OpEd

Trumpi dhe ndryshimet në gjeopolitikë: rikthimi i unilateralizmit amerikan

Në dy shkrime të kaluara kam shkruar për fitoren e mundshme të Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale në Amerikë. Shumëkush, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Evropë shpresonte se këto zgjedhje do t’i fitonte Kamala Harris, duke qenë se Trumpi i kishte humbur zgjedhjet presidenciale në vitin 2020 dhe se rikthimi i tij do të ishte një mision i vështirë, nëse jo i pamundur. Mirëpo, ndodhi ajo që shumëkush i frikësohej: Donald Trumpi i fitoi, edhe atë bindshëm zgjedhjet e 5 nëntorit, duke u bërë kështu presidenti i 47-të i SHBA-së. Me fitoren e tij, shumë gjëra janë bërë të paqarta. Në këtë kontekst, më shumë ka pyetje sesa përgjigje lidhur me orientimin e politikës së jashtme amerikane në katër vjetët e ardhshëm. Politika e jashtme amerikane pritet të ketë ndryshime rrënjësore në disa aspekte. Megjithëqë rikthimi kah vetvetja, apo izolacionizmi pritet të jetë orientimi kryesor i politikës së Trumpit, janë një sërë problemesh ndërkombëtare, me të cilat Trumpi do të duhet të merret. Amerika, në fund të fundit është lojtar ndërkombëtar me interesa që shtrihen globalisht dhe me politikë izolacioniste, Amerika mbetet pa i realizuar interesat e saj jetike. Mirëpo, Trumpi, siç ka premtuar edhe vet, do t’i ndryshojë rregullat e lojës dhe kjo do të ketë ndikim thelbësor në proceset, të cilat, gjatë presidencës së Joe Bidenit, kanë qenë të parashikueshme. Pra, problem kryesor është paparashikueshmëria e Trumpit. Në çfarë mënyre do ta pozicionojë ai Amerikën karshi një sërë problemesh madhore ndërkombëtare dhe në çfarë mënyre do të veprojë ai, mbetet të shihet. Liderët ndërkombëtarë mund të paramendohet se i bëjnë kalkulimet e tyre dhe se i druhen orientimit të ri ndërkombëtar të Amerikës së udhëhequr nga Donald Trumpi. Kjo drojë ekziston edhe në Ballkan, e sidomos për sa i takon problemit më të madh të sigurisë në rajon – atij të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Për sa u takon raporteve me Kinën, siç është ndikimi kinez në rritje, në sferën ndërkombëtare, fuqia e saj ekonomike, rreziku i invadimit të Tajvanit, pres që Trumpi do ta mbajë vijën politike të administratave të mëhershme amerikane. Në aspektin e sigurisë, politika e Joe Bidenit ka qenë e koncentruar në frenimin e ndikimit kinez në Indo-Pacifik. Krijimi i AUKUS-it, një aleance ushtarake amerikane-britanike-australiane në vitin 2021, ka për qëllim rritjen e sigurisë në Indo-Pacifik, duke përfshirë edhe rritjen e kapaciteteve nukleare të nëndetëseve australiane. Me këtë, aleanca ushtarake anglo-amerikane-australiane ka për qëllim që t’i mbrojë interesat e botës demokratike karshi tri problemeve kryesore në këtë rajon: rrezikun nga Kina dhe invazioni i mundshëm i Tajvanit, rrezikun nga potenciali bërthamor i Koresë së Veriut dhe potencialit ushtarak rus në Pacifik. Pres që Trumpi të vazhdojë me këtë politikë, me dallimin se politika e tij ndaj Kinës do të jetë më e vendosur, sidomos për sa i takon çështjes së Tajvanit dhe marrëdhënieve bilaterale tregtare.

Në Lindjen e Mesme, Trumpi do ta rritë përkrahjen amerikane për Izraelin në mënyrë të hapur. Në rast të një konflikti të hapur me Iranin, SHBA-ja do të ndërhyjë në mënyrë të vendosur në mbështetje të Izraelit. Paqja në Lindjen e mesme nuk mund të arrihet përderisa Hamasi dhe Hazbollahu vazhdojnë të paraqesin kërcënim për sigurinë e Izraelit. Në këtë aspekt, Trumpi do të jetë i pakompromis. Të mos e harrojmë vrasjen e gjeneralit iranian Qasem Soleimani në vitin 2020 për shkak të rolit të tij në planifikimin e sulmeve kundër Amerikës në Lindjen e Mesme. Nuk do të ishte çudi nëse ai, në bashkëpunim me Izraelin, do të synojë shkatërrimin e Hazbollahut në Liban dhe të Hamasit në Rripin e Gazës. Përderisa mbetet e paqartë qasja e Trumpit ndaj një armëpushimi dhe fillimi të një procesi paqësor mes Izraelit dhe Palestinës në kuptimin e zgjidhjes me dy shtete, ai do të adaptojë një vijë më të ashpër ndaj Iranit dhe rritje të mbështetjes ndaj Izraelit.

