OpEd

Siguria juridike: mit apo realitet?

Çfarë kuptojmë me parimin e sigurisë juridike?

Siguria juridike nuk është thjesht një ndër termat e rëndomta që bën pjesë në fjalorin e shumicës së politikanëve dhe sistemit gjyqësor në Kosovë. Siguria juridike si term i veçantë nuk është gjithmonë i kuptueshëm për edhe vetë elementet që ngërthen. Mirëpo të njëjtat janë pjesë e pashmangshme e jetës ditore të qytetarëve dhe gjithsesi edhe politikave ditore. Fillimisht, për të zbërthyer definicionin e termit “Siguri juridike” mund të bazohemi tek Komisioni i Venecias. Bazuar në Listën e Kontrollit të Komisionit të Venecias për sundimin e ligjit në vend, siguria juridike është ndër pesë standardet të cilat definojnë funksionimin dhe situatën e sundimit të ligjit në një vend. Siguria juridike përfshin çështje që kanë të bëjnë me nivelin e qasjes në legjislacion, me nivelin e qasjes në vendime gjyqësore, parashikueshmërinë e ligjeve, stabilitetin dhe konsistencën e ligjeve, pritjet legjitime, ndalimin e retroaktivitetit, dhe parimin që siguron që nuk ka krim në rast se nuk është paraparë me ligj dhe nuk ka dënim në rast se nuk është e paraparë me ligj, ndër të tjera. Si i tillë ky standard tenton të sigurojë që qytetarët e një vendi kanë qasje të lehtë në legjislacion dhe në vendime gjyqësore, si dhe që legjislacioni i një vendi ju qëndron parimeve të njëjta në formë të vazhdueshme, ashtu që qytetarët e atij vendi janë të informuar paraprakisht për pasojat e sjelljes së tyre, si dhe të njëjtët kanë pritshmëri të qarta lidhur me veprimet institucionale.

Kjo e fundit është çështje e cila diskutohet në vijim, gjithmonë duke pasur në mendje parimin e pritjeve legjitime të qytetarëve ndaj institucioneve publike. Diskutimi do të fokusohet në gjendjen e sistemit gjyqësor në vend, në reformat e shumta dhe implikimet e tyre të drejtpërdrejta tek qytetarët duke sqaruar faktin se sa të njëjtat ngërthejnë edhe sigurinë juridke në vetvete.

Nëse diskutojmë pak se si është për momentin gjendja e sistemit gjyqësor në Kosovë, për reformat e shumta të cilat priten dhe ndikimin e tyre në jetët e qytetarëve, mund të thuhet se që nga paslufta e deri tani (shtator 2022), pushteti gjyqësor në Kosovë ka qenë objekt i shumë reformave, përfshirë ato strukturore dhe substanciale. Pushteti gjyqësor në Kosovë gjatë 20 vjetëve të fundit ka ndryshuar nga një sistem i decentralizuar, në një sistem të centralizuar për të cilin po planifikohet një decentralizim i ri. Njëjtë sikurse kjo fjali e fundit që është konfuze, ashtu është edhe arsyeshmëria prapa këtyre reformave dhe jo gjithherë këto “reforma” janë të bazuara në prova.

Një historik i sistemit gjyqësor në vend tregon për ndryshime thelbësore në pushtetin gjyqësor. Deri në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, sistemi gjyqësor përfshinte gjykatat komunale, gjykatat e qarkut, Gjykatën Ekonomike të Qarkut dhe Gjykatën Supreme. Në strukturën e gjykatave përfshiheshin edhe gjykatat komunale për kundërvajtje dhe Gjykata e Lartë për Kundërvajtje. Kjo gjendje vazhdoi deri në reformën e vitit 2011 që është jetësuar në vitin 2013 dhe u krijua sistemi aktual i organizimit të gjykatave.

Reforma e vitit 2011 u cilësua si reformë e cila ofron organizim në kuadër të standardeve evropiane, ku parashiheshin shtatë gjykata themelore me degë të tyre, një Gjykatë e Apelit dhe një Gjykatë Supreme. Këto ndryshime sollën deri në shuarjen si tërësi në vete të Gjykatës Ekonomike për ta bërë pjesë të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Njëkohësisht, disa funksione të cilat kanë qenë në kuadër të gjykatave komunale kaluan në zyrat noteriale si funksion i ri i krijuar rishtazi i cili nuk ka ekzistuar më herët.

Për ta qartësuar më tepër, Gjykata Themelore në Prishtinë përpos departamenteve të përbashkëta me gjykatat themelore të tjera (Departamenti i Përgjithshëm, Departamenti për Krime të Rënda dhe Departamenti për të Mitur), u vendos të kishte edhe Departamentin për Çështje Ekonomike dhe Departamentin për Çështje Administrative. Si e tillë, e njëjta shërbente si adresë për të gjitha konfliktet ekonomike në vend dhe ato administrative. Më pak se dhjetë vjet më vonë u vlerësua që kjo formë e strukturimit nuk po funksionon.

Në vitin 2019 filloi të diskutohej nevoja për reforma të reja, ndër të cilat ishte edhe krijimi i Gjykatës Komerciale, reformë kjo që u jetësua këtë vit. Për më tepër, pjesë e premtimeve të Qeverisë aktuale është edhe krijimi i Gjykatës Administrative dhe asaj të Punës. Dhe me krijimin e të njëjtave, kompetenca lëndore e Gjykatës Themelore në Prishtinë po zvogëlohet dhe pjesa komerciale, administrative dhe e punës ngadalë po decentralizohet dhe po vendoset në gjykata të reja.

Dilema që ngrihet është se ku qëndron logjika e krijimit të gjykatave me juridiksion të veçantë dhe sa në vetvete kjo i kontribuon vetë sigurisë juridike të personave?

