Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Si të bëhen përzgjedhjet më të mira të politikave ekonomike

Në një dokument të ri punues, ne kemi sugjeruar se si analiza tradicionale e kostos dhe përfitimit mund të zgjerohet për t’u shndërruar në “analizë të rrezikut e mundësisë”, në të cilën hartimi dhe manipulimi i kundërveprimeve është pjesë qendrore. Duke u përplasur me ekonominë në gjithë këtë katrahurë dhe kompleksivitet të saj, kjo qasje është më e mundshme që të sigurojë që investimet tona të mos shkojnë dëm, rimëkëmbja jonë të mos shtyhet dhe që ekonomia e re botërore që ne e krijuam të jetë më prosperuese, më e barabartë, si dhe më e qëndrueshme

Mbretëria e Bashkuar është duke hyrë në recesionin më të thellë të 300 vjetëve të fundit. Me miliona vende të punës janë në rrezik. Dhe borxhi kombëtar ka kapërcyer 100-përqindëshin e GDP-së. Tani zor se është koha për konceptimin e përforcimeve konceptuale të teorisë ekonomike, apo jo?

Ç’është e vërteta, derisa qeveritë kudo në botë janë duke marrë hua, duke shpenzuar dhe duke përcaktuar rregullime në shkallë të pashembullt, të kuptuarit në mënyrë më të thellë të vendimmarrjes ekonomike është gjëja thelbësore, si për përshpejtimin e rimëkëmbjes ashtu edhe për shmangien e rreziqeve më afatgjate. Kjo është arsyeja pse udhëzuesi i ri i Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbi vendimmarrjen rreth ndryshimit transformues është kaq i mirëseardhur, ani pse edhe ministritë e financave gjetkë duhet që ta ndjekin këtë hap.

Në një studim të mëparshëm për Ekzekutivin më të Mirë Rregullativ në Britani të Madhe, ne kemi zbuluar se derisa organizatat publike politike po i diversifikojnë përherë e më shumë qasjet e tyre karshi vendimmarrjes, shumë të tjera vazhdojnë që të jenë skajshmërisht të varura nga mjetet statike, si analiza e kostos dhe përfitimit. Mjetet e tilla janë të ndërlikuara për t’u kuptuar, parashikuar dhe për të nxitur inovacion, si dhe për ndryshim strukturor në ekonomi.

Në Mbretërinë e Bashkuar, kritikët e analizës së kostos dhe përfitimit argumentojnë se ajo ka kontribuar në përkeqësimin e pabarazisë rajonale. Nëse investimet infrastrukturore në rajonet me produktivitet më të lartë vlerësohen si më të çmuara, këto rajone të kamura do ta marrin “hisenë e luanit” nga investimet e reja, duke e rritur edhe më tepër produktivitetin e tyre. Kjo e thellon natyrshëm hendekun midis atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë. Analiza statike e kostos dhe përfitimeve nuk i njeh këto kundërveprime dinamike.

Edhe OpEd Demokracia dhe ekonomia në botën e sotme: Pasqyrë mbi tendencat dhe paradokset globale

Kornizat mbizotëruese të politikave ekonomike kanë penguar në të njëjtën mënyrë edhe përgjigjen globale karshi ndryshimeve klimatike. Analizat statike kanë sugjeruar se zëvendësimi i thëngjillit me gaz do të ishte mënyra më e lirë për reduktimin e emetimeve. Mirëpo, i ka anashkaluar skajshëm kundërveprimet dinamike që do ta përshpejtonin të ripërtëritshmen, për ta shndërruar atë në formën më të lirë të gjenerimit të energjisë elektrike.

Këto nuk janë dështime të tregut; janë dështime të mënyrës sonë të të kuptuarit se si funksionojnë tregjet.

Kur kemi punuar bashkërisht në Strategjinë Industriale të Mbretërisë së Bashkuar më 2017, kemi zbuluar se shumë ekonomistë kishin botëkuptime tejet të kufizuara lidhur me rolin e shtetit. Disa prej tyre kanë mbrojtur qëndrimin e mbështetjes qeveritare për sektorët veçse të dëshmuar si eksportues relativisht konkurrentë. Të tjerët kanë pretenduar se çdo gjë tjetër që shkon përtej përmirësimit të dështimeve të tregut është e tepruar. E për të tretët, strategjia më e mirë industriale është mosekzistimi i një të tille.

Megjithëkëtë, ishin investimet e gjeneruara prej shtetit ato që çuan drejt Internetit dhe telefonave të mençur – investime këto që kishin për synim jo përmirësimin e dështimeve të tregut, por zhvillimin e mundësive të reja. Po të përqendrohej Koreja e Jugut, gjatë periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore, vetëm në sektorët ku ishte dëshmuar avantazhi i theksuar, atëherë do të ishte fokusuar ngushtësisht në eksportet e orizit e jo në transformimin e vendit në njërën prej ekonomive më inovative të botës.

Udhëzuesi i ri i Thesarit amerikan është revolucionar në pranimin se ekonomia është një sistem kompleks, i formësuar nga kundërveprimet dinamike dhe ndryshimet konstante. Kjo mënyrë e re e të kuptuarit, bazuar në konceptet dhe matematikat e evolucionit, e jo në ato të mekanikave njutoniane, mund të shkojnë përtej alokimit të resurseve të pakta në krijimin e atyre të rejave. Pranon se inovacioni, rritja dhe transformimi po ndodhin krejt njëkohësisht; është punë e shtetit që ta trimërojë kahen e ndryshimit që është më fitimprurës për shoqërinë.

