OpEd

Stabilokracia, premtimi për reforma dhe meritokracia (apo autokracia) II

Nëse një parti arrin ta marrë votën për shkak të meritës që e ka për programin e mirë qeverisës, për mirëqeverisjen e saj, atëherë do të kemi të instaluar meritokracinë si parim i udhëheqjes politike. Deri atëherë, do të jemi qytetarë të rendit të dytë, ku partitë politike nuk ndiejnë përgjegjësi para popullit sepse e marrin mbështetjen e tij për të qenë. Derisa të mos ndryshojë kjo situatë, nga stabilokracia, po rrëshqasim me shpejtësi drejt autokracisë

Për sa po filloj ta shkruaj këtë kolumne, i kam dyshimet se mos ka qenë më mirë që në titull, fjala meritokraci të zëvendësohet me fjalën autokraci, sepse për shumëkënd, në 4 vjetët e fundit, Kosova e ka pasur një qeverisja autokratike, ku të gjithë penjtë i ka tërhequr një njeri: kryeministri tashmë në detyrë, Albin Kurti. Pra, a ka kaluar Kosova nga stabilokracia në meritokraci apo në autokraci? Përgjigjja ime në pyetjen se a ka qenë qeverisja e kaluar katërvjeçare e LVV-së autokratike, është Jo. Por nuk ka qenë as meritokratike.

Mbase shumëkush do të më kundërshtonte në këtë përgjigje, duke thënë se si është e mundur që Albin Kurti nuk ka qenë autokrat, kur të gjitha vendimet i ka marrë vetë dhe kur jeta parlamentare ka qenë e reduktuar në vulosjen e vendimeve të Qeverisë, dhe kur ka munguar llogaridhënia parlamentare? Këtij i them argument i bazuar, por jo krejtësisht i vërtetë. Arsyeja për këtë është se në Kosovë nuk jemi mësuar që një parti të qeverisë e vetme (hiq partitë e komuniteteve joshumicë) dhe se kur qeveris një parti politike, vendimet kryesore i merr shefi i Qeverisë, kurse disiplina partiake e bën të veten. Vende të tilla, ku një parti qeverisë e vetme dhe disiplina partiake në Parlament është e theksuar, ka shumë. Ndër to është Mbretëria e Bashkuar, tradita politike e së cilës është udhëheqja e Qeverisë nga një parti dhe një Parlament, ku votën e deputetëve e përcakton disiplina partiake. Pra, lideri i partisë përderisa është kryeministër, i merr të gjitha vendimet dhe shumica parlamentare i nënshtrohet vullnetit të ekzekutivit.

Mirëpo, dallimi në mes të Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës është se atje ka edhe debate parlamentare të nxehta, kurse niveli i llogaridhënies dhe sundimit të ligjit është shumë i lartë. Pavarësisht se kryeministri gëzon pushtet të madh, ai ndodhet nën llupën e opozitës, mediave, institucioneve të gjyqësorit e kështu me radhë, ndërkaq edhe llogaridhënia brendapartiake është mjaft e lartë. Tekefundit, në Mbretërinë e Bashkuar nuk ka lider të përjetshëm partiak sikur në Kosovë. Lideri i Partisë Laburiste ose Konservatore jep dorëheqje në momentin që partia e tij i ka humbur zgjedhjet, apo kur e humb besimin e partisë së tij/saj. Kështu, gjatë qeverisjes së Partisë konservatore në mandatet e kaluara u ndërruan pesë kryeministra, për shkak se e kishin humbur besimin e publikut dhe partisë së tyre. Kjo ndikoi që në zgjedhjet e fundit të fitojë Partia Laburiste për herë të parë pas 15 vjetësh të pushtetit të Partisë Konservatore.