Për sa i takon luftës në Ukrainë, Trumpi ka premtuar se do ta ndalojë luftën atje brenda 24 orësh me një marrëveshje të paqes që do t’i japë fund agresionit të Rusisë në Ukrainë. Këtu është droja më e madhe lidhur me veprimet që do t’i ndërmarrë Trumpi. Edhe aleatët evropianë e kanë të paqartë se a do të ndryshojë politika amerikane ndaj këtij konflikti. Politika e administratës së Joe Bidenit ka qenë mbështetja financiare dhe me armatim e Ukrainës, por duke e kufizuar këtë mbështetje në mbrojtjen e territorit ukrainas. Uashingtoni asnjëherë nuk i ka dhënë leje Ukrainës që ta përdorë armatimin amerikan për sulme në territorin rus dhe kjo e ka cunguar mundësinë e Ukrainës për një luftë më efikase kundër agresionit rus. Gjatë administratës së Bidenit, Amerika ka udhëhequr edhe përpjekjet e Evropës në mbështetjen e luftës çlirimtare të Ukrainës. Pra ka ekzistuar një sinkronizim i politikës këndej e andej Atlantikut ndaj Rusisë dhe Ukrainës. Pyetja është se a do të vazhdojë ky sinkronizim politik, apo Trumpi do të ndërmarrë veprime unilaterale për ta përfunduar luftën në Ukrainë përmes një marrëveshjeje mes Kievit dhe Moskës dhe cilat do të jenë kushtet e një marrëveshjeje potenciale. Tjetra çështje është se a do të vazhdojë SHBA-ja të jetë garantuese e paqes në kontinentin evropian përmes lidershipit të saj në NATO, apo do të tërhiqet përballë një rreziku nga lindja. A do të takohet Trumpi me Putinin për ta bindur që të tërhiqet nga Ukraina, apo do të vazhdojë me politikën e sanksioneve dhe izolimit të Rusisë? Këto janë të gjitha pyetje, të cilat janë ende pa përgjigje. Ajo që mund të pritet nga Trumpi, janë veprimet unilaterale për të gjetur zgjidhje të shpejta dhe që nuk janë domosdoshmërisht në interes, as të Ukrainës e as të Evropës. Në rast të një marrëveshjeje të shpejtë të paqes, Ukraina mund ta humbasë Krimenë, Zaporozhjen, Donetskun, Khersonin, si dhe rajonet e tjera, të cilat janë nën okupimin ushtarak rus. Mbase Trumpi, në këmbim të një marrëveshjeje, do t’i garantojë Rusisë se Ukraina nuk do të anëtarësohet në NATO pas përfundimit të luftës. Pra, do t’i garantojë asaj një sferë të ndikimit pa ndërhyrjen e perëndimit. Kjo do të mund të përfshinte edhe garancitë se as Gjeorgjia e as Ukraina nuk do t’i bashkoheshin Bashkimit Evropian.  

