Rreth historisë paralele në të cilën Informatori ishte mik i vjetër me Bujarin, Prishtina u çlirua më 11 qershor dhe në Shtëpinë e Bardhë, kur Kosova digjej flakë, presidenti Clinton, dr.Rugova, dr. Bukoshi dhe unë merreshim me ndikimin e ideologjisë së majtë të Enver Hoxhës te veprimtaria e Fatos Nanos
1.
E zura veten duke përsëritur sërish të vërtetën mbi paparashikueshmërinë e së kaluarës.
Vdiq Bujar Bukoshi dhe u shkrua për të.
Një pjesë e shkrimeve u bënë sikur të mos kishte vdekur. Fondi 3 për qind, UÇK-FARK, si mbeti Rugova pa cigare..., rrëfime që bëhen për të vazhduar një luftë politike të filluar para tridhjetë e më shumë vjetësh, një luftë politike të cilën disa duan ta vazhdojnë edhe për tridhjetë vjetët e ardhshëm.
Në shekullin e kaluar e në kulturën perëndimore, njëzet vjet pas - ajo distancë që historianët e konsiderojnë të mjaftueshme për të shkruar historinë do të ekzistonte një rrëfim i konsoliduar, i cili ndonëse jo i plotë - sepse historia gjithnjë pasurohet me burime të reja të zbuluara - do të kishte pak a shumë një bosht thelbësor e konsensual. Në atë bosht, i cili do të përmblidhte mendimin konsensual të shoqërisë, Bujar Bukoshi do të ishte një rrëfim i gjatë, i dinjitetshëm dhe ilustrues për vetëdijen e një njeriu, e një gjenerate të përkushtuar për t’i dhënë vendit të tij.
Në këtë shekull të medieve sociale historia është një libër i trashë që nuk ka qejf ta lexojë shumica dërrmuese. Në vend të librit të trashë - të hulumtuar me edukatë profesionale historiani - hapësira jonë publike (dhe ky është fenomen botëror) mbushet me copëza mendimesh, deklarimesh dhe shkrimesh që bartin më vete shpresën se do të bëhen pjesë e kësaj historie virtuale - pa autor, pa hulumtim, pa redaktim, pa recensent, pa botues, pa mendje kritike lexuesi.
Në këtë hapësirë publike të shpërndarë lexova shkrimin për Bujarin e një personi të njohur të ketë pranuar se kishte bashkëpunuar me Shërbimin e Sigurimit Shtetëror të Serbisë në kohën kur acarohej lufta në Kosovë. Aty hasa edhe konstatimin "Babai im dhe Bujari ishin miq të vjetër".
Konstatimi u shkrua kur tashmë Bujari kishte disa orë që kishte vdekur dhe nuk mund të jepte shpjegime për miqësinë e imputuar. Për më tepër, babai i autorit nuk kishte ndonjë vlerë të veçantë prej personaliteti-nuk ishte figurë e kulturës, artit a shkencës - për të hyrë në këtë kontekst përshkrues. Përkundrazi, në një pjesë të strukturës intelektuale të qytetit, ai ishte një person i perceptuar – ndonëse kurrë me një provë juridike - si informator i organeve, siç mund të quheshin butësisht operativët e tillë në Autonominë e atëhershme të Kosovës. Si i këtillë do ta kishte krejtësisht të vështirë të ishte mik i Bujar Bukoshit.
Por, nuk ishte me rëndësi më Bujari, ishte me rëndësi shkrimi i historisë me anë të Bujarit e keqpërdorimit të vdekjes së tij, dhënie domethënieje tjetër ngjarjeve e njerëzve, që perceptimi i para 50 vjetësh të zëvendësohet me një fjali të thjeshtë të një miqësie të paqenë, por të thënë tashmë kur arkivoli zbret në dhé.
2.
Dhe pastaj erdhi dita e paqenë e çlirimit të Prishtinës.
Edhe sivjet Komuna vazhdoi traditën e filluar para një çerekshekulli, kremtoi 11 qershorin si ditën kur më 1999 u çlirua Prishtina. Atë ditë, më 1999, nga një pikë e ngritur e qytetit pashë se si digjeshin disa kulme në qytet, në radio e TV përcillja ardhjen e ushtarëve rusë nga Bosnjë-Hercegovina e në mbrëmje deri në orën dy të mëngjesit dëgjoja e shihja zjarrin e pandërprerë të kallashnikovëve në qendër të Prishtinës, pjesë e kremtes së një pjese të popullatës serbe të qytetit me ushtarët rusë.
Prishtina nuk u dukej e çliruar atë ditë e atë natë popullatës së mbetur shqiptare në qytet. Por, një njësit i UÇK-së me gjasë kishte hyrë në një shtëpi në fshatin Kolovicë atë ditë më 11 qershor dhe ky fakt ka shërbyer për të ndërtuar një ligjërim që mbetet në hapësirën tonë publike tashmë çerekshekulli dhe që ka marrë formën e vet institucionale me shpalljen e ditës së çlirimit më 11 qershor.
