OpEd

Të mbash hapin me çmimet

Qeveria duhet të shmangë vendimet me efekte të përhershme si reagim ndaj një zhvillimi të përkohshëm

Nga muaji korrik i këtij viti çmimet e konsumit kanë shkuar duke u ngritur. Muaji tetor pritet të jetë me rritjen më të madhe të çmimeve, por për këtë duhet pritur të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Të dhënat e ASK-së për çmimet janë të dhënat të cilat përditësohen më së shpeshti, duke publikuar të dhëna mjaft të detajuara në baza mujore, për dallim nga të dhënat në fusha të tjera që nuk publikohen me vite.

Ngritja e çmimeve gjatë 2021-tës pritet të jetë më e larta që nga viti 2012. Deri në fund të shtatorit çmimet janë rritur mesatarisht për 2.34%. Rritja më e lartë e çmimeve e regjistruar ndonjëherë në Kosovë ka qenë në vitin 2011, ku çmimet u rritën për 7.4%.

Ajo çfarë ka ndikuar në masë të madhe në ngritjen e çmimeve është edhe mungesa e prodhimit energjetik. Politikat globale për arritjen e caqeve të dekarbonizimit, si dhe mungesa e prodhimit të gazit në Rusi dhe naftës nga vendet e OPEC-ut ka bërë që çmimet e energjisë të rriten dhe rrjedhimisht edhe çmimet e prodhimit.

Kursimet e konsumatorëve gjatë pandemisë, të mbështetura edhe me skema sociale të qeverive, ku besohet që mbi 10 trilionë dollarë janë dhënë në formë të pakove financiare për konsumatorët, kanë bërë që qytetarët të rrisin shpenzimet. Por, prodhuesit nuk po arrijnë që të mbajnë hapin me konsumin dhe kjo ka bërë që të ketë mungesë të shumë produkteve në treg. Mungesa e prodhimit ka bërë që çmimet të ngrihen në mbarë botën.

Si vend me deficitin më të lartë tregtar në Evropë, Kosova është e prekur nga lëvizja e çmimeve në vendet e tjera. Deficiti tregtar ka shkuar duke u rritur vazhdimisht në dy dekadat e fundit, ku nga 673 milionë euro deficit tregtar më 2001 kemi arritur në mbi 3 miliardë euro deficit në vitin 2019. Në mesatare, rritja e çmimeve në Kosovë është më e ulët sesa në vendet e Eurozonës (3.4%) e ShBA (5.4%), apo edhe vendet e rajonit, si Shqipëri (2.5%) e Serbi (2.7%).

Goditjen më të madhe gjer më tani nga rritja e çmimeve e ka pësuar fabrika “Ferronikeli”, e cila e ka ndaluar prodhimin. Kjo do të ketë efekt në eksport dhe në të ardhurat e rreth dy mijë familjeve.

Ndaj rritjes së çmimeve ka reaguar Qeveria, e cila javën e kaluar mori vendim që të rriten pagesat për familjet që përfitojnë nga skema sociale, duke ndarë nga 100 euro shtesë për të gjithë përfituesit apo 30 milionë euro në total nga Buxheti i shtetit. Kjo masë nga shumëkush u pa si veprim për të ndikuar në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, mirëpo ishte veprimi më i duhur që mund të merrte qeveria për një kohë të shkurtër. Një familje katëranëtarëshe në skemën e ndihmës sociale merr 97.5 euro, asistencë e cila nuk arrin t’i nxjerrë as nga kufiri i varfërisë.

Ajo çfarë duhet të evitohet me çdo kusht është rritja e pagave në sektorin publik si reagim ndaj rritjes së çmimeve. Përderisa inflacioni kumulativ është rritur për 12.24% në periudhën 2012-2021, mesatarja e pagave neto në nivel vendi është rritur për 19.5%.

Paga mesatare në sektorin publik dhe në ndërmarrje publike për të njëjtën periudhë është rritur më shumë apo për 50.8%, respektivisht 35.4%. Kurse në sektorin privat rritja e pagave ka qenë më e ngadalshme, vetëm për 11% apo nën shkallën e inflacionit. Dallimi në pagën mesatare neto në mes të sektorit privat dhe publik është plot 210 euro në favor të sektorit publik. Andaj nëse asgjë tjetër, institucionet duhet të vendosin një moratorium sa i përket ngritjes së pagave në sektorin publik.

Paga minimale ka mbetur e njëjtë që nga viti 2011, 130 euro për personat nën moshën 35-vjeçare dhe 170 euro për personat mbi moshën 35-vjeçare. Hendeku në mes të pagës minimale dhe pagës mesatare neto është duke u rritur, ku nga 37.3% sa ishte në vitin 2020 për personat nën moshën 35-vjeçare dhe 50.2% për ata mbi moshën 35 vjeç, në vitin 2020 ka rënë në 31.25%, respektivisht në 40.87%. Andaj, më së largu në muajin dhjetor Qeveria e Kosovës do të duhej të merrte vendim që paga minimale të rritet së paku për të akomoduar rritjen e çmimeve nga viti 2011 e tutje.

Situata me çmime është rënduar edhe për shkak të mosfunksionalitetit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës. Që nga 9 qershori AKK është pa kryetar, si dhe Komisionit i ka kaluar mandati po ashtu. Ditëve të fundit kemi parë deklarata publike ku furrtarët apo shoqatat e floktarëve pranojnë hapur se ka pasur marrëveshje për rritjen e çmimeve, diçka që do të parandalohej në rast se AKK do të ishte funksionale.

Parashihet që nga muaji nëntor të fillojë stabilizimi i çmimeve, atëherë kur prodhimi i energjisë dhe produkteve të naftës do të marrë hov më të madh. Andaj qeveria duhet të shmangë vendimet me efekte të përhershme si reagim ndaj një zhvillimi të përkohshëm.