Siç e thashë në fillim, vota e 14 shkurtit 2021 nuk ka qenë votë e meritës për LVV-në. Ajo më shumë ka qenë votë mllefi qytetar dhe votë ndëshkuese për partitë tradicionale politike, PDK, LDK dhe AAK, të cilat e qeverisën Kosovën për dy dekada përmes makinacioneve politike e kushtetuese, që prodhonin kriza politike të njëpasnjëshme, siç ka qenë aktgjykimi famoz i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014, kur e drejta për të propozuar kandidat për kryetar të Kuvendit iu rezervua ekskluzivisht partisë që kishte fituar numrin më të madh të votave në zgjedhje. Me këtë iu pamundësua koalicionit LDK-AAK-NISMA-LVV të formojnë institucionet dhe iu hap rruga koalicionit qeverisës PDK-LDK, i cili sikur edhe koalicionet e tjera pas pavarësisë nuk e përfundoi mandatin e vet të rregullt. Pasojat e këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese po i ndiejmë sot, ani pse partia që ka fituar numrin më të madh të votave ka ndryshuar: argumenti i saj për të propozuar kandidatë pa marrëveshje politike është se e ka të drejtën ekskluzive për të propozuar kandidatë për kryetar të Kuvendit dhe se partitë e tjera kanë për obligim që ta votojnë kandidatin e tyre, përndryshe ato do të akuzohen si bllokuese të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Të më falë lexuesi për këtë digresion të shkurtër, por është e qenësishme të shpjegohet se pse qytetarët me të drejtë vote ndëshkuan partitë tradicionale – sidomos PDK-në dhe LDK-në, të cilat ishin parti dominuese të periudhës së pasçlirimit.

LVV-ja nuk ka bërë asgjë për të merituar mbi 50% të votës qytetare në vitin 2021. Përveç si rezultat i votës ndëshkuese për partitë e tjera, fitorja e saj ka qenë e bazuar në premtimin për ndryshimin e mentalitetit të vjetër politik dhe reforma të gjithanshme që do të rezultonin në një qeverisje zhvillimore dhe pa korrupsion. Kjo shumicë parlamentare që e gëzoi LVV-ja gjatë viteve 2021-2025, logjikisht do të duhej t’i mundësonte asaj të jetësonte premtimet e saj parazgjedhore dhe programin e saj qeverisës pa pengesa. Asaj nuk i është nevojitur të negociojë mbi politikat publike me asnjë partner të koalicionit. Pra, kryeministri Kurti i ka pasur duart e lira të zbatojë atë që ka premtuar gjatë fushatës së zgjedhjeve të vitit 2021. Mirëpo, qeveria e tij, lëre që nuk ka jetësuar as 10 për qind të premtimeve të saj; ajo ka filluar të sillet sikurse partitë paraardhëse, me akuzat kundër të cilave LVV-ja fitoi shumicën e votave qytetare. Përveç kësaj, Qeveria e udhëhequr nga lideri i LVV-së jo vetëm që nuk i ka përfillur llogaridhënien dhe sundimin e ligjit, por e ka kundërshtuar atë aktivisht duke iu shpallur luftë të hapur mediave, prokurorisë dhe institucioneve të tjera të gjyqësorit. Kjo mendësi politike, e cila bazohet në konceptin e partisë-shtet që duhet të jetë mbi ligjin doemos se do të çojë drejt një qeverisjeje të korruptuar që edhe ka ndodhur gjatë kësaj qeverisjeje. Aferat korruptuese, kurdisja e tenderëve janë faktuar nga mediat, vetëm pritet që mbi to të veprojnë institucionet e zbatimit të ligjit. Pra, LVV-ja e tradhtoi elektoratin e vet gjatë qeverisjes së saj katërvjeçare duke u shndërruar në kopje të keqe të stilit qeverisës të partive të tjera që kanë qeverisur para saj. Për më tepër, LVV-ja i ka tejkaluar të gjithë parametrat e keqqeverisjes duke e cenuar seriozisht sigurinë energjetike të Kosovës dhe duke e bërë atë të varur nga matrapazët energjetikë, të cilët kanë lidhje të ngushta me qeverinë e Kurtit.

