OpEd

Sikur halla të kishte Tetris do ta quanin Game Boy

Ky është një prej atyre rasteve tipike kur thënien e urtë diplomatike ne mund ta përdorim për thjeshtëzim, analogji dhe qasje më të kuptueshme nga ana e popullatës civile së pafajshme. Prandaj citoj thënien “sikur halla të kishte Tetris do ta quanin Game Boy”, e cila bëhet plotësisht kuptimplote në formë, përmbajtje dhe estetikë

E enjte, 2.8.2018

Do ta ndaj me ju një anekdotë ndoshta të padëgjuar më parë nga ana e juaj.

Atëkohë gjatë luftës ballkanike, diku në rrethinat e Junikut pas luftimeve, i zë terri Isa Boletinin dhe trimat e tij. Një plak që ishte i pari i fshatit Tomoc (nëse nuk gabohem) ofron odën e tij që Isës edhe trimave të tij t’u bënte konak. Ishte nder i veçantë. Mikpritja dhe bujaria e burrave dukagjinas të këtyre trevave ishin të njohura. Lajmi se Isa me shokë gjendeshin në Tomoc mori kushtrimin. Do të vinin shumë bashkëkombës nga fshatrat përreth vetëm që të kishin mundësinë ta shihnin Isain me sytë e tyre. Aty diku nga mesnata burrat në odë kishin pirë kafetë, po e dridhnin duhanin dhe po diskutonin për problemet dhe hallet e popullit. Në derën e oborrit të kullës ku qëndronin rojat arrin një njeri me kalë, i cili dëshironte që gjithsesi ta takonte Isa Boletinin, sepse ishte në hall të madh dhe vetëm ai do të mund t’i bënte derman. Zhurma që krijohet aty në oborr dëgjohet edhe në odë dhe burrat ngrihen në këmbë për të shikuar se çfarë po ndodhte. Me ta kuptuar Isa i thotë kryeplakut që atë dashamirin ta lejonin që të hynte në odë dhe të shihnin se çfarë ishte halli i tij. Hyn hallexhiu përshëndetet me burra, e identifikon Isain edhe i thotë: “Burrë vetëm ti mund të më ndihmosh në hallin tim”. Po ç’hall ke o jahu? Po vetëm ti Isa mund të ma pleqnosh këtë punë dhe hallin tim! Po fol he burrë, fol, ia kthen Isa. Jom në dilemë të madhe Isë. E kam nxan burrin e huj i cili ka hy në megjën teme edhe nuk po di çka me bo, a me e vra, a mos me e vra? Isa as një e as dy i thotë: ti burrë gjithsesi se duhet me ia falë edhe kjo punë me mbaru me kaq! Mysafiri i paftuar përshëndetet me burrat edhe largohet nga oda. Në odë mbretëron një qetësi dhe askush s’po fliste asgjë. Dikur kryeplaku po i drejtohet Isës: “Isë bre, punën e atij dashamirit kurqysh s’e pleqnove”. Pse po e pyt Isa?

Po çka kishe bo bre Isë ti me e pasë zanë burrin e huj që e ka lujtë megjen tande? E kisha vra, tha, qaty në vend, konform zakonit e Kanunit iu përgjigj Isa. Po bre Isë, po ti dashamirit i the që me ia falë edhe me e harru këtë punë. O babaplak, dashamiri nuk ish i të vramës. Dashamiri s’kishte marrë mund me ardhë këtu në gjysmë të natës që unë me ia pleqnu hallin e tij e me i thonë duhesh me e vra, ai prej meje kish ardhë me e ndëgju këte që ky me ia falë dhe ta ketë mbulesën e pleqnimit tim për qyqarllëkun e tij.

E kështu edhe këta 6 burrat tanë, EUnukët politikë të delegacionit negociator, i cili shkoi në Bruksel, nuk ishin shku “me e vra” me fakte në dorë dhe letër konform ligjit atë burrin e huaj që po don me u hy në megjë, por ashtu duarthatë dhe me duar në xhepa, në grumbull ta marrin pleqnimin e Mogherinit dhe ta harrojnë atë punë dhe të kthehen “faqebardhë”. Kur njeriu lexon këso lajmesh në kabllograme diplomatike nuk ka se si të mos e shfrytëzojë thesarin e kombit të vet me thëniet e urta diplomatike. Ky është një prej atyre rasteve tipike kur thënien e urtë diplomatike ne mund ta përdorim për thjeshtëzim, analogji dhe qasje më të kuptueshme nga ana e popullatës civile së pafajshme. Prandaj citoj thënien “sikur halla të kishte Tetris do ta quanin Game Boy” bëhet plotësisht kuptimplotë në formë, përmbajtje dhe estetikë.

E diel, 5.8.2018

Lugina veriatlantike e Fejsbukit të Kosovës

Hezin që e ka marrë Hashim Thaçi në Facebook s’ka kush që e ndal. Po bashkon lugina të Facebookut me Kosovën, po korrigjon kufijtë. Asgjë “s’po jep”, vetëm po merr. Njeri i cili “i mban fjalët”, qe besa edhe Serbia gaditu po i rrin. Por unë personalisht e kam shumë problem kur Thaçi premton lugina. Në vitin 2008 premtoi se Kosovën do ta bënte “Luginë të silikonit”. Të vetmin silikon të cilin e pamë ishte në formë të gungave në personazhet e estradës. Do ta lë në imagjinatën dhe logjikën tuaj t’ia qëlloni se ku do t’na dalin gungat e Luginës së Preshevës”. Përndryshe gazetaria “në nivel”. Politikanët japin mesazhe private në Facebook, portalet krijojnë lajme. Zgjate Zot. Gazetari pa u lëkundë vendit. Po dilni more gra edhe burra pak në terren hulumtoni. Nuk bahet gazetari vetëm me prononcime private të njerëzve në Facebook me pozita në pushtet dhe me pjesëmarrje në konferencat bajate të Hashim Thaçit për t’i postuar prapë në Facebook. Si ambasador i Republikës së Kosovës në Facebook unë kërkoj që rroga ime dhe stafit tim të rritet 200 për qind. Neve na nevojiten para për selfiet me kravata të reja, sepse nuk mundemi me të njëjtat gjithnjë me dalë në foto. Gjithashtu nevojitet buxhet i konsiderueshëm për Check-in-at, të cilët ne i bëjmë si diplomatë për të ngrënë dreka e darka nëpër restorantet ekskluzive për të mirën e popullit tonë.

