Një dramë vjeshtore gjermane: dikush dëshiron të vrasë veten në shina të trenit, dikush është i sëmurë në një tren tjetër, diku duhet pritur ndërrimin e lokomotivistit - shënime nga përpjekja dëshpëruese për t’u kthyer me tren nga Hamburgu në Zürich - jo për 9 orë, por për 19!
Qielli mbi Hamburg ishte i vranët, moti me riga shiu dhe i ftohtë. Pasditen e 2 dhjetorit treni ICE 375 nga metropoli verior gjerman në Zürich ishte planifikuar të nisej në orën 14:24. Natyrisht nuk e prisja që do të nisej me kohë, por kur rrotat e trenit u vunë në lëvizje në 14:31 - me 7 minuta vonesë - ky ishte një çast për t’u gëzuar.
E pamundur kjo në Gjermani!
Pak minuta më parë ishte shkaktuar një kaos i vërtetë në peronin numër 14. Në tabelën e njoftimeve thuhej se vagonët e klasit të parë gjendeshin në sektorin F. Pak para se të hynte treni në peron, befas u dha një njoftim i ri: tani një dorë e padukshme i nxori vagonët e klasit të parë në sektorin A, ngjitur me lokomotivën. Udhëtarët që prisnin në krye të trenit duhej të ktheheshin prapa, ata që prisnin në fund të trenit duhej të vraponin përpara për të gjetur vendet e tyre në klasin e parë.
Nisja, megjithatë, ishte premtuese. Me vetëm 7 minuta vonesë! Prapa mbeti silueta e Hamburgut, ndërtesa monumentale e revistës “DER SPIEGEL”, Porti, Filharmonia e Elbës. Dukej realiste se pak para orës 22:00 do të arrija në Basel të Zvicrës. Nga aty e tutje komandën e marrin zviceranët. Por këshilla kryesore kur udhëton me tren në Gjermani është kjo: mos u gëzo shumë në fillim, sepse mund të të presin shumë befasi, pothuaj të gjitha të pakëndshme.
Pak para Hannoverit, kryeqytetit të Landit Niedersachsen, treni u ndal papritmas dhe u lajmërua lokomotivisti me një njoftim. Për shkak se në një tren para nesh dikush është duke kërcënuar me vetëvrasje, duhet të presim derisa të sqarohet situata. Pak a shumë kjo ishte përmbajtja e haberit. Koha shkonte, treni pushonte në shina, në dritare rridhnin currilat e shiut. Në Zvicër lokomotivistët nuk janë aq eksplicit kur ndokush tenton të bëjë vetëvrasje apo bën vetëvrasje në hekurudhë. Zakonisht lokomotivisti thotë se bëhet fjalë për një aksident në të cilin janë të involvuar edhe njerëz (“Personenunfall”). Pjesën tjetër udhëtarët mund ta marrin me mend.
Ndërkohë në ekranin e vagonit doli njoftimi se në Basel treni do të arrinte pas orës 22:00, më saktë, 22:07. Shpresat s’kishin përfunduar ende. Dikur treni vazhdoi udhën nëpër hekura, u ndal në Göttingen, pastaj u ndal në Kassel. Lokomotivisti njoftoi se tani treni nuk ndalet deri në Frankfurt am Main (Frankfurt mbi lumin Majnë). Gjithçka në rregull, në dëgjim të parë. Por sa herë që çdo gjë është në rregull, pason pas pak një goditje që t’i tharton hundët si një grusht i boksierit legjendar Muhamed Ali.
Treni u ndal në Fulda, në jug të landit të Hessenit, ndonëse lokomotivisti qartë kishte thënë: nuk ndalet në Fulda. E pse u ndal këtu? Qe pse: për shkak se në një tren para nesh duhej të intervenonte mjeku i urgjencës, me gjasë dikush kishte probleme shëndetësore. Gjuhës shqipe i duhet një fjali e tërë për të shpjeguar këtë situatë, gjermanishtja e sqaron me një fjalë: Notarzteinsatz.