Në anën tjetër, pos ndryshimit strukturor të kompetencës lëndore dhe territoriale në vend, sistemi gjyqësor i Kosovës identifikohet edhe me ndryshimet e shumta ligjore. Shembull konkret është Ligji për Këshillin Prokurial të Kosovës. Që nga viti 2010, i njëjti është ndryshuar katër herë. Gjatë këtij procesi janë paraparë ndryshime të përbërjes së të njëjtit, kompetencave si dhe mekanizmave të tij. Një shembull tjetër është edhe ndryshimi i ligjeve materiale si Kodi Penal. Që nga viti 2012, Kodi Penal është ndryshuar dy herë dhe është në proces të ndryshimit për të tretën herë. Një aspekt që është diskutuar shumë nëse ka nevojë të ndryshohet ka qenë zgjatja e periudhës së hetimeve nga afati dy vjeçar sa është tani në afat katër vjeçar. Ndryshime të tillë në afate kaq të shkurtra kohore kanë rezultuar që nuk janë gjithherë të justifikuara. Të njëjtat ndikojnë si tek zbatuesit të cilët duhet të përgatiten me ndryshimet dhe të fillojnë ndërtimin e praktikës gjyqësore, ashtu edhe në sigurinë juridike të personave dhe pamundësinë e kuptimit nëse një veprim është ende i ligjshëm ose jo.

Fatmirësisht, Kosova ka një platformë të avancuar ku publikohen ligjet në kohë reale, e njohur si Gazeta Zyrtare, e cila mundëson qasje online në ligjet në vend. Mirëpo një situatë e tillë ku paqëndrueshmëria e legjislacionit është prezent në këtë masë ndikon në aftësitë e personave për të planifikuar veprimet e tyre. Edhe pse stabiliteti është qëllim në vetvete i këtij parimi: legjislacioni duhet përshtatur rrethanave aktuale. Legjislacioni mund të ndryshohet, por ndryshimi duhet shoqëruar me debat publik dhe një qasje pro aktive, si dhe pa ndikuar në pritjet legjitime të popullatës. Prapa vendimit për ndryshimin e një ligji duhet të kalojë një kohë e konsiderueshme për të kuptuar nëse ai u përshtatet rrethanave kohore apo jo, duhet analizuar ndikimi i tij dhe nevoja për ndryshim duhet të bazohet në prova të cilat janë të pranueshme nga publiku. Ligjet në asnjë formë nuk duhet përdorur si mjet për të arritur interesa afatshkurtra qeveritare. Ata duhet ndryshuar vetëm atëherë kur zhgënjejnë në pritjet legjitime të qytetarëve dhe ku në mënyrë të pajustifikueshme tkurren të drejtat dhe interesat e ligjshme të personave. Moskonsolidimi i ligjeve është problem tjetër i vazhdueshëm i cili gjithashtu ndikon në sigurinë juridike të personave, por edhe të vetë zbatuesve të ligjeve.

Si ndikojnë këto veprime në sigurinë juridike?

Të gjitha këto situata, përfshirë ndryshimi strukturor i sistemit gjyqësor, ndryshimi i ligjeve në përmbajtje dhe në thelb dobësojnë sigurinë juridike në vend. Qytetarët e Kosovës janë në formë të vazhdueshme duke u përballur me ndryshime të shumta, të pa analizuara, të pajustifikuara e të papritura të cilat krijojnë pasoja juridike nga më të ndryshmet dhe të cilat seriozisht cenojnë parashikueshmërinë që është elementi kryesor i sigurisë juridike. Parashikueshmëria fillimisht nënkupton që ligjet jo vetëm që duhet diskutuar dhe publikuar paraprakisht, por të njëjtat duhet draftuar në atë mënyrë që të kenë qëllim që të jetësojnë të drejtat themelore të garantuara me Kushtetutë dhe t`i rezistojnë kohës, aq sa është e mundur, dhe asnjëherë të mos draftohen me idenë e ndryshimit të tyre në një të ardhme të afërt. Ndryshimet e shpeshta dëmtojnë institucionet, jurisprudencën dhe direkt popullin. Institucionet shtetërore duhet krijuar mekanizma më të fortë të analizimit të realizueshmërisë së qëllimit të një ligji, analizës ex-post të tij, implementimit dhe sfidat. Vetëm një qasje e tillë do mund të arsyetonte të gjitha iniciativat legjislative në vend duke forcuar edhe vet sigurinë juridike si një nga parimet e sundimit të ligjit.

Cila është gjendja aktuale, ku jemi tash?

Në programin legjislativ për vitin 2022, për periudhën shtator – dhjetor 2022, janë planifikuar të ndërrohen 166 ligje, 18 prej tyre në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. Përpos që një agjendë e tillë është shumë ambicioze, ajo është pothuajse e pamundur të realizohet. Edhe nëse gjysma e saj arrin qëllimin, të njëjtat projektligje do të adresojnë vetëm pjesë dytësore të problematikave institucionale, duke lënë hapësirë që të njëjtat ligje të ndryshohen prapë në të ardhmen e afërt. Një praktikë e tillë nuk është krijuar tash, e njëjta është zhvilluar ndër vite nga të gjitha qeveritë e vendit, rezultatet e të cilave pashmangshëm kanë ndikuar direkt në parimin e sigurisë juridike në vend.

(Ky publikim është pjesë e projektit me titull "Monitorimi dhe vlerësimi i zbatimit të parimeve të sundimit të ligjit në Kosovë në bazë të listës së kontrollit të Këshillit të Evropës për Sundimin e Ligjit”, që financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë dhe zbatohet nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS). Autorja e shkrimit është hulumtuese e lartë në GLPS).