Fakt është gjithashtu që të gjitha partitë politike parlamentare (përfshirë edhe VV-në, pos te rasti i parë, sepse atëherë nuk ka qenë parti parlamentare) i kanë respektuar dhe kanë vepruar sipas aktgjykimeve të Kushtetueses: edhe në rastin kur Sejdiu u detyrua të jepte dorëheqje, edhe kur seanca e zgjedhjes së Pacollit u shpall nule, edhe kur Qeveria Hoti u shpall antikushtetuese dhe u desh të shkohej në zgjedhje më 2021-n. Shikuar nga prizmi i atyre që u prekën nga vendimet e Kushtetueses, demokracia përfaqësuese u dëmtua. E nga prizmi i opozitës, drejtësia u vu në vend. Nga prizmi i qytetarëve, na i keni prishur nervat, kolektivisht
Afër vendvotimit tim gjenden dy furra që përgatisin pite shumë të mirë me spinaq. Në shkurt, fill pas votimit, “e qerasa” veten. E mora një trekëndësh për 2 euro.
Sot, fill pas publikimit të njoftimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me rezultatet e pakonsumuara të zgjedhjeve të shkurtit, shkova te po e njëjta furrë, me të njëjtin qëllim: për ta shijuar një trekëndësh piteje me spinaq. E mora, për 2.5 euro.
Pikërisht para një jave, ministri i gjithëdijshëm na e shkroi një status sipas të cilit “qarkullimi i bizneseve për 6 muajt e parë të vitit 2025 ka shënuar rekord prej 10.7 miliardë eurove”, që sipas tij, paraqet një rritje prej 10.3% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
E mendova me vete kush qenkan fatlumët që e paskan rritur qarkullimin. Rrufeshëm m’u kujtua KESCO, e më pas m’u kujtuan krejt pompat e benzinës dhe rrjetet e supermarketeve. Natyrisht edhe furra ime.
Rezultati i gjithë këtij qarkullimi historik është se dje e hëngra një çerek pite më pak. Në shkurt, me 10 euro mund t’i blija 5 trekëndësha. Dje mund t’i blija katër. Thuajse po e dëgjoj superministrin duke më thënë: është më e shëndetshme me hëngër më pak pite.
* * *
Dhe, i gjithëdijshmi ministër thuajse e lexoi një status timin në FB ku thosha se mezi prisja t’ia lexoja atij dhe Hykmete Bajramit interpretimet e njoftimit për aktgjykimin e ri të Kushtetueses. Interpretim nuk pati nga asnjëri. Pati triumfalizëm te Bajrami, hidhërim dhe refuzim te Murati. I tiji qe një reagim që sa pati të vërteta në to, pati edhe një dozë të theksuar viktimizimi, se ja, edhe Kushtetuesja është kthyer kundër VV-së.
Për ta shtuar viktimizimin edhe më shumë, doli edhe një status i Saranda Bogujevcit: “Demokracia përfaqësuese u anulua në Kosovë dhe nuk vlen më. Kot i fiton zgjedhjet, kot del i pari”.
E faktet që qëndrojnë janë si vijon:
Burimi i krizës së tanishme politike është Aktgjykimi i 2014-s që u miratua për t’i akomoduar interesat e PDK-së. Edhe ato atëherë kanë qenë zgjedhje parlamentare të një demokracie përfaqësuese, kur NUK u zbatua parimi se ai që e BËN shumicën, e jo ai që i ka fituar zgjedhjet, mund ta zgjedhë kryetarin/en e Kuvendit dhe ta krijojë qeverinë.
Pos që e “ofroi” një zgjidhje sui generis për formimin institucioneve legjislative e ekzekutive, ai aktgjykim e kishte lënë të pazgjidhur një paragraf të Kushtetutës: “Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve”.
Në këtë paragraf thuhej se kur duhej mbajtur mbledhja, por jo edhe kur do të mund të përfundonte. Dhe pikërisht kjo mungesë u shfrytëzua maksimalisht nga partia që i fitoi zgjedhjet më 2025, pa e pasur shumicën absolute për ta votuar kryeparlamentarin/en edhe/apo ta formonte qeverinë.
