OpEd

Të formohet sa më parë Qeveria e Gjermanisë

Pa ironi, kryeministrat e vendeve të BE-së sikur edhe ata të Ballkanit do të duhej të përcillnin dëshirën e tyre që sa më shpejt të formohet Qeveria e Gjermanisë. Disi ngjashëm me porositë që dërgojnë ambasadorët e Gjermanisë pas zgjedhjeve në vendet e Ballkanit. Sepse nuk ka shumë kohë për të humbur as për BE-në e as për Ballkanin. E pa një qeveri stabile në Gjermani, të vendosur për reforma, BE-ja nuk do të ketë liderë të duhur për të ecur përpara e me këtë do të pësojë edhe rajoni i Ballkanit.

Para disa muajsh nga vendet e rëndësishme evropiane, përfshirë edhe Gjermaninë, subjekteve politike në Kosovë u dërgohej mesazhi që sa më shpejt të gjejnë një rrugëdalje nga ngërçi politik dhe të formojnë qeverinë, sepse nuk kanë shumë kohë për të humbur. Po ashtu thoshin se edhe nëse do të zhvilloheshin zgjedhjet e reja ato nuk do të ndryshonin shumë, sepse përsëri do të duhej të arrihej një kompromis mes atyre që do të fitonin vendet në Parlament dhe me këtë do të bëheshin protagonistë të pazareve për formimin e qeverisë.

Kësaj radhe ndoshta do të duhej vepruar në anën tjetër. Nuk do të ishte e paduhur, e as qëllimkeqe apo provokim, sikur kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, presidenti Hashim Thaçi, apo cilido lider tjetër i ndonjë vendi të Ballkanit Perëndimor të kërkojë që sa më shpejt të formohet Qeveria e Gjermanisë. Sepse nuk ka shumë kohë për të humbur as për BE-në e as për Ballkanin. E pa një qeveri stabile në Gjermani, të vendosur për reforma, BE-ja nuk do të ketë liderë të duhur për të ecur përpara e me këtë do të pësojë edhe rajoni i Ballkanit.

Kriza në të cilën ka hasur procesi i formimit të koalicionit të ri qeverisës në Gjermani pa dyshim që e ka shqetësuar Bashkimin Evropian, sepse pas zgjedhjeve u duk sikur nuk ka vend për shqetësim dhe se kancelarja Merkel do të arrijë të formojë qeverinë me partnerë të rinj dhe të vjetër, me Liberalët dhe të Gjelbrit, dhe me Socialdemokratët në opozitë do të amortizohej edhe roli i së djathtës ekstreme të AFD-së, e cila ka shënuar rritje të madhe në zgjedhjet e fundit.

Pas zgjedhjeve të fundit në Gjermani Evropa nuk shqetësohej shumë, sepse ishte krijuar përshtypja se kushdo që të fitojë, kushdo që të formoj qeverinë, do të vazhdojë përkushtimin e Gjermanisë ndaj BE-së. Natyrisht se nga Evropa partitë e ndryshme u shprehën mbështetje partive simotra që vinë nga grupet e njëjta partiake. Përkushtimin ndaj BE-së nuk e vinte në dyshim asnjë nga partitë kryesore, as dy të mëdhatë, CDU-CSU, nga qendra e djathtë, dhe SPD nga qendra e majtë. Me disa ndryshime në qasje të përkushtuar pa rezervë ndaj BE-së ishin edhe Liberalët dhe të Gjelbrit. Mbetej vetëm e djathta ekstreme, rritja e së cilës u kuptua si turp nga gjermanët, por e cila në asnjë mënyrë nuk mund të marrë pjesë në qeverinë e këtij shteti.

Kosova po ashtu ka pasur për shumë vjet mbështetjen e Gjermanisë pa marrë parasysh se kush ka qenë në pushtet. Për të që në vitet e nëntëdhjeta, kur zhvillohej lufta në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë, e në Kosovë aparteidi i regjimit të Milosheviqit, ishte angazhuar ministri liberal Klaus Kinkel, pastaj ndërhyrjen në NATO e bëri Koalicioni i majtë i Social Demokratëve dhe të Gjelbërve, kancelari Shroder dhe ministri i Jashtëm, Fisher, ndërsa njohjen e pavarësisë e bëri koalicioni i madh i CDU-së dhe SPD-së, kancelarja Merkel dhe ministri Steinmayer. Kjo nuk do të ndryshojë, sepse edhe sot, përfshirë edhe Parlamentin Evropian, Kosova ka mbështetje të madhe edhe nga të djathtët e qendrës CDU, të majtët e SPD-së, nga Liberalët edhe nga të Gjelbrit. Prandaj nga ky aspekt askush në Kosovë nuk duhet të shqetësohet për rezultatin e zgjedhjeve në Gjermani, por më mirë të merren me punët që vetë Kosova duhet t’i kryejë e nuk po i bën.