Zgjedhjet e vitit 2025 sërish nuk sollën meritokraci. LVV-ja edhe pse humbi rreth 8% të votës, nuk u ndëshkua për keqqeverisjen katërvjeçare. Partitë që ishin në opozitë nuk arritën të këndellen krejtësisht nga humbja që e pësuan në vitin 2021. Gjatë periudhës katërvjeçare të qeverisjes së LVV-së, ato ishin ende nën shokun e humbjes dhe nuk arritën të luajnë rolin e opozitës së njëmendtë. Megjithatë këto parti, para se gjithash PDK-ja dhe LDK-ja, garuan në zgjedhje me programe qeverisëse serioze, pavarësisht LVV-së, e cila nuk i denjoi qytetarët as me një projekt, lëre më program të sajin. Përderisa LVV-ja garonte me slogane boshe, PDK-ja dhe LDK-ja u ofruan qytetarëve programe qeverisëse për të qenë, por të cilat nuk patën ndikim aq të madh për shkak se ato nuk arritën që ta rikthejnë besimin qytetar, me gjithë ndryshimet jo të vogla në personelin partiak, i cili nuk mund të identifikohet me qeverisjet e kaluara.

Tash po vijmë tek ajo që është qenësore për aktualitetin politik: bllokada institucionale, e cila siç u pa në vazhdimin e seancës së Kuvendit të Kosovës të 20 gushtit nuk do të zhbllokohet, me gjithë aktgjykimin sqarues të Gjykatës Kushtetuese. Siç u pa, LVV-ja do të vazhdojë me kandidime të cilat nuk do të kenë shumicën e nevojshme për të zgjedhur kryeparlamentarin/en dhe as që do të kërkojë një kompromis me partitë e tjera. Pra, presim që as ky 30 ditësh i caktuar nga Gjykata Kushtetuese të mos konsumohet me një zgjidhje, e cila do t’ia jepte Kosovës institucionet e saj demokratike. Prandaj, zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Mënyra më e mirë për këtë është nëse partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës të merren vesh për konstituimin e Kuvendit dhe shpërndarjen e tij të menjëhershme, në mënyrë që t’i hapin rrugë presidentes që t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme. Por as kjo me gjasë nuk do të ndodhë. Është një situatë pa rrugëdalje dhe Kosova po rrezikon të bëhet subjekt i një riadministrimi ndërkombëtar për shkak të mosfunksionimit të institucioneve të zgjedhura. Një skenar i tillë është real dhe nëse këtë nuk e shohin akterët politikë, atëherë nevojitet një intervenim nga jashtë, qoftë nga Gjykata Kushtetuese apo nga presidentja që të shkohet drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme edhe pa u konstituuar Kuvendi. Pra për këtë situatë të jashtëzakonshme, nevojiten edhe masa të jashtëzakonshme.

Qytetarët me votën e tyre do ta gjykojnë se kush është fajtori për dështimin e shtetit që po ndodh para syve tanë: LVV-ja me 48 deputetë që nuk po arrin të krijojë një shumicë për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit apo PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, që nuk po ia votojnë kandidatët të cilët LVV-ja po i propozon pa një marrëveshje politike. Fatkeqësisht, edhe kjo votë do të jetë votë e ndëshkimit, jo e meritës. Si duket, partitë parlamentare kanë vendosur t’i hyjnë garës, sipas rregullit gjithçka ose asgjë. Dikush nga to do të mbetet pa asgjë, por askush më nuk do të arrijë të marrë gjithçka. Nëse një parti arrin ta marrë votën për shkak të meritës që e ka për programin e mirë qeverisës, për mirëqeverisjen e saj, atëherë do të kemi të instaluar meritokracinë si parim i udhëheqjes politike. Deri atëherë, do të jemi qytetarë të rendit të dytë, ku partitë politike nuk ndiejnë përgjegjësi para popullit, sepse e marrin mbështetjen e tij për të qenë. Derisa të mos ndryshojë kjo situatë, nga stabilokracia, po rrëshqasim me shpejtësi drejt autokracisë.