Deklaratat e pavarësisë për nga natyra e tyre janë unilaterale: Një entitet shpall pavarësinë e vet. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është më së paku unilaterale, sepse u bë krejtësisht në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare. Prej negociatave e deri tek shpallja e Pavarësisë gjithçka iu përshtat nevojave të BE-së dhe roleve që planifikoheshin për të. Por, në fund BE-ja e tradhtoi Ahtisaarin, duke mos pasur unitet për të mbështetur propozