëgjoje sa poshtë, sa lart. Në thelb kjo narrativë kontestonte konceptin e mediave dhe gazetarisë profesionale. Ndonëse u shtrua në një panel qëllimmirë, nisej nga një premisë e shtrembëruar: Në Kosovë “ka media që janë kritike dhe më pak kritike”.

Qëllimi ishte të anashkalohej ideja e mediave profesionale dhe joprofesionale – atyre që respektojnë parimet etike të raportimit faktik e objektiv, që bazohen në interesin publik dhe që bëjnë prerazi dallimin mes lajmit dhe opinionit, dhe të atyre që nuk e bëjnë këtë. Klasifikimi në më pak a më shumë kritike, varësisht se kush si e sheh, më pati irrituar po aq sa fakti që një interpretim i tillë po tentonte të legjitimohej në një forum që synonte vlerësimin profesional të sektorit. Nuk ia pati dalë të hynte në atë vlerësim, por kjo nuk e ndali.

Pas atij forumi e pata hasur këtë diskurs edhe në shumë të tjera, të shtyra kryesisht nga njerëz ose që nuk e dinë gazetarinë, ose qëllimisht duan ta dëmtojnë atë. Koncepti bazohej në idenë që kur gazetari raporton për një fakt, duhet edhe “të jetë i lirë” që ta interpretojë atë, për shembull të tregojë nëse është mirë apo keq apo është ashtu ose kështu. Sa më shumë që interpretohej aq më kritik do të ishe ndaj pushtetit. E interpretimi bëhej çdoherë e më i lirshëm. Në anën tjetër, nëse nuk interpretohej ose nuk e bartje si konfrontimin në statuse rrjetesh sociale nuk ishe mjaftueshëm kritik. Narrativa u zhvillua në këtë drejtim dhe nuk është që nuk mjegulloi qëllimin e ekzistimit të mediave, si dhe konsideratën për lexuesin, pra që ai vetë ta ketë mundësinë e vlerësimit nëse një informatë është mirë apo keq, është kështu ose ashtu. Shumë informata të rëndësishme për t’u raportuar profesionalisht humbën në garën e interpretimeve dhe ajo u rrit në rrafshin e klikimeve, ku gjeti një masë të madhe konsumuesish tashmë të përgatitur nëpër shkollat tona.

Por megjithatë hovi nuk zgjati shumë nën maskën e gazetarisë. Kjo qasje zhvendosi krijuesit e përmbajtjeve, pra “interpretuesit e lirë”, në pozicionin e rivalëve politikë dhe secila parti i krijoi të vetët aq sa mundi e deshi. Në fillim të dyja palët menduan se gjetën çelësin e suksesit. Por as kjo nuk zgjati shumë. Pasojat u shpërfaqën më shpejt sesa që u mendua. Ato nisën të fliten haptas në zgjedhjet e fundit, por disa parti e kuptuan më herët. Qysh në shkurt disa prej tyre nisën t’u kërkojnë krijuesve të përmbajtjeve të tilla të mos i përkrahnin. “Je bërë më XX (parti) se unë”, i kishte thënë në fillim të vitit kryetari i një partie një interpretuesi. E kishte kuptuar që qytetari mund edhe mos ta kapë me të parën, por që përfundimisht sharjet e talljet e irritojnë atë dhe kthehet kundër. Dikush e kuptoi më vonë e dikush shumë më herët, qysh në fillim. Pra edhe më shumë se para katër vjetësh. Dhe e shfrytëzoi, për t’i nxitur dhe në fund për të mbledhur atë që i takonte.

Tregimi i interpretuesve është një rrëfim i dhimbshëm për shoqërinë tonë. Tregon se sa të manipulueshëm jemi. Por nga ana tjetër është edhe shpresëdhënës – që dikur, sado vonë, narrativat e shtrembëruara mbesin veç pjesë e atyre që i kanë ndërtuar, e gazetaria për qytetarin rikthehet në vendin e vet.

* * *

Viti 2025 ishte i tmerrshëm. Jo që nuk pati projekte të USAID-it. Së paku për mua nuk ishte i tmerrshëm për këtë arsye. Ishte një vit i keq, sepse drama me krijimin e institucioneve qe një lojë poshtëruese për shtetin dhe qytetarët e tij. Lojë e politikanëve tanë nga njëra anë dhe në një rrafsh tjetër, atë të masave ndëshkuese, e politikanëve të BE-së. Viti u krye, për më keq, edhe pa borë për festa. Është e pamundur të lëshohemi në atmosferën e Vitit të Ri kështu të ngarkuar e të ndotur. Bora, përveçse të afron me ndjenjën festive, edhe pastron. Kështu kam dëgjuar. Mund edhe të mos jetë, por s’po e verifikoj. Më duhet për këtë paragraf.

Dy nga kolumnet që miqtë tanë ambasadorë i kanë shkruar për këtë edicion festiv të “Kohës Ditore”, francezi dhe finlandezja, flasin për këtë. Për rëndësinë e verifikimit nëse bora pastron apo jo. Mbase jo specifikisht për borën si borë. Është veç interpretim. Në të vërtetë ata nuk e kanë përmendur borën fare. Miku francez pyet për 2026-n, nëse do të jetë vit pa gënjeshtra dhe bën thirrje për ta kultivuar higjienën digjitale, ashtu siç bëjmë për atë fizike. Tregon për mobilizimin francez që ka demaskuar strukturat më famëkeqe të dezinformimit global dhe që ka nisur krijimin e infrastrukturës ligjore evropiane për t’u mbrojtur nga rreziqe të tilla. Ju ftoj ta lexoni!

Mikja finlandeze shkruan për vendimin e vitit 1917 të shtetit të saj, kur ai fitoi pavarësinë. Një vendim i thjeshtë që e ka shndërruar shoqërinë finlandeze në një fortifikatë që, ndonëse është në prag të derës ruse, as edhe një qime nga ana tjetër e kufirit nuk mund të bjerë mbi të. Ju ftoj ta lexoni po ashtu. Posaçërisht, me rëndësi është ta lexojnë ata që do ta udhëheqin Kosovën më 2026, kur ajo i mbush 18 vjet. Finlanda e ka bërë ndryshimin si foshnjë, e ne mos ia dalshim edhe tash në moshë madhore... – s’po guxoj të them mos qofshim hiq, se traumat e hershme ma sjellin ndërmend Serbinë. E traumat e vona ma shpërfaqin qarkun vicioz ku sillemi vit pas viti, zgjedhje pas zgjedhjesh, si patriotë të një shoqërie të lodhur - pa para, pa shkollim cilësor, pa barna nëpër spitale, pa drejtësi.

* * *

Sot e kam një ndjenjë gëzimi që do t’i kem disa ditë të lira këtë javë dhe mbase mund ta marr edhe një javë pushimi nga viti i kaluar. Për këtë ende nuk u kam treguar kolegëve dhe po mendoj të mos u tregoj fare, veç le ta lexojnë në këtë shkrim.

Uroj për rikthim në një të ardhme më të mirë që të nisë më 2026!

[email protected]