Në rikapitullim historik - dhe kjo mbështetur në fakte të pamohueshme -“RFJ” dhe Serbia kapitulluan me Marrëveshjen ushtarako-teknike të Kumanovës më 9 qershor dhe trupat e NATO-s hynë në Kosovë më 12 qershor. Palët nënshkruese të Marrëveshjes ishin NATO dhe autoritetet e “RFJ”-Serbisë. Hyrja e forcave të NATO-s u bë nën Rezolutën 1244 të KS të OKB, me të cilën u vendos edhe administrimi civil i vendit.
Në historinë paralele, që jeton deri sot, UÇK-ja e ka çliruar Prishtinën... dhe Kosovën. Dhe pastaj rrëfimi çalon, sepse në histori ajo forcë që e çliron vendin edhe e administron, gjë që nuk ndodhi.
Po ta kishte çliruar UÇK-ja Prishtinën më 11 e Kosovën më 12 qershor, nuk do të kishte pasur UNMIK, negociata Ahtisaari, negociata në Bruksel... Por, kjo nuk i pengon historisë paralele: kjo ngjarje e paqenë vazhdon të jetojë me bindjen se po u përsërit vit pas viti, dikur të gjithë do ta besojnë.
3.
Ashtu, gradualisht, do të duhej të filloja të besoja edhe unë se fjalët që janë shqiptuar në një takim ku kam qenë, madje edhe fjalët e mia, do të jenë ashtu siç i ka shënuar një institut pa adresë, me një themelues, punëtor dhe drejtues, që të gjithë një njeri.
Këtë fundjavë doli sërish në hapësirën e medieve sociale një gjoja procesverbal nga takimi i presidentit Clinton me presidentin Rugova, kryeministrin Bukoshi dhe mua, në maj të vitit 1998, në Shtëpinë e Bardhë (kishin harruar dr. Aganin, që ka qenë gjithashtu në takim). Sipas këtij procesverbali, i sajuar në banalitetin e vet, presidenti Clinton, dr. Rugova, dr. Bukoshi dhe unë kishim kaluar takimin duke përgojuar Fatos Nanon e UÇK-në. “Falsifikim i plotë! Ose ndaç popullorçe: rrenë, fill e për pe!”, shkrova. Nuk kishte nevojë të thuhej se kjo ose ajo pjesë është false, i tërë transkriptimi ishte aq fals sa këto dy euro të lastrës që po shfaqen në Kosovë duken si napolona ari.
Ky falsifikim - me pretendimin se ka arritur disi në mënyrë sekrete të kuptojë fjalë për fjalë çka kemi folur në Shtëpinë e Bardhë - është i gjallë prej vitit 1998.
Kur u thuhet se është falsifikim, përgjigjja e propaganduesve të tij është pak a shumë: dëshmo që nuk është falsifikim.
4.
Umberto Eco kishte deklaratën e famshme në Torino më 2015 se “Mediat sociale ua japin legjioneve të idiotëve të drejtën për të folur, kur dikur flisnin vetëm në një bar pas një gote vere, pa dëmtuar komunitetin... por tani ata kanë të njëjtën të drejtë për të folur si një fitues i çmimit ‘Nobel’. Është pushtimi i idiotëve”.
Është edhe më keq akoma. Në këtë pushtim mbase i tërë ky shekull po kalon duke u ndërtuar një hapësirë publike në të cilën është fituar e drejta qytetare e gënjeshtrës dhe në vend se barra e përgjegjësisë t’u bjerë propaganduesve të gënjeshtrës që të dëshmojnë se ka të vërtetë në atë që thonë, kjo barrë na bie të gjithë ne të tjerëve. Me fjalët e Ecos, legjioni i idiotëve mund të lansojë çfarëdo të pavërtete dhe barra u bie të gjithë të tjerëve që të dëshmojnë se nuk është ashtu, një mision mbledhjeje puplash nga jastëkët në ushtrim industrial e të pafund shqyerjeje.
Në pushtimin e gënjeshtrës e vërteta objektivisht e verifikuar bëhet gjithnjë e më pak objektivisht e verifikuar, gjegjësisht e pranueshme si e tillë. Në atë hapësirë tash Informatori ishte mik me Bujarin, Prishtina u çlirua më 11 qershor dhe në Shtëpinë e Bardhë, kur Kosova digjej flakë, presidenti Clinton, dr.Rugova, dr. Bukoshi dhe unë merreshim me ndikimin e ideologjisë së majtë të Enver Hoxhës te veprimtaria e Fatos Nanos.
Hapi i ardhshëm është synimi që kjo të bëhet e kaluara, të cilën e pranojmë të gjithë.