Presidenti amerikan Donald Trump i ka vendosur Zvicrës tarifa ndëshkuese prej 39 për qind. Më keq kanë kaluar vetëm Siria, Laosi dhe Birmania. Tronditja në Zvicër është e madhe.
Në ditën e saj kombëtare, kur Zvicra po bëhej gati të festonte zanafillën e saj më 1 gusht 1291, një lajm nga Washingtoni e ka prishur gëzimin e përgjithshëm. Presidenti amerikan Donald Trump i ka vendosur Zvicrës tarifa ndëshkuese prej 39 për qind. Më keq kanë kaluar vetëm Siria, Laosi dhe Birmania. Zvicra është vendi me tarifat më të larta doganore amerikane në Europë. Tronditja pas kësaj mase amerikane është e madhe në Zvicër, një vend me ekonomi të suksesshme eksportuese. “Një ditë e zezë për Zvicrën”, konstatojnë mediat.
Presidentja e Zvicrës Karin Keller-Sutter telefonoi të enjten me Trumpin, por nuk arriti t’ia ndryshojë mendjen. U përpoq t’i tregojë diçka edhe nga historia e Zvicrës, t’ia bëjë të qartë se të premten Zvicra feston ditën kombëtare të saj, se është themeluar para mbi 700 vitesh, por Trump, pasi tha “wow, wow” (i habitur me historinë e lashtë), nxori çekanin dhe bëri bum: 39 për qind!
Deri në çastin e fundit politikanët zviceranë, sidomos të krahut liberal-konservator, shpresuan se Zvicra do të arrijë një marrëveshje (“deal”) më të mirë me Trumpin se Bashkimi Europian. Pas një bisede të mëhershme telefonike me Trumpin, presidentja Karin Keller-Sutter nga partia liberale FDP tha se kishte arritur të krijojë një raport deri diku të mirë me të. Një kalkulim i gabuar, siç po shihet tani.
Ndonëse delegacionet e dy vendeve kishin përpiluar një marrëveshje, në Washington mbretëronte heshtje, ndërsa në Bern rritej pasiguria dhe nervozizmi. Gazeta “SonntagsZeitung” shkruan: “Pastaj (presidentja zvicerane) Keller-Sutter donte ta dinte saktësisht se ku qëndronte puna dhe këmbënguli për një tjetër telefonatë me Trumpin. U caktua termini - më 31 korrik, në orën 20:00 sipas kohës së Zvicrës, do të zhvillohej biseda. Amerikanët e lanë presidenten e Konfederatës të priste rreth 10 minuta. Në dhjetë minutat e para të bisedës u shkëmbyen mirësjellje, dhe Keller-Sutter i tregoi Trumpit për festën kombëtare që daton që nga viti 1291. Pastaj Trump, me një humor jo fort të mirë, kaloi në temën kryesore. Ai e bëri të qartë se me një deficit tregtar prej 39 miliardë dollarësh, të shkaktuar nga vetëm 9 milionë zviceranë, një tarifë doganore prej 10 për qind ishte krejtësisht e pamjaftueshme. Zvicra duhej të paguante shumë më tepër”.
Këtu e tutje biseda mori drejtim dramatik. Edhe njëherë një citat nga gazeta “SonntagsZeitung”: “Më pas, biseda u përqendrua vetëm te ky deficit. Keller-Sutter u përpoq t’i shpjegonte Trumpit se si ishte ardhur deri te ky bilanc tregtar. Presidenti amerikan reagonte gjithnjë e më i irrituar ndaj sqarimeve, të cilat i konsideronte si ‘të tepërta e arrogante’. Pastaj Trump filloi të fliste për tarifa doganore mbi 30 për qind. Keller-Sutter, e cila nuk kishte asnjë ide dhe asnjë mandat për t’i ofruar Trumpit diçka shtesë, u përpoq ta bindte të heqë dorë nga ky kërcënim. Ajo i rikthehej vazhdimisht marrëveshjes që kishin përmbyllur negociatorët. Kështu vazhdoi biseda deri në orën 20:38, kur (diplomatia zvicerane) Helene Budliger mori një SMS nga rrethi i afërt i Trumpit ku thuhej se do të ishte më mirë që biseda të ndërpritej, para se të përshkallëzohej krejtësisht. Dy minuta më vonë, gjithçka mori fund. Dhe të gjithëve iu bë e qartë: nuk ka marrëveshje, por një fiasko. Keller-Sutter shpalli dështimin në platformën X. Dy orë më vonë erdhi lajmi nga Uashingtoni: 39 për qind tarifë doganore për Zvicrën.”
Muajve të fundit politikanët zviceranë janë përpjekur të ndjekin një kurs ledhatues ndaj Trumpit. Kur shumë politikanë europianë e kritikuan fjalimin antiauropian të nënpresidentit amerikan JD Vance në Konferencën e Sigurisë në München, Keller-Sutter e lavdëroi atë. Para zgjedhjeve në SHBA, ministri Albert Rösti nga partia e djathtë populliste SVP tha se ai do të zgjidhte Trumpin po të ishte amerikan. Deputetja e SVP-së Magdalena Martullo-Blocher, e cila është bija e Christoph Blocher, politikanit të djathtë më me ndikim në dekadat e fundit në Zvicër, tha vitin e kaluar se shpresonte në fitoren e Trumpit në SHBA, sepse “për Zvicrën Trumpi është i mirë”. Doli e kundërta!
Tani të gjithë janë të zhgënjyer. Se si është disponimi tani, mjafton të shikohen komentet nën postimin e Ambasadës së SHBA-ve në Bern, e cila në rrjetin X e ka uruar Zvicrën për ditën e saj nacionale.
Tarifat ndëshkuese do të hyjnë në fuqi më 7 gusht. A do të arrihet një zgjidhje pak më e favorshme për Zvicrën deri javën tjetër? Askush nuk e di, pothuaj askush nuk beson. Deri më tash nuk kanë bërë punë premtimet se Zvicra do të investojë miliarda në SHBA. Kompania farmaceutike Roche premtoi 50 miliardë investime, Novartis 23 miliardë.