Sërish: koha shkonte, treni pushonte, populli në vagona mallkonte, një zviceran në mënyrë diplomatike gjermanët i njoftonte: “Ne në Zvicër jemi të përkëdhelur”.
Në uebfaqen e turizmit të Fuldas jepej xhevapi se ky qytet gjendet në pjesën qendrore të Gjermanisë dhe është lehtësisht i arritshëm me transport publik si tren dhe autobus. Lehtësisht i arritshëm? Sikur të hapeshin dritaret e vagonit, me siguri ndokush do të nxirrte kokën jashtë dhe do bërtiste: kjo është propagandë, mos rreni, boll më! Por dritaret e vagonit janë hapur, për shembull, në vitet 1980-të, në vitin 2024 jo.
Ende jemi në Fulda. Lokomotivisti bëhet i gjallë me një njoftim të ri. Për shkak të intervenimit të urgjencës në trenin para nesh hekurudha është e bllokuar, andaj treni do të devijoj përmes Aschaffenburgut. Përparësia e udhëtimeve me tren në Gjermani është se mund të shkosh edhe në qytete të cilat nuk i ke pasur ndërmend kurrë, madje as që ke dëshiruar t’i shohësh, as që ke planifikuar të kalosh atypari, as nëpër stacionin e atyshëm të trenit.
Para se të nisej treni për në Aschaffenburgun e mallkuar (u kërkoj falje shqiptarëve me banim në Aschaffenburg, ok, edhe gjermanëve, por edhe sirianëve, iranianëve, turqve, nigerianëve, marokenëve - në Aschaffenburg jetojnë njerëz nga 140 vende të botës), po, para se të nisej treni për në Aschaffenburg, lokomotivisti lajmëroi se duhet të bëhet një ndërrim i paplanifikuar i personelit të trenit (gjermanisht: Ausserplanmässiger Personalwechsel). Domëthënë: lokomotivisti që na solli deri këtu, largohet, vjen tjetri. Jo, jo, nuk vjen, duhet pritur derisa të vijë lokomotivisti gjerman. Presim.
Mirëmbrëma, Gjermani!
Në tabelën e njoftimeve populli vihej në dijeni se në Frankfurt am Main do të arrijmë me 100 minuta vonesë, rreth orës 19:35. Ndërkohë mësova se Aschaffenburgu gjendet në landin e Bavarisë, afër landit të Hessenit, se i ka 70 mijë banorë, se shtrihet pranë lumit Main, se ka një histori të pasur, se ka një qytet të vjetër të ruajtur mirë, se ka kisha e muze, parqe të gjelbra dhe “për shkak të afërsisë me Frankfurtin, Aschaffenburgu ka një lidhje të mira transporti”.
Gjendemi afër Frankfurtit, udhëtarët që duhet të dalin këtu, fillojnë të bëhen gati. “Ju uroj shumë fat”, thotë një grua e moshuar, e cila vuante nga një kollë e thatë. Kush udhëton me tren në Gjermani, atij i duhet fati. Faleminderit!
Dhjetë minuta para se treni të arrinte në Frankfurt, për disa sekonda fillova të mendoj skenare të ndryshme: nëse treni arrin në Basel në mesnatë dhe nuk ka më tren për në Zürich, atëherë mos është më mirë të fle në Frankfurt? (Mund të takoj edhe ndonjë familjar që jeton afër këtij qyteti të rëndësishëm gjerman). Ose: të rri në Basel, eventualisht duke e shijuar një birrë mesnate me ndonjë kushëri apo shok?
Në orën 19:48 treni, më në fund, u nis për në Basel. Nuk zbrita në Frankurt. Lokomotivisti shpjegoi se treni nuk do të ndalej në Mainz. Stacioni i radhës është Mannheimi. Arritja në 20:37. Por kurrë mos u beso numrave që shfaqen në ekranin e vagonit në Deutsche Bahn (dojçe ban). Mund të ndodhë ndonjë e papritur!