Fakt është gjithashtu që të gjitha partitë politike parlamentare (përfshirë edhe VV-në, pos te rasti i parë, sepse atëherë nuk ka qenë parti parlamentare) i kanë respektuar dhe kanë vepruar sipas aktgjykimeve të Kushtetueses: edhe në rastin kur Sejdiu u detyrua të jepte dorëheqje, edhe kur seanca e zgjedhjes së Pacollit u shpall nule, edhe kur Qeveria Hoti u shpall antikushtetuese dhe u desh të shkohej në zgjedhje më 2021-n. Shikuar nga prizmi i atyre që u prekën nga vendimet e Kushtetueses, demokracia përfaqësuese u dëmtua. E nga prizmi i opozitës, drejtësia u vu në vend. Nga prizmi i qytetarëve, na i keni prishur nervat, kolektivisht.
Tjetër fakt është se si në aktgjykimin e datës 26 qershor, ashtu edhe në këtë njoftimin e djeshëm, mungon një element kyç: sanksioni apo sanksionet çka nëse aktgjykimi nuk respektohet (siç ndodhi me aktgjykimin e shkuar). Nëse konstatohet, sikurse ndodhi me njoftimin e djeshëm, se kryesuesi i seancës e ka shkelur Kushtetutën, si bëhet që ai të vazhdojë ta kryesojë seancën edhe pas këtij gjykimi? Bëhet, se nuk parashihet se Dehari do të mund ta humbte mandatin, apo edhe t’i ndalohej udhëheqja e seancave, pavarësisht se është më i moshuari ndër deputetë.
Pra, njoftimi i djeshëm shndërrohet në “timeout-in” e dytë në këtë ndeshje të bajatshme pingpongu parlamentar, duke shpresuar se e treta do të jetë e vërteta dhe se mbase nga fundi i shtatorit do ta kemi edhe një saktësim nga Kushtetuesja, e cila që nga dje, mori rolin e urdhërueses – të asaj mësueseje imagjinare që me thupër në dorë të disiplinon e të fut në rend.
* * *
Saktësimin e sanksioneve e kërkoi nga Kushtetuesja kryetarja Osmani. Mundësinë e vetme në dispozicion e kishte “zgjidhjen e konfliktit të kompetencave”, për të cilën madje kërkoi masë të përkohshme.
Por, ajo ose ekipi i saj juridik, nuk e morën për bazë faktin se Kuvendi i pakonstituuar nënkupton se nuk ka institucion funksional, për pasojë edhe nuk mund të ketë konflikt kompetencash mes Kuvendit dhe Kryetares së Shtetit. E në mungesë konflikti, kërkesa e kryetares do të duhej shpallur e papranueshme. Paksa e turpshme për dikë që bart gradë doktori shkencash juridike.
Dhe, tri ditë para se të dilte njoftimi, Osmani thirri një konferencë urgjente për shtyp dhe tha se po e tërhiqte kërkesën. “Tërheqja e kësaj kërkese është e domosdoshme. Është absurde të pritet që rendi ynë kushtetues të mbrohet nga persona që, sipas institucioneve të sigurisë, e rrezikojnë atë”. E kishte fjalën për gjykatësin referues, serbin, Mirosllav Llaban.
Veprimi i kryetares Osmani qe panevojshëm teatral.
Më 2018, votimi për gjyqtarët e Kushtetueses në Kuvend ka qenë i fshehtë. Por në teori, edhe Osmani, atëherë deputete, ka mundur ta votonte Llabanin (në votim kanë marrë pjesë 115 deputetë dhe 2 vota kanë qenë të pavlefshme). Këtë natyrisht nuk e dimë dhe nuk mund ta paragjykojmë.
Si kryetare e shtetit dhe person që merr informata nga AKI në baza ditore (a nuk e tha këtë kur foli për parandalimin e një konflikti eventual që paskësh bërë Trumpi?), a është e mundur që të mos e ketë pasur këtë informatë që në ditën e parë kur e ka marrë postin?
Osmani tha se Llaban e cenon sigurinë kombëtare. Si bëhet pra që kërkesën t’ia nisë Kushtetueses në të cilën rri ulur edhe ky gjykatës? Dhe që për më tepër merr pjesë në vendimmarrje?