E hënë, 6.8.2018

Abelard Tahiri: Kosova në pozitë më të favorshme në dialogun me Serbinë

Në diplomaci është shumë e njohur që ne diplomatët përdorim shumë anekdota kur dëshirojmë ta përçojmë një mesazh dhe që ai mesazh të jetë sa më i afërt me publikun. Prandaj do ta ndaj një të tillë me ju. Kishte qenë një shofer personal i një multimilioneri. Kishte bërë jetë modeste familjare, mirëpo kishte punuar shumë. Një ditë djali i tij rritet dhe vjen koha që të studiojë, mirëpo ai e dinte se ata nuk ishin të pasur dhe nuk kishin para. Kur i tregoi babait të tij se nuk do të regjistronte fakultet, por do të hynte në punë në ndonjë fabrikë apo gjetiu, babai i tij nxori nga xhepi çekun me vlerën e kostos së plotë të studimeve për djalin e vet. Por si baba? Si është e mundur? Ne jemi relativisht të varfër. Ehh mor bir. Unë e vozis biznesmenin e njohur, ti atë e di. Sa herë ai blinte aksione në berzë me vlera qindra mijëra dollarëshe me telefon, unë i mbaja në mend emrat dhe blija aksione me nga 10-20 dollarë. Ashtu veprova ndër vite. Kam krijuar të kursyera të mëdha. E kur e kujtoj këtë anekdotë s’kam se si të mos i besoj ministrit Tahiri kur ai e mësoi juridikun në relacionin Prishtinë-Pejë duke e vozitur gurun dhe kolosin e juridikut të madhin Hajredin Kuçi. Nuk do të çuditesha sikur Abelardi ta ketë dëgjuar edhe ndonjë ide biznesore gjatë udhëtimeve, dreqi që është ai.

Lutfi Haziri regjistron vajzën në Harvard, ku viti kushton 67.000 dollarë

Ishte kabllogram me më shumë qasje kritike ndaj regjistrimit dhe vlerës së shumës të semestrit në Harvard, që kap shumën prej 67.000 dollarëve në vit.

E kuptoj unë këtë brengë, por s’e di çka pritët ju, që kryetari Haziri do t’ia ndalë çikës shkollën a? Edhe ai sikur edhe çdo familje mesatare në Kosovë dëshiron që fëmija i tij të përparojë nga PISAkistani, që ai dhe sorta e tij e instaluan në Kosovë qe plot 20 vjet. Kangës i dëshiroj suksese në studimet e saja.

E martë, 7.8.2018

Fatos Lubonja i alarmuar: Baza e NATO-s në Kuçovë, një rrezik për Shqipërinë. Nuk kemi ça e duam, se na ka mbaruar edhe toka dhe tani do na sulmojnë terroristët

He mo Tosi në cilën këmbë je zgjuar ti sot mi të keqen ambasadori? Si ke gdhirë, mirë? Po ke të drejtë ti mo Lali, ke të drejtë. Se çi duhet Shqipërisë bazë e NATO-s në Kuçovë? Po të gjithë mo e duan Shqipërinë. Nga një copë të saj. Gjaku i shqiptarit është eliksir për forcat komando të fqinjëve tanë. Këndojnë për atë gjë, ngrenë moralin e vet. Po, janë në NATO edhe ata Tosi. E nuk dua të paramendoj se çfarë këngësh këndojnë ata të cilët nuk janë në NATO. Jo larg në historinë tonë ne i kemi provuar këngët dhe veprimet e nxitura prej tyre. Por Tosi aty ke blloku, prej nga ti alarmohesh s’ke pse bezdisesh mo miku.

Ne vazhdojmë të jemi popull paqedashës, të tillë do të mbetemi. Por në atë dashurinë tonë të madhe për paqen shpeshherë s’kemi qenë të aftë t’i dalim zot asaj dere të shtëpisë sonë. Unë besoj se as sot nuk jemi. Ta them unë! Në tel çiftelie e lahute po Tosi, aty hatanë ne e bëjmë.

Një bazë ushtarake e NATO-s, një aeroport, është konform kërkesave të kohës, si dhe ngjarjeve gjeopolitike në botë. E ti Tosi mund të bësh lum e shyqyr që kësaj radhe Shqipëria në historinë e saj zgjodhi aleatë natyrorë, të drejtë dhe të qëndrueshëm. Ç’kishit mo ju me vëllezërit kinezë? Ti Tosi së paku do duheshe të mbaje ndërmend atë kohë? Apo shokun Stalin të cilin e kishit edhe në pullat postale. Apo edhe ndoshta është nostalgjia për emrin e vjetër të Kuçovës “Qyteti Stalin”, që të zgjon emocione? E për atë pjesën se do ju sulmojnë terroristët ia ke futur kot plako! Ik bëj plazh miku, kënaqju stinës, shijoje motin (duhesha të bëja kontroll të dyfishtë mos t’më përvidheshte zanorja “U”dhe ta shënoja skandalin e parë timin diplomatik).