Në gazetën “Mannheimer Morgen” hasa në një artikull të shkurtër të datës 9 tetor 2024 në të cilin lexuesit njoftoheshin se kryetari i qytetit Christian Specht nga partia konservatore CDU kishte vallëzuar me muzikë turke dhe kishte marrë 200 pëlqime në Instagram. Pastaj Specht kishte takuar komunitetin shqiptar të Mannheimit. Më tutje në tekst thuhej: “Më shumë se 100 persona me prejardhje shqiptare nga Mannheimi u mblodhën, artikuluan dëshirat dhe problemet e tyre – dhe i shërbyen kryetarit të qytetit ushqime tradicionale shqiptare. Diversiteti ishte një nga fjalët që u përmend më shpesh në atë mbrëmje. Një fjalë që lidhej plotësisht me emocione pozitive, zbukuruar me fjalime lavdërimi dhe mirënjohjeje. Naser Hoxha e përshkruan Mannheimin si një ‘mozaik kulturash dhe traditash të ndryshme, të cilat sjellin zakonet dhe mënyrat e tyre të jetesës’. Në këtë mënyrë, ata formësojnë dhe ndikojnë pamjen e qytetit, thotë Hoxha, i cili është i angazhuar në një shoqatë kulturore: ai është pjesë e shoqatës kulturore shqiptare ‘Dardania’”.
Ndërkohë vërej një vërshim emailash në telefon, dërguar nga Deutsche Bahn. Në orën 14:20 ndërmarrja gjermane e trenave njofton se treni nga Hamburgu për në Basel do të vonohet 7 minuta, në 15:41 vjen lajmi se treni vonohet 23 minuta, në 16:14 bëhen 33 minuta vonesë, në 16:22 befas pason një korrigjim: treni arrin në Basel me 18 minuta vonesë, në 17:04 kuptoj se treni do vonohet 29 minuta, në 17:50 bëhet me dije se tani duhet llogaritur me 75 minuta vonesë.
Nëse treni nuk fluturon nëpër hava, atëherë stacioni i fundit sonte do të jetë Baseli. Ose Zürichu, ku sipas një plani optimist mund të arrij rreth orës 01:24 (me kusht që në Basel të kap trenin e fundit, 11 minuta pas mesnatës). Por ç’të bësh në Zürich në orën 01:24, kur nga aty nuk ka më tren rajonal për në shtëpi.
Në orën 21:27 vjen emaili i radhës nga dojçe ban me lajmin e keq se treni ICE 375 nuk do të shkojë fare në Basel të Zvicrës. Ashiqare zviceranët e kanë parë se ky tren gjerman do të vonohet shumë, andaj ia kanë treguar gishtin e mesëm palës gjermane! Stacioni i fundit është Basel Badischer Bahnhof, pra treni s’lejohet të hyjë fare në Zvicër. Se treni do të ndalet përfundimisht në stacionin gjerman të Baselit, këtë e bën të ditur pastaj edhe konduktorja, natyrisht me një qetësi burokratike gjermane. Se ç’do të bëhet me pasagjerët që duhet të vazhdojnë rrugëtimin për në Zvicër, në Basel, Olten, Bern, Zürich, kjo nuk përbën ndonjë shqetësim për Deutsche Bahn.
Më së voni tani nuk ka më asnjë dilemë se po udhëtojmë me një tren të sëmurë, por njëkohësisht duhet pyetur: sa e sëmurë është Gjermania me gjithë këto probleme në infrastrukturën hekurudhore? Këtë pyetje pakkush e përjeton si ofendim në Gjermani, shumica janë të vetëdijshëm për këtë katastrofë mbi shina të quajtur Deutsche Bahn. E gjithë kjo ndodh në një vend që quhet superfuqi ekonomike e Europës. Joefikase, e paorganizuar, kaotike: shumë fjalë i shkojnë për shtati ndërmarrjes gjermane të trenave.
