OpEd

Trëndafili i Rilkes

Si u bë një poet i hapësirës kozmike ikonë e pop-kulturës dhe idhull i të rinjve në kërkim të vetvetes? Shënime në 150-vjetorin e lindjes së poetit austriak Rainer Maria Rilke.

Poeti i madh austriak Rainer Maria Rilke (u lind më 4 dhjetor 1874) ka qenë një udhëtar i madh. Më 1919 ai erdhi në Zvicër për të mbajtur një referat; arsyeja e vërtetë ishte se dëshironte të ikte nga atmosfera e zymtë që mbretëronte në Gjermani e Austri pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

Afër Zürichut ai njohu Nanny Wunderly-Volkart (1878–1962), një grua të pasur, bujare dhe të interesuar për kulturën. Ajo e mbështeti Rilken financiarisht nga viti 1919 deri në vdekje, i siguroi atij vende të këndshme për të shkruar dhe jetuar; natyrisht, këtu përfshihej edhe shërbimi i dëshiruar prej tij.

Raporti i Nanny Wunderly-Volkart me Rilken ishte plot besim dhe është dokumentuar edhe në letërkëmbimin e tyre, të botuar më 1977. Me kërkesën e Rilkes, zonja zvicerane mbështeti madje edhe të dashurën e tij, piktoren Baladine Klossowska, një nënë e divorcuar dhe pa mjete financiare, e cila kishte dy fëmijë. Rilke jetoi disa vite në Zvicër, kryesisht në kantonin e Wallisit, ku vdiq më 29 dhjetor 1926 dhe u varros në fshatin Raron.

A ka qenë Rilke në Davos? Kjo ishte një pyetje që më shkrepi në mendje ndërsa, në fillim të muajit – më 4 dhjetor, në 150-vjetorin e lindjes së Rainer Maria Rilkes – bashkë me fotografin Visar Kryeziu po shkonim për të ecur në Davos, në këtë qendër të njohur të turizmit alpin helvetik. Përgjigjja është: jo, Rilke s’ka qenë në Davos.

Por kjo nuk është e vërteta e plotë. Rilke ka qenë në kantonin Graubünden, të cilit i përket Davosi. Ai qëndroi në fshatin Soglio, i zgjedhur më 2015 si fshati më i bukur i Zvicrës. Rilkes nuk iu duk ashtu. S’i pëlqeu aq. Profesori Manfred Koch, i cili ka shkruar një biografi gati 600-faqëshe të Rilkes, i tha së fundi një gazete të Zvicrës lindore se poetit nuk i pëlqeu peizazhi malor. Rilke ishte poet i hapësirës kozmike (Weltraumdichter) dhe preferonte vendet ku kishte shumë qiell mbi kokë. Malet e kantonit Graubünden i quajti “bjeshkë të marra, pengesa impozante, por jo më të mençura se ndonjë derë e mbyllur”.

Nuk është befasi e madhe që Rilke një pjesë të mirë të punës së tij poetike e ka kryer në Kalanë e Duinos, një fshat afër Triestes, ku më 2 prill 1879 u lind aktori i ardhshëm i famshëm i botës gjermane, Aleksandër Moisiu, i cili qe me origjinë shqiptare. Nga ballkoni, ku Rilke shkroi disa nga Elegjitë e Duinos (ose Elegjitë duineze), pamja e detit të Adriatikut është impozante. Në fshatin zviceran Soglio, Rilke jetoi në Pallatin Salis, dikur rezidencë e familjes fisnike Salis. Rilke gjatë tërë jetës ishte i magjepsur me botën e fisnikërisë europiane. Në Palazzo Salis Rilke mund të shfrytëzonte bibliotekën e vjetër, një privilegj që edhe sot e kanë pak njerëz.

Elegjitë e Duinos janë kryevepra e tij poetike dhe një sfidë për pothuaj çdo lexues e lexuese. Ato janë të lidhura fort me tematikën e përjetësisë, vdekjes, zhdukjes dhe kuptimit të ekzistencës njerëzore në epokën moderne. Për t’i shkruar ato, Rilkes iu deshën dhjetë vjet. Frymëzimi i erdhi në fillim të vitit 1912, kur në Kalanë Duino dëgjoi “një zë”, i cili ia diktoi vargjet e para. Viti 1922 është mjaft i begatshëm sa i përket letërsisë: atë vit u botuan jo vetëm Elegjitë e Duinos të Rilkes, por edhe romani epokal Uliksi i James Joyce dhe kryevepra poetike Toka e shkretë e T. S. Eliot.

Rilke e kaloi jetën në kërkim të vazhdueshëm. Në Paris u ballafaqua me modernitetin dhe mjerimin. Aty u inspirua për romanin e tij të vetëm Shënimet e Malte Laurids Brigge. Në vëllimin me poezi Libri i Orëve Rilke zhvilloi një dialog me Zotin, duke e parë atë si një njësi që formohet dhe banon brenda nesh. Në vitet 1905/06 Rilke ishte sekretar i skulptorit francez Auguste Rodin. Njohja me pikturën moderne të Paul Cézanne ndikoi që Rilke ta shohë botën në thellësinë e saj. Nga ky shikim ai formuloi vargun e famshëm “Ti duhet ta ndryshosh jetën tënde” (te poezia “Torzo arkaik i Apollonit”). Sot Rilke është shndërruar në një ikonë të pop-kulturës dhe idhull i të rinjve në kërkim të vetvetes.

Në gurin e varrit të Rilkes është i gdhendur ky shënim: “Trëndafil, o kundërshti e pastër”. Lexues e kritikë letrarë me vite e dekada kanë spekuluar dhe fiqiruar se ku e ka burimin kjo porosi. Para disa vitesh është zbuluar sekreti. Në pullazin e Kalasë së Duinos janë gjetur ditarët e mikeshës së Rilkes, princeshës Marie von Thurn und Taxis. Aty ajo përshkruan debatet e ashpra me poetin, i cili në kalanë e saj shkruante Elegjitë e Duinos. Lartmadhërisë Marie von Thurn und Taxis nuk i pëlqente gjuha me lule në poezitë e Rilkes. “Vazhdimisht shfaqen lule në poezitë e tua”, i kishte thënë ajo Rilkes, “këtu një narcis, atje një kamelie dhe atje një trëndafil. Oh Rainer! Unë e kundërshtoj këtë!” Këtu e ka zanafillën shënimi në gurin e varrit të Rilkes: “Trëndafil, o kundërshti e pastër”!