OpEd

Udhëzime budiste për Parlamentin e Kosovës

Dy porosi nga njeriu më i lumtur në botë.

1.

Dr. Richard Davidson nga Universiteti i Wisconsinit ia lidhi 256 elektroda në kokë Mattieu Ricardit dhe e mbajti tri orë në makinën e rezonancës magnetike duke kërkuar prej tij që të ushtrojë meditim që nga shkalla parësore deri te ajo më e thelluar. Rezultati doli të jetë ai që kishte menduar prej kohësh, që nga fillimi i studimeve të tij specialistike: lumturia është produkt i mendimit të thelluar dhe është e matshme në pjesët e trurit që dikur konsideroheshin të mos kishin farë lidhjeje me ndjenja.

Dr. Davidson tashmë njihet si prijës në një fushë të re të neuroshkencës, atë afektive, ndërsa Mattieu Ricard është një figurë tashmë e njohur me epitetin “njeriu më i lumtur në botë”. Ricard ishte i punësuar në Institutin Pasteur në Francë, si doktor shkencash në gjenetikë molekulare, kur më 1972, i inspiruar nga Dalai Lama, vendosi ta braktisë shkencën dhe të bëhet murg budist.

Që të dy kanë shkruar libra për përvojën e tyre, dhe te që të dytë përbashkohet konkluza e njëjtë: kujdesi ndaj trurit, në saje të një qasjeje të favorshme emocionale e zhvillon atë më tutje. Korteksi prefrontal, ajo pjesë e trurit që tashmë dimë se prodhon aktivitet lumturie në anën e vet të majtë dhe stresi e depresioni në të djathtën, arrin shkallët më të larta të aktivitetit në anën e majtë me mendimin më të thelluar të dashurisë, për më tepër asaj të papërcaktuar e të papersonalizuar.

2.

Kam përshtypjen, ndoshta edhe bindjen lehtë të verifikueshme, se elektrodat e lidhura në kokën e një qytetareje të Kosovës në ciklet e ndryshme politike, e në veçanti para themelimit të qeverive të ndryshme, do të tregonin aktivitet të shtuar në anën e djathtë të korteksit prefrontal. Qytetarja e rëndomtë e Kosovës do të kishte shkallë të ndryshme të angushtisë deri te depresioni klinik para se të konstituohej Qeveria, e pasi që të themelohej gjendja do të vazhdonte për të gjithë të tjerët, pos për ata (anëtarë partie, fisi, mëhalle a regjioni) që janë përfshirë në Qeveri.

Ekziston një arsye madhore pse është kështu dhe një murg budist si Mattieu Ricard do ta zbulonte menjëherë. Ndërsa shkenca politike bashkëkohore do ta quante kulturë të qeverisjes ekstraktive, pra të gjendjes ku qeverisja shërben për të avancuar interesat materiale të qeveritarëve (familjeve e fisit të tyre) – një kulturë ku Kosova mund të shërbejë si model klinik – Mattieu Ricard do ta shikojë nga një kënd individual. Një burim i madh i angushtisë dhe i depresionit, thotë Ricard, vjen nga të “menduarit për unë-in”. Nëse një individ mendon vetëm në kategorinë e “unë, unë, unë”, thotë Ricard, mbërrin në gjendje ku e tërë bota jashtë teje është ose “kërcënim ose një lloj interesi potencial” përfitimi.

Në fakt, analiza e murgut budist i afrohet më së shumti të vërtetës së përshkrimit të jetës politike në Kosovë. Ajo, po e po është ekstraktive – pra i ka shërbyer nxjerrjes së përfitimeve materiale kastave qeverisëse – por po aq ka qenë e udhëhequr prej motivit të përmbushjes së “unë-it”. Për ata që duan të kuptojnë se çka ndodh këto ditë me paralizën parlamentare mjafton një shikim mbrapa në vitin 2001, kur u institucionalizua kultura e unë-it. Në ato zgjedhje partia që mori më së shumti vota qe LDK-ja, por jo mjaftueshëm për të formuar Qeverinë pa koalicion. Lideri i saj qe i interesuar për postin e “unë-it”, të presidentit të Kosovës dhe si këmbim ia dha postin e kryeministrit PDK-së. Për një kohë të gjatë nuk u formua Qeveria, sepse posti i kryeministrit shihej si një tjetër post “unë-i”. Atë donte ta merrte Hashim Thaçi, emër që, i lidhur me një gjendje të dhunshme e të kriminalizuar të pasluftës u bllokua nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.