Pak para se treni të arrijë në Freiburg im Breisgau konduktorja përpiqet të tregojë se çfarë lidhje me tren e autobus kanë pasagjerët nga ky stacion në Gjermaninë jugore. Nuk e përfundon njoftimin, ngaqë i hip një gaz i papërmbajtshëm. Tenton prapë. Dështon prapë.
Për të ngushëlluar veten kam gjetur në “Frankfurter Allgemeine Zeitung” një letër që një lokomotivist ka botuar më 2019 lidhur me problemet e Deutsche Bahn. Ai shkruan: “Unë jam lokomotivist i pasionuar prej gati tridhjetë vitesh, i cili prej kohësh është i tronditur nga gjendja tashmë alarmante e hekurudhës. Si mundi të arrijë gjendja deri këtu? Ajo që kam parë gjatë njëzet viteve të fundit është një makth nga i cili duket se nuk ka zgjim. Gjithmonë njeriu mendon: nuk mund të bëhet më keq nga ‘ata lart’ – por jo, gabohesh rëndë, menaxherët tanë mund ta bëjnë këtë me lehtësi”.
Pak para se treni të arrijë në Baselin gjerman, pyesim dy konduktorë nëse mund të kontaktojnë trenin rajonal zviceran S6 dhe ta lusin lokomotivistin të presë një deri dy minuta. “Nuk ka shans, trenat rajonalë të Zvicrës nuk presin trenat ndërkombëtarë”, thonë ata. Por ende ka shpresë. Papandehur një zë nga altoparlanti njofton se treni do të presë. Mbërrimë, më në fund, në Basel Badischer Bahnhof. Dhjetëra njerëz kërcejnë me ngut nga treni dhe vrapojnë drejt peronit numër 11, aty ku do të nisej treni S6 për në Basel të Zvicrës. Kur arritëm, gjetëm një platformë me binarë të zbrazët. Nuk kishte pritur treni zviceran. Orari është orar, zvicerani zviceran dhe gjermani s’është më gjerman (sepse është i papërpiktë).
E tash?
Lidhje për në destinacionin tim nuk kishte më, sidomos jo nga Zürichu, ku me disa akrobacione disi mund të arrihej rreth orës 01:30.
Miku im Bashkim Dyla më mori në telefon nga Fuerteventura, një ishull në oqeanin atlantik, me porosinë të fle në Basel, në banesën e birit të tij, Andit. Ashtu ndodhi.
Shqiptarët janë më seriozë, më të përpiktë, më mikpritës, më të kujdesshëm se trenat gjermanë.
Ndërkohë është bërë e martë, në orën 08:06 në peronin numër 11 pret treni për në Zürich. Është tren gjerman, të cilin zviceranët - për çudi - e kanë lejuar të hyjë në Zvicër, ngaqë si rrallë ndonjë tren tjetër i Deutsche Bahn ka qenë i saktë.
Kur u nisa dje nga Hamburgu, udhëtimi nga atje deri në pjesën e epërme të liqenit të Zürichut pritej të zgjaste rreth 9 orë. Kësaj radhe zgjat 19 orë. Një përvojë e paharrueshme, por aspak e gëzueshme. Gjatë natës Deutsche Bahn s’kishte dërguar emaila të tjerë me njoftime të tjera. As kërkimfalje. As udhëzim nëse më takon ndonjë dëmshpërblim për këtë torturë. Asgjë. Sipas një ankete vetëm 38 për qind e personelit të Deutsche Bahn është optimist sa i përket funksionimit të trenave gjermanë. Shtrohet pyetja: ku e marrin këta njerëz këtë opotimizëm? Gati dy të tretat e punëtorëve janë dorëzuar tashmë, nuk shohin ardhmëri për trenat gjermanë. Me të drejtë.
Deutschland, du bist kaputt!
Mund të përkthehet edhe kështu: Gjermani, puna jote e pati! Së paku mbi shina.
Mirëmëngjesi, Zvicër.