OpEd

Tempulli që mungon, shteti që hesht

Nëse kjo kolumne na e kujtoi mjerimin kulturor të një shoqërie, që akoma s’ka një sallë koncertale për artistët e vet më të mëdhenj dhe njëherësh dështimin e një shteti për t’i mbrojtur të vetët, në përballje me agresionin juridik e diplomatik të Serbisë, atëherë mesazhi i saj është i qartë: Pa vetëdije për vlerat, që duhen kultivuar dhe pa guxim për t’i mbrojtur themelet e shtetësisë, Kosova mbetet e ekspozuar – artistikisht e politikisht – nën qiellin e hapur të neglizhencës dhe nën kërcënimin e një fqinji, që as nuk i fsheh më synimet e tij kriminale

Prolog

Kjo është kolumna e 55-të që po e shkruaj për KOHËN, prej se kam filluar si kolumnist i rregullt në vitin e kaluar. Rastësisht, kjo kolumne jubilare, koincidoi me ditëlindjen time jubilare të 55-të, të cilën po e festoj gjatë kohës sa po i shkruaj këta rreshta. Prandaj, një pjesë të kësaj kolumneje po ia kushtoj kulturës dhe  artit, si pasion personal. Për këtë shkak, për dallim nga kolumnet e zakonshme, në të cilat e trajtoj një temë, kësaj radhe do ta ndajë në dy tema aktuale, ngase mendoj që secila prej tyre e meriton vëmendjen publike, duke qenë se kanë të bëjnë me interesin publik, me emancipimin dhe me sigurinë e Kosovës.

1.

Të dielën e shkuar, së bashku me bashkëshorten time, ishim në koncertin e sopranos së njohur shqiptare, Ermonela Jaho. Koncerti i saj dhe i Filharmonisë së Kosovës u mbajt nën qiellin e hapur, te sheshi i Skënderbeut në Prishtinë. Edhe vitin e kaluar, në po të njëjtin vend, u mbajt koncerti i tenorit të njohur kosovar, Ramë Lahaj. Që të dy, pas performancave të mrekullueshme e të cilat i ofruan publikut përjetim të veçantë artistik, e patën një porosi për autoritetet kosovare. Që të dy uruan që koncertet e radhës t’i mbajnë në një sallë koncertale, siç u ka hije ngjarjeve të tilla kulturore me peshë. Mirëpo, as 25 vjet pas çlirimit, Prishtina, kryeqytet i një shteti, nuk ka sallë koncertale. Për këtë, përgjegjësinë kryesore e kanë autoritetet qendrore dhe ato komunale të Prishtinës. Me gjithë vlerat e padiskutueshme që ia dhuroi publikut Ermonale Jaho, e para saj edhe Ramë Lahaj, mbajtja e koncerteve në qendër të qytetit, nën qiellin e hapur, është e papërshtatshme për artistë kulminantë të muzikës klasike. Është sikur kur dikush e mbulon fytyrën me gjethe të fikut, sepse kështu mendon se e mbulon marren, e cila i shihet ashiqare.

Duke qenë se nuk jam kritik i artit, po përqendrohem në atmosferën e mbajtjes së koncerteve nën qiellin e hapur në qendër të Prishtinës. E para, njerëzit nuk e përjetojnë sa duhet koncertin, sepse nuk e kanë përshtypjen se janë në koncert. Sheshi është i mbushur me njerëz, që rrinë në rrugë e nëpër kafene dhe bisedojnë. Në një koncert operistik në publik duhet të mbretërojë qetësia. Kjo mund të arrihet në një ambient të përshtatshëm për koncert, e që qielli i hapur në qendër të Prishtinës nuk e ofron këtë. Bisedat me zë të lartë vazhdonin derisa Ermonela Jaho po këndonte. Era e qofteve dhe e qebapëve nga një qebaptore, që ndodhet në shesh, i jepte një dimension rustikal mjerimit kulturor në të cilin gjendemi. Në një pikë të koncertit, u dëgjua britma e motorit të një automjeti, që po kalonte me shpejtësi në rrugën Agim Ramadani, por kësaj radhe, duke qenë se koncerti filloi në orën 20:30, nuk u dëgjua ezani nga xhamitë që ndodhen atypari, sikur që dëgjoheshin në koncertet e viteve të kaluara. I përgëzoj organizatorët për këtë koordinim. Në koncertin e Ramë Lahajt vitin e shkuar, madje dëgjohej muzika nga një koncert tjetër, që mbahej në
sheshin “Adem Jashari”.

Me gjithë premtimet e përvitshme të autoriteteve komunale e atyre qendrore se në vitin pasues Prishtina do të ketë një sallë koncertale, ky premtim po mbetet i parealizuar për më shumë se dy dekada. Jam dëshmitar kur në vitin 2023, kryetari i Prishtinës, në mbyllje të Chopin Piano Fest, premtoi se në vitin pasues ky festival prestigjioz do të mbahet në sallën koncertale për të qenë, e cila do të ndërtohej gjatë atij viti. Por, faji nuk është vetëm i autoriteteve. Faj ka edhe komuniteti artistik dhe shoqëria civile, që e kundërshtuan ndërtimin e sallës koncertale në shtëpinë e mallrave, që ndodhet në qendër të Prishtinës, me mjete të Bashkimit Evropian.

