OpEd

Srebrenica në ndërgjegjen e Evropës edhe pas 30 vjetësh

Nuk mjafton që në secilin përvjetor të gjenocidit në Srebrenicë, BE-ja të bëjë thirrje që “të mos mohohet gjenocidi” dhe të thotë se “nuk ka vend në Evropë për mohim të gjenocidit dhe rishkrim të historisë”. Përderisa BE-ja i mbështet, i quan “partnerë” dhe “miq” ata që publikisht mohojnë gjenocidin në Srebrenicë, pohimet nga Brukseli se “s’ka vend në Evropë për mohim të gjenocidit” tingëllojnë si shumë hipokrite

Gjatë tërë javës në Bosnjë e Hercegovinë, por edhe në shumë pjesë të tjera të Evropës dhe botës do të zhvillohen tubime për të kujtuar viktimat e gjenocidit në Srebrenicë. Kësaj radhe, shënimi do të jetë edhe më i dukshëm pasi është 30-vjetori i këtij gjenocidi.

Ka pasur shumë krime gjatë luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë, krime lufte, pastrim etnik, shkatërrime dhe shumë tragjedi. Nga Vukovari e Dubrovniku në Kroaci, Sarajeva e Bjelina në Bosnjë e Hercegovinë e deri te Drenica dhe Meja në Kosovë për gati 20 vjet forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe kanë kryer krime të shumta. Por rasti i Srebrenicës ka mbetur më së shumti në ndërgjegje të Evropës e mbetet dhe sot. Në atë qytet në Bosnjë e Hercegovinë, në atë kohë të shpallur si “Zonë e sigurt” nga Kombet e Bashkuara nën mbrojtjen e misionit ushtarak të UNPROFOR-it, brenda pak ditësh forcat serbe të udhëhequra nga Ratko Mladiq masakruan mbi 8000 djem dhe burra boshnjakë, në mënyrë sistematike dhe të planifikuar edhe ekzekutuar me gjakftohtësi.

Forcat e OKB-së, e fati u kishte rënë atyre nga Holanda, shikonin se si të shpëtonin veten dhe nuk bënë asgjë për të ndalur këtë gjenocid. Edhe Holanda sot e kësaj dite ka trauma nga kjo ngjarje e errët edhe për këtë shtet.

Rasti i Srebrenicës është i vetmi krim masiv në Evropën e pasluftës së dytë botërore i cili është konfirmuar edhe juridikisht si gjenocid. E kanë bërë këtë gjykatat në Bosnjë e Hercegovinë të përbëra nga gjykatës ndërkombëtarë, e ka bërë edhe Gjykata e Hagës për Krimet e luftës në ish-Jugosllavi dhe po ashtu edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Dhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e ka miratuar vitin e kaluar një rezolutë të veçantë për Gjenocidin në Srebrenicë. Të njëjtën gjë e kanë bërë edhe Parlamenti Evropian më herët dhe shumë parlamente nacionale të shumë vendeve të ndryshme, përfshirë edhe Kuvendin e Kosovës.

Por në Serbi jo vetëm se nuk ka gatishmëri për të njohur gjenocidin në Srebrenicë dhe për të kujtuar viktimat, por sulmohen ata që bëjnë thirrje që të njihet gjenocidi. Vazhdohet me mohim nga niveli i lartë, ndërkohë që nga mediat nën kontroll të qeverisë bëhet edhe thirrje morbide si ajo që në Serbi dhe në entitetin Republika Srpska 11 Korriku “të festohet si dita e çlirimit të Srebrenicës”. Nuk ka shumë dallim në qëndrimet në Serbi rreth gjenocidit në Srebrenicë mes atyre që janë në pushtet dhe opozitës. Siç nuk ka dallim as në qëndrimet e tyre ndaj Kosovës dhe në përgjithësi rreth përballjes me të kaluarën.

Dhe BE-ja nuk bën asgjë që të ndryshohet ky narracion mohues në Serbi. Sikur edhe secilin vit, edhe kësaj radhe nga BE-ja do të dëgjohen thirrjet që “të mos mohohet gjenocidi në Srebrenicë” dhe të “luftohen të gjitha rrënjët e urrejtjes që quan deri tek ky gjenocid”. Po ashtu do të përsëritet se “janë të papranueshme përpjekjet për të rishkruar historinë, mohuar krimet dhe glorifikuar kriminelët e luftës”. Prapa këtyre thirrjeve, si në të kaluarën as tash nuk do të ketë asnjë veprim konkret të BE-së ndaj atyre që mohojnë gjenocidin në Srebrenicë, u japin hapësirë kriminelëve të dënuar të luftës dhe me një fjalor sikur para 30 vjetësh nxisin urrejtje ndaj popujve fqinjë.

Nuk mjafton që në secilin përvjetor të gjenocidit në Srebrenicë, BE-ja të bëjë thirrje që “të mos mohohet gjenocidi” dhe të thotë se “nuk ka vend në Evropë për mohim të gjenocidit dhe rishkrim të historisë”. Përderisa BE-ja i mbështet, i quan “partnerë” dhe “miq” ata që publikisht mohojnë gjenocidin në Srebrenicë, pohimet nga Brukseli se “s’ka vend në Evropë për mohim të gjenocidit” tingëllojnë si shumë hipokrite  

Evropa duhet të pranojë edhe vetë përgjegjësinë e saj për atë që ndodhi në Srebrenicë dhe të mos ndihmojë me mosveprimet e saj ata që relativizojnë e pastaj edhe mohojnë këtë gjenocid. Sepse nëse BE-ja vërtet dëshiron pajtim në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ai mund të arrihet vetëm nëse njihen krimet nga e kaluara, respektohen viktimat e jo nëse ato harrohen, relativizohen dhe mohohen. Janë gjenerata të reja të politikanëve në Evropë, të nëpunësve në BE dhe NATO. Shumë prej tyre ishin fëmijë në kohën e gjenocidit në Srebrenicë, disa as nuk kishin lindur. Dhe ata duhet ta dinë se thirrjet që të veprojnë ndaj atyre që mohojnë gjenocidin nuk janë “kthim prapa në të kaluarën”, por një investim i madh në ndërtimin e një të ardhmeje pikërisht ashtu siç predikon Evropa, duke kujtuar tmerret në mënyrë që ato kurrë më të mos përsëriten.