Nga viti 2001 deri më sot çdo krizë politike është bërë rreth akomodimit të “unë-it”. Në asnjërën prej krizave politike nuk është përshkruar një parim i cili do të ngrihej mbi akomodimin e tërësisë. Pra, çka është ajo që do t’i akomodonte interesat e Kosovës, e jo çka është ajo që akomodon “unë-in e prijësit”. Ankthi, anksioziteti, angushtia - cilado prej këtyre sinonimeve emocionale negative - që i krijon lufta për përmbushjen e unë-it, bartet kolektivisht në shoqëri.

3.

Mësimi i dytë i murgut budist - në fakt një mënyrë jete për të - është ajo që ai e quan “ndërgjegjësimi”. Mendja meditative e njeriut ka kapacitet depërtimi më të thelluar tek thelbi i çështjeve, dhe, sikur është nxjerrë në incizimet e rezonancës elektromagnetike, momenti kur truri thellohet deri tek të kuptuarit e zgjidhjes së një problemi, rritet gjithashtu aktiviteti në pjesët e lumturisë.

Në njërën prej ligjëratave të tij, Ricard e bëri analogjinë me retë e dendura të stuhisë. Shikuar nga poshtë, ato duken kërcënuese e të rrezikshme, por po “pate mundësinë të ngjitesh e të futesh në to, sheh se janë vetëm mjegull”.

Shikuar nga poshtë, krizat politike në Kosovë duket se janë të thella e serioze. Por po të përpiqesh t’i kuptosh nga brenda, sheh se bëhet fjalë për një grup njerëzish që aspirojnë që me investimin më të vogël intelektual e shpirtëror të krijojnë përfitimin më të madh material. Krizat politike në Kosovë janë përpjekje rituale për të mbajtur nivelin më të ulët mendor e social në pozitat më elitare. Dhe, meqë ky është parimi fillestar e përfundimtar, atëherë këto parime kërkojnë që mekanizmat e demokracisë t’i adaptohen parimit fillestar e përfundimtar, e jo që ato t’i adaptohen demokracisë.

Andaj, në krizën e kaluar politike Gjykata Kushtetuese u vu në shërbim të dhunuesve politikë duke krijuar mekanizma Frankestein për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe të Qeverisë. Dhe, andaj në këtë krizë, mekanizmi demokratik i zgjedhjes së Qeverisë varet prej premtimit të një njeriu që akuzohet si shitës vizash se do ta përmbushë shitjen e votës së motrës së tij.

4.

Porosia e murgut budist Parlamentit të Kosovës?

Një, mund të bëheni të lumtur (dhe ta shpërndani tutje lumturinë) nëse mendoni se si do të mbrohet më së miri interesi i Kosovës para atij të “unë-it”. Interesi i Kosovës, sikur edhe lumturia me elektroda, është i matshëm në demokraci e Parlament: një Qeveri e cila ndërtohet nga blerja individuale e deputetëve për të mbërritur numrin 61 përmbush nevojat e “unë-it”, jo të tërësisë.

Dy, mund të bëheni të lumtur (dhe ta shpërndani tutje lumturinë) nëse ndërgjegjësoheni. Aty jeni për të mbrojtur një interes shumë të madh se ç’është i juaji; ndajeni së bashku këtë ndërgjegjësim me ata që nuk janë të grupit tuaj. Arrini së bashku mbi retë e zeza kërcënuese e shantazhuese; në fund, ato janë vetëm mjegull e grupuar në një vend.

Një murg budist në një ambient që më shumë e kërkon ndërhyrjen e Elliot Nessit, detektivit zulmëmadh antimafia? Në ankthin kolektiv e në vapë është sfiduese të jesh kreativ.