Përzgjedhjet që e përcaktojnë kahen janë të rëndësishme, ngase zhvillimet në dukje të vogla mund në fakt të kenë pasoja madhore dhe tejet afatgjate. Inovacionet që u dhanë motorëve me djegie të brendshme epërsi kundruall automjeteve elektrike në fillim të të 90’0-ve kanë efekte të thella – për industrinë e naftës, planifikimin urban, gjeopolitikat globale dhe planetin – me të cilat ne po hahemi edhe sot e kësaj dite.

Edhe OpEd Optimizmi i sovranitetit kombëtar

Por varësia thellohet shkaku se tregjet janë skajshmërisht sociale, të ngulitura tek institucionet, normat dhe rutinat, dhe shkaku se teknologjitë përfitojnë prej kthimeve në rritje. Si rezultat i kësaj, tregjet mund të bllokohen përbrenda kushteve sub-optimale dhe ekonomitë mund të ngujohen në pozita konkurruese, pa marrë parasysh nëse i pëlqejnë apo jo.

Për dekada me radhë, Gjermania ka qenë lidere botërore për sa u përket mjeteve makinerike, ndërsa Shtetet e Bashkuara në informacion dhe në teknologjitë e komunikimit.

Sot, bota është duke lëvizur drejt një ekonomie të pastër energjetike. Por forma që po e merr, shtegu me të cilin po zhvillohet dhe pozitat konkurruese të vendeve brenda saj varen prej vendimeve të politikave ekonomike që qeveritë i marrin tani. Qeveritë që përpiqen t’i stimulojnë ekonomitë e tyre, duke krijuar centrale të reja energjetike me thëngjill do të gjenerojnë asete të reja të cunguara dhe të rrisin rrezikun e ardhshëm për humbjen e vendeve të punës. Ato që investojnë strategjikisht në teknologjitë e pastra, në anën tjetër, do të zënë pozita superiore në ekonominë e së ardhmes. Duke e përcaktuar një drejtim, qeveritë duhet që t’i identifikojnë politikat më efikase për të nxitur progres.

Në sistemet komplekse, shkaku dhe ndikimi janë rëndom joproporcionale. Për të siguruar përfitime të majme nga inputet e vogla, dhe jo e kundërta, duhet që t’i gjejmë pikat e baraspeshës. Shumë ekonomistë kanë rekomanduar vendosjen e një çmimi unik për karbonin, i cili do të zbatohej barabar në ekonomi, si qasjen më efikase për reduktimin e lirimit të gazeve serrë. Por, veçmas disa përjashtimeve, ku fiksimi i shënjestruar i çmimeve ka ndihmuar në aktivizimin e pikave kyç, kanë qenë investimet e reja, jo ato prej taksave të karbonit, që deri më tani kanë nxitur pothuajse gjithë progresin botëror në lirimin në shkallë të ulët të karbonit.

Kjo nuk do të duhej të ishte befasi. Mendojeni një ekonomi që i përmbahet parimit të karburanteve fosile sikurse një ndërtesë e madhe që duhet të rrënohet. A do të duhej t’i hynim punës me një ekskavator dhe ta shtyjmë fort mënjane, duke e përhapur presionin barabar në të gjithë ngrehinën, apo do të duhej ta përqendronim po të njëjtën energji në një shpërthim të kontrolluar në pikën kritike të strukturës?

Identifikimi i këtyre pikave kritike kërkon mirëkuptim më të mirë të kundërveprimeve në ekonomi, siç edhe është avokuar më 2018. Përzgjedhja politike i kontribuon gjithashtu pasjes parasysh të pasojave dinamike – ku ndryshimi në një sektor shërben si katalizator për ndryshimet e tjera. Për shembull, industria e softwareve është shfaqur si një burim nga programi i NASA-s “Apollo”. Sikur programi të ishte vlerësuar bazuar në analizën e kostos dhe përfitimit, as që ishte nisur ndonjëherë.

Edhe OpEd Vetëkënaqësia klimatike e Rezervës Federale

Në një dokument të ri punues, ne kemi sugjeruar se si analiza tradicionale e kostos dhe përfitimit mund të zgjerohet për t’u shndërruar në “analizë të rrezikut e mundësisë”, në të cilën hartimi dhe manipulimi i kundërveprimeve është pjesë qendrore. Duke u përplasur me ekonominë në gjithë këtë katrahurë dhe kompleksivitet të saj, kjo qasje është më e mundshme që të sigurojë që investimet tona të mos shkojnë dëm, rimëkëmbja jonë të mos shtyhet dhe që ekonomia e re botërore që ne e krijuam të jetë më prosperuese, më e barabartë, si dhe më e qëndrueshme.

(Mariana Mazzucato, profesoreshë e Ekonomisë së Inovacionit dhe Vlerës Publike në Kolegjin Universitar të Londrës dhe drejtoreshë themeluese e Institutit për Inovacion dhe Qëllime Publike UCL, është shefe e Këshillit Ekonomik të Shëndetit për të Gjithë në kuadër të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ajo është autore edhe e librit “The Value oe Everything: Making and Taking in Global Economy”, si dhe e “The Entrepreneurial State: Debunking Public vs. Private Sector Myths”. Libri i saj i ardhshëm është “Mission Economy: A Moonshot Guide to Changing Capitalism”. Simon Sharpe është një anëtare politike e Institutit për Inovacion dhe Qëllim Publik UCL. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).