Paraqitje tejet jo e sinqertë, skandaloze me tendencë krijimi të një atmosfere paniku, pa fije nevoje. Pos nëse qëllimi ka qenë që Lllabani “të frikësohet” e të japë dorëheqje nga Kushtetuesja për ta lënë pa kuorum. E në atë rast do të ishim shteti i vetëm në Evropë pa Qeveri, pa Kuvend, pa Kushtetuese dhe së shpejti edhe pa kryetare. Keq. Shumë keq.
* * *
Cilat janë opsionet e mundshme?
1. Të gjithë e respektojnë aktgjykimin. Seanca e parë mbahet, ta zëmë, më 21 gusht. Dështon zgjedhja dhe çdo të gjashtën ditë ndërrohet kandidati për të mbërritur deri te data 20 shtator një ditë para se të kalojë afati i vendosur nga Kushtetuesja. Votohet kryetari i Kuvendit e me te edhe kryesia.
Thirret seanca e parë. Në rend të ditës: shpërndarja e Kuvendit të Kosovës. 120 deputetë votojnë për, ani pse mjaftojnë 80 vota.
Kryetarja i thërret partitë politike në konsultime. Më 25 shtator, ta zëmë, i shpall zgjedhjet e parakohshme: ose mbahen më 26 tetor ose më 9 nëntor.
2. Të gjithë e respektojnë aktgjykimin. Mbledhja mbahet më 21 gusht. Albulena Haxhiu kandidohet, kalojnë gjashtë ditë dhe nuk zgjidhet. Vjen data 27, del një kandidat i pranueshëm për opozitën e deridjeshme. Votohet. Kalohet te votimi i kryesisë dhe Kuvendi më në fund konstituohet.
Më 28 gusht, kryetarja ia propozon kandidatin për kryeministër të nominuar nga partia politike ose nga koalicioni që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvend;. Mandatari i ka 15 ditë për ta propozuar qeverinë e që Kuvendi ta votojë (kjo i bie data 12 shtator).
Qeveria nuk i ka numrat për të kaluar. Kryetarja, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Por, nuk përjashtohet që ajo të vendosë t'ia japë partisë ose koalicionit të parë mundësinë të propozojë kandidatin tjetër për kryeministër (pra, kjo kah 22 shtatori).
Nëse as këtë herë nuk kalon, atëherë kryetarja i shpall zgjedhjet që duhen të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre (që i bie më së voni më 2 nëntor).
3. Askush nuk e respekton aktgjykimin. Përfundon afati 30 ditësh. Nuk ka kryetar Kuvendi, s’ka as kryesi, për pasojë nuk ka Kuvend. Dy javë para skadimit të afatit, krejt partitë i çojnë kërkesa Kushtetueses. Kjo sërish merr masë të përkohshme dhe thotë dy javë shkoni në pushim... e mandej shohim nëse nxjerr konstatimin se kuvendi nuk është konstituuar në kundërshtim me aktgjykimet e saj, dhe që për pasojë duhet shpallur zgjedhje të reja.
Tashmë do të ishim në tetor, pak para zgjedhjeve komunale. Ideale për t’i caktuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare në kohë kur do të mbahet balotazhi nëpër komuna, që i bie katër të diela pas zgjedhjeve, apo 9 nëntori.
* * *
Nga opsionet e numëruara, mundet që nuk ia kam qëlluar asnjërës. Dhe nuk do të ndihesha keq nëse do të ishte ashtu. Përfundimisht më mungon imagjinata e politikanëve tanë dhe aftësia për t’i kthyer që të gjitha në interes personal.
Nesër do t’ua jap “edhe një xhiro” mendimeve, duke e shijuar një espresso të cilën më 9 shkurt e kam paguar 50 centë (çmimi i vlefshëm deri në orën 9:00), kurse dje e kam paguar 1 euro (në të njëjtin segment kohor). Dhe jo, ajo e 9 shkurtit nuk ka qenë “deri në gjysë”.
Thuajse po e dëgjoj superministrin duke më thënë: është më mirë për shtypjen e gjakut me pi më pak kafe...