Tani, ato para, për shkak të sanksioneve, nuk janë më në dispozicion. Kundërshtimi i tyre, me arsyetimin e përçudmë se shkallët vetëlëvizëse të shtëpisë së mallrave nuk bën të preken, sepse janë trashëgimi e qytetit, po e lënë Prishtinën pa kulturë. Në një nivel pallanke, në të cilën nuk ka vend për t’u mbajtur ngjarje të rëndësishme artistike. Sa për autoritetet, ato kanë treguar se nuk kanë vizion dhe se kulturën nuk e shohin si instrument zhvillimor e emancipues, por si një të keqe të domosdoshme, me të cilën merren disa njerëz, të cilëve nuk ua sheh nevojën e as hajrin askush.

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Prishtinës duhet të skuqen nga turpi për dështimin e tyre, që vendit t’ia ofrojnë një tempull kulturor, ku do të mbaheshin ngjarje kulturore për të qenë. Në vend të tyre, do të isha skuqur nga aludimet e Lahajt dhe Jahos për mungesën e një tempulli të tillë. Do të skuqesha nga era e qebapëve, zhurmat dhe qielli i hapur, nën të cilin po organizohen koncertet e artistëve kulminantë të muzikës klasike.

2.

Gjatë kësaj jave, në Serbi u ndalua dhe u arrestua ish-pjesëtari i policisë speciale të Kosovës, Arbnor Spahiu, me akuzën për, siç thuhet, “vrasje të rëndë” në Banjskë në shtator të vitit 2023. Sipas informacioneve, Spahiu nuk kishte qenë fare pjesëtar i Policisë së Kosovës gjatë sulmit terrorist të Radojçiqit me shokë, në të cilin u vra polici në detyrë, Afrim Bunjaku. Por, edhe po të ishte, reagimi i Policisë së Kosovës nuk mund të cilësohet si “vrasje e rëndë”, por si intervenim për shpërbërjen e një grupi terrorist,  që e kreu krimin e vrasjes së rëndë të një polici të Kosovës. Me aktin e arrestimit të Arbnor Spahiut, Serbia jo vetëm që po tregon se nuk e ka ndërmend ta ndjekë penalisht Radojçiqin me shokë për krimin e kryer në Banjskë, por edhe se vetë shteti serb është pjesëmarrës në këtë krim monstruoz, të cilin po e përligj duke akuzuar pjesëtarë e ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Me akuzën ndaj Spahiut, Serbia po kryen agresion mbi Kosovës, sepse ajo nuk ka juridiksion të akuzojë pjesëtarë të organeve të rendit e të sigurisë së Kosovës, as sipas Rezolutës 1244, as sipas vendimit të Gjykatës ndërkombëtare, e aq më pak për faktin se Kosova është shtet i pavarur dhe se në territorin e saj, të vetmet forca, që kanë juridiksion, janë institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë së Kosovës.

Me arrestimin dhe me akuzat kundër Spahiut, Serbia po e pranon se është sponsoruese e sulmit terrorist të Banjskës dhe se qëndron prapa këtij sulmi. Në anën tjetër, mungesa e reagimit të institucioneve më të larta ekzekutive të Kosovës, siç janë kryeministri në detyrë dhe presidentja, mosthirrja e një takimi urgjent me ambasadorët e QUINT-it dhe të BE-së, tregon për mangësitë serioze politike që i ka Kosova. Përderisa Serbia edhe në Këshillin e OKB-së është ftuar që të ndjekë penalisht akterët e Banjskës, që ndodhen në territorin e saj, ajo po e bën të kundërtën: Po inicion procedura penale ndaj një pjesëtari të forcave të rendit, duke i vënë nën kanosje të gjitha institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë në Kosovë, duke e zbatuar kështu planin famëkeq të Vuçiqit, për gjoja mbrojtjen e serbëve të Kosovës nga “represioni i shqiptarëve”, siç kanë dëshirë të shprehen ata. Ky akt duhet të trajtohet si agresion juridik e diplomatik, dhe si i tillë duhet të kundërshtohet me mjete diplomatike e ligjore, sepse pjesëtarët e policisë, të AKI-së dhe të organeve të drejtësisë nuk duhet ta ndiejnë veten të kërcënuar nga veprimet kriminale e agresore të shtetit serb.

Më e pakta që ka mundur të bëjë kryeministri në detyrë e deputeti, Albin Kurti, është që ta anulojë takimin trepalësh mes Besnik Bislimit, Petar Petkoviqit e Peter Sorensen, në shenjë proteste për arrestimin e Arbnor Spahiut, sepse dialogu nën rrethana agresioni nuk mund të bëhet.

Kështu, do të tërhiqej vëmendja e BE-së ndaj këtij akti kriminal të Serbisë dhe ndjekja penale e Radojçiqit, e cila sikur ka rënë në harresë, do të riaktualizohej, kurse Serbia do të dënohej për arrestimet e tilla që janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Epilog

Nëse kjo kolumne na e kujtoi mjerimin kulturor të një shoqërie, që akoma s’ka një sallë koncertale për artistët e vet më të mëdhenj, dhe njëherësh dështimin e një shteti për t’i mbrojtur të vetët, në përballje me agresionin juridik e diplomatik të Serbisë, atëherë mesazhi i saj është i qartë: Pa vetëdije për vlerat që duhen kultivuar dhe pa guxim për t’i mbrojtur themelet e shtetësisë, Kosova mbetet e ekspozuar – artistikisht e politikisht – nën qiellin e hapur të neglizhencës dhe nën kërcënimin e një fqinji, që as nuk i fsheh më synimet e tij kriminale.