Partneriteti i SHBA-së me Evropën si dhe lidershipi amerikan i NATO-s, përkatësisht, garantimi i sigurisë evropiane nga kërcënimi i Rusisë është çështja tjetër me rëndësi globale. Në aspektin tregtar, Trumpi veç ka paralajmëruar rritjen e tarifave për importet evropiane në Amerikë. Kjo do të shkaktojë dridhje të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe vendeve të Bashkimit Evropian, duke qenë se Bashkimi Evropian është, para së gjithash, një union ekonomik. Në aspektin e sigurisë dhe të marrëdhënieve me Rusinë, një ndryshim i politikës së Uashingtonit mund të shkaktojë edhe ndryshim të politikës së Bashkimit Evropian, e cila ka qenë e sfiduar nga disa shtete anëtare, siç është për shembull Hungaria. Në rast të unilateralizmit amerikan, apo ndryshimit të politikës në raport me Rusinë, Evropa do të mbetej pa timonier dhe siguria e saj do të sfidohej seriozisht. Përveç kësaj, gjë që është mbase njëri prej problemeve thelbësore, fitorja e Trumpit do t’i japë krahë të djathtës ekstreme edhe në vendet e Bashkimit Evropian dhe kjo do ta bënte atë një strukturë më pak të qëndrueshme, duke qenë se politika e partive të ekstremit të djathtë do të jetë e orientuar nga unilateralizmi e jo nga unifikimi i politikave në nivel të Bashkimit Evropian. Si shembull mund të merret Gjermania, e cila në një ditë pas fitores së Trumpit, ka rrezik që të futet në një krizë politike me mundësinë që të mbahen zgjedhjet e parakohshme, në të cilat partitë e ekstremit të djathtë janë pretendentë seriozë për ta fituar pushtetin. Një fitore e ekstremit të djathtë në shtetin më të fuqishëm të Bashkimit Evropian do të kishte pasoja të mëdha për këtë të fundit.

Dhe në fund, çka do të thotë fitorja e Trumpit për Ballkanin, përkatësisht për raportet mes Kosovës dhe Serbisë? Përderisa në vija të trasha, politika amerikane nuk pritet që të ndryshojë – Amerika e Trumpit do të kërkojë ndryshimin e status-quo-së me veprime, të cilat shkojnë përtej dialogut Kosovë–Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Pra, Prishtina e Beogradi do të përballen me zgjidhjet që do t’u ofrohen nga Uashingtoni në stilin “merre ose lëre.” Përderisa në këto katër vjetët e fundit, Uashingtoni ka përdorur fuqinë e butë për t’i bindur palët që të arrijnë dhe të zbatojnë marrëveshjet e arritura, gjithmonë në rolin mbështetës ndaj Bashkimit Evropian, në katër vjetët e ardhshëm, administrata Trump do të marrë rol udhëheqës dhe do t’u bëjë presion palëve dialoguese që të arrijnë marrëveshje përfundimtare. Se a do të mbetet njohja reciproke synim përfundimtar i SHBA-së, kjo mbetet të shihet. Nga deklaratat e Richard Grenellit gjatë këtyre dy vjetëve të fundit lidhur me veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri të vendit, mund të parashihet se administrata Trump do të jetë më pak tolerante ndaj Kosovës për sa i takon kontrollimit të veriut. Përveç kësaj, në katër vjetët e fundit, establishmenti politik serb, i udhëhequr nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka investuar shumë për thellimin e raporteve me Trumpin. Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, i ka humbur katër vjet duke mos thelluar bashkëpunimin as me administratën e Bidenit, ndërkaq, raportet me Trumpin, të paktën deri më tani kanë qenë të këqija. Fitorja e Trumpit, siç kam thënë edhe në njërin prej shkrimeve të kaluara, mund të ketë ndikim edhe në rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë më 9 shkurt. Kjo fitore mund t’i shtyjë votuesit që nuk i përkasin kampit politik të LVV-së të votojnë në mënyrë strategjike për ndonjë parti, e cila do të ishte më e pranueshme për administratën e Trumpit, sesa LVV-ja. Prandaj, pritet që gjatë fushatës, partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK të shtyhen se cila i ka raportet më të mira me administratën Trump. Pavarësisht se kryeministri Kurti kësaj radhe nuk shprehu preferencat e tij për asnjërin nga kandidatët për president të SHBA-së, animi i tij i hapur për Joe Bidenin në vitin 2020 dhe raportet e këqija me njeriun kryesor të Trumpit për Ballkanin, Richard Grenell, e bëjnë atë një figurë, me të cilën Uashingtoni nuk do të ketë dëshirë të ketë punë.

Si përfundim, fitorja e Trumpit ngre më shumë pyetje sesa përgjigje. Ai ka një stil tjetër të politikëbërjes dhe qasja e tij ndaj problemeve globale ndryshon rrënjësisht nga qasja që e kishte Joe Bideni. Amerika do të jetë një akter unilateral me një qasje realiste ndaj problemeve ndërkombëtare, në të cilën aleancat do të përdoren kur u konvenojnë interesave amerikane, ndërkaq multilateralizmit do t’i humbasë rëndësia. Siç e kam thënë edhe në shkrimin e kaluar, në të cilin kam thënë se fitorja e Trumpit është krejtësisht e mundur, me Trumpin, asgjë nuk do të jetë e njëjtë.

[email protected]