Por nëse Gjermania tash hyn në një proces të paqartë politik, nëse dobësohet fuqia e kancelares Merkel, atëherë shumë projekte të cilat BE-ja mendon t’i shtyjë përpara në vitin 2018 do të vijnë në pikëpyetje. Edhe mënyra se si do të veprojë Bashkimi Evropian në procesin e dhimbshëm të daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja do të bëhet edhe më i vështirë.

Rezultati i zgjedhjeve të fundit, edhe pse nuk ishte shqetësues, ishte kuptuar si një goditje për forcat demokratike, proevropiane, në Gjermani, e sidomos për dy partitë më të mëdha që ishin deri tash në koalicionin e madh. Edhe CDU-ja e zonjës Merkel si fituese shënoi rënie të votave. SPD-ja ra në nivelin më të ulët në historinë e pasluftës së Dytë Botërore dhe kjo bëri që të përjashtojnë mundësinë e hyrjes në qeveri, qoftë edhe përmes koalicionit të madh, sepse në të si partner i dytë shënon vetëm rënie. Goditje e rëndë u kuptua hyrja ne Bundestag e partisë së ekstremit të djathtë, antiislamike dhe anti-BE, Alternativës për Gjermaninë (AFD). Kjo parti tejkaloi edhe sondazhet dhe doli e treta me afro 14 për qind të votave. Kancelarja Merkel mendohej se do të lidhte koalicion deri më tash të paprecedencë me Liberalët dhe të Gjelbrit. Kjo për shkak se nuk do t’i dalin votat e CDU/CSU-së dhe të Liberalëve dhe duhet të tentojnë t’i marrin të Gjelbrit. Tradicionalisht në Gjermani CDU/CSU ka shkuar me Liberalët, ndërsa SPD-ja me të Gjelbrit, në të kundërtën kanë bërë koalicionin e madh. Ky koalicion i madh është dëshmuar të jetë i mirë për ekonominë gjermane, por edhe për Bashkimin Evropian. Prandaj tash, pas dështimit të krijimit të qeverisë me koalicionin e Xhamajkës, u kthye opsioni i krijimit të koalicionit të madh. Kjo, sado politikisht e vështirë, do të ishte më mirë sesa zgjedhjet e reja në Gjermani dhe hyrja e këtij shteti në një fazë të pasigurisë politike.

Mes qendrës së majtë dhe asaj të djathtë gjermane nuk ka dallim sa i përket të ardhmes së BE-së në parim, por ka dallim sa u përket masave shtrënguese financiare. Konservatorët duan të kursehet, ndërsa të majtët që të investohet më shumë. BE-ja ka problem me Gjermaninë, e cila nuk është edhe shtet aq i disiplinuar evropian sa mendohet. Edhe Gjermania është në shkelje të rregullave makroekonomike të BE-së, sepse ka për një periudhë të gjatë suficit buxhetor. Pra, këtij shteti i shkon aq mirë saqë i teprojnë me dhjetëra miliarda euro në vit dhe javën e shkuar Komisioni Evropian përsëriti se Gjermania për këtë shkak ka disbalancë të tepruar makrofinanciare. Dhe ky është problem, sepse në të njëjtën periudhë kur gjermanët kursenin, pjesa tjetër e BE-së ishte në krizë financiare.

Për tërë Evropën dhe për Ballkanin po ashtu një qeveri e fortë dhe stabile gjermane është e domosdoshme sidomos në kohën kur në Shtëpi të Bardhë në Washington është Donald Trumpi, një president i paparashikueshëm. Në anën tjetër, Mbretëria e Bashkuar po del nga BE-ja në një kohë kur po përballet me një krizë të llojit të vet politik të brendshëm. Gjermania në këto rrethana është parë madje si një oazë e stabilitetit politik perëndimor dhe si një lloj lidereje e botës së lirë.

Dobësimi i rolit të Gjermanisë do të mundë të vërehej edhe në rastin e zgjerimit të BE-së, proces të cilin vetëm me vullnet të fortë të Berlinit mund ta shtyjë përpara Brukseli. Kosova, e cila krahas Berlinit mbështetësin kryesor në BE e ka pasur Londrën, do të mbetej si një lloj jetimi në BE sikur Gjermania të mos angazhohej në favor të saj, qoftë përmes kushtëzimit të Serbisë apo përmes kontributit të saj në misionet në Kosovë apo edhe ndihmës që BE-ja i jep Kosovës. Prandaj do të ishte edhe në interes të Kosovës që në Berlin sa më parë të formohej qeveria dhe që gjermanët të mos humbin më shumë përmes zgjedhjeve të reja.