OpEd

Testi i Leninit për zgjerimin

Që nga pushtimi rus i Ukrainës, BE-ja e ka rinjohur rëndësinë e zgjerimit si “investimin më të rëndësishëm gjeopolitik”. BE-ja në fjalët e Leninit është dakord, që kanë kaluar “dekada ku asgjë nuk ka ndodhur”, por tani dëshiron të na bindë se zgjerimi jeton ato “javë ku dekadat ndodhin”

Për kohë të gjatë vendet e Ballkanit Perëndimor janë lodhur nga fjalimet dhe premtimet e bukura që vinin nga Bashkimi Evropian. Dikur edhe vetë BE-ja pranoi se nuk ka gjë nga kjo punë dhe shpalli atë moratoriumin e famshëm të Junkerit. Kjo është edhe arsyeja përse sot shumëkush merr me skepticizëm këtë entuziazmin e ri të BE-së për zgjerimin. Por, përkundër kësaj, nuk mund të mos pranojmë se sot fryn një erë e re nga BE-ja. Këtë e shohim jo në fjalimet e tyre, por në aktet e tyre politike. Para pak kohësh BE-ja mori vendimet për zgjerimin që nuk mori me vite të tëra. Bosnja mori statusin e vendit kandidat. Shqipëria, Ukraina dhe Moldavia filluan negociata. Ne fituam liberalizimin e vizave. Dhe në përputhje me atë moton e vjetër “put your money where your mouth is”, BE-ja ndau edhe gjashtë miliardë euro për të përshpejtuar reformat evropiane dhe përafrimin e rajonit me BE-në. 

Dhe e gjithë kjo u shoqërua me një rritje të konsiderueshme të përafrimit dhe komunikimit politik dhe diplomatik ndërmjet BE-së dhe rajonit. I pari ishte ish-presidenti i Këshillit Evropian, z. Charles Michel, i cili theu akullin me zotimin e tij për zgjerimin e BE-së drejt rajonit tonë deri në vitin 2030. Pas tij ishim dëshmitarë të një numri të vizitave të nivelit të lartë drejt rajonit tonë për të komunikuar po të njëjtin mesazh. Në fund të vitit të kaluar presidentja e Komisionit Evropian, znj. Ursula von der Leyen, vizitoi të gjitha vendet e rajonit për t’i bindur se gjërat kanë ndryshuar. Javën e kaluar presidenti i Këshillit Evropian, z. António Costa, vizitoi rajonin tonë. Këtë javë përfaqësuesja e re për Politiken e Jashtme të BE-së do t’i vizitojë Beogradin, Prishtinën dhe Shkupin. 

Pra qartazi, ndryshe nga e kaluara, kësaj radhe BE-ja është duke treguar vullnetin e saj për zgjerimin drejt rajonit tonë, jo me fjalimet e bukura, por me akte politike. Është e rëndësishme që vendet e rajonit ta njohin këtë momentum të ri politik brenda BE-së. Disa vende të rajonit duket që janë duke njohur këtë mundësi, ndërsa disa të tjera rrezikojnë të ngelin mbrapa. Vizita e fundit e presidentit të Këshillit Evropian, z. Antonio Costa, ishte indikator i bukur i perceptimit të Brukselit për vendet e rajonit. Fjalimet e tij i ndanë gjashtë vendet e rajonit në dy grupe: fituesit dhe humbësit e këtij momentumi politik. Këtë e kuptojmë nga çfarë tha presidenti Costa në secilin nga gjashtë vendet. 

Në rastin e Malit të Zi dhe Shqipërisë, gjuha e Costes ishte jashtëzakonisht optimiste. Në Podgoricë ai foli për mundësinë reale të anëtarësimit të Malit të Zi në BE deri në vitin 2028. Për te Mali i Zi është “shembulli më i bukur i momentumit pozitiv të zgjerimit të BE-së”. Në Tiranë, Costa përsëriti pothuaj të njëjtën fjali kur tha se “Shqipëria mishëron momentumin e zgjerimit të BE-së”, duke e bërë të qartë kështu se nëse Shqipëria vazhdon me këtë ritëm, atëherë “është tërësisht e mundshme që Shqipëria të anëtarësohet në BE para vitit 2030”. 

Nga ana tjetër, vizita e Costas në Beograd, Sarajevë, Prishtinë dhe Shkup ishte shumë më pak festive. Në fakt, në secilin nga këto vende Costa shkoi me një listë detyrash. Në Serbi, Costa bëri të qartë se BE-së po i mbaron durimi me vonesat e Serbisë në ndërmarrjen e reformave në fushën e lirisë së mediave, luftën kundër korrupsionit dhe reformës zgjedhore. Vonesat e mëtutjeshme të Serbisë rrezikojnë që Serbia të humbë vendin e udhëheqësit rajonal për anëtarësim në BE. Në Bosnjë, Costa shfaqi brengosje për retoriken secesioniste të Republikës Sërpska dhe veprimet që minojnë integritetin dhe sovranitetin e Bosnjës-Hercegovinës. Në Kosovë, Costa nënvizoi se “vendi i Kosovës është brenda familjes evropiane”, por për të arritur këtë kërkoi “progres të prekshëm dhe real në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve”. Ai njëkohësisht kërkoi nga Kosova që të jetë “partner i qëndrueshëm dhe konsistent” dhe në këtë sfond kërkoi marrjen e masave për deeskalimin e gjendjes në veri në mënyrë që të mundësohet heqja e masave të BE-së. Në Maqedoninë e Veriut – vend i cili dikur ishte para Kroacisë - kryeministri Mickoski nuk fshehu mllefin kur iu ankua Costes se “jemi në të njëjtin vend qe njëzet vjet”. Ngushëllimi i vetëm i Costes ishte se “procesi i anëtarësimit është maratonë e jo sprint”. 

Që nga pushtimi rus i Ukrainës, BE-ja ka rinjohur rëndësinë e zgjerimit si “investim më i rëndësishëm gjeopolitik”. BE-ja në fjalët e Leninit është dakord që kanë kaluar “dekada ku asgjë nuk ka ndodhur”, por tani dëshiron të na bindë se zgjerimi jeton ato “javë ku dekadat ndodhin”. Se a do ta kalojë BE-ja këtë test të Leninit apo jo ngelet punë e tyre. E jona mbetet që të bëjmë punët tona dhe të mos humbasim këtë mundësi para nesh. Po e humbëm edhe këtë, do të na duhet të presim edhe disa dekada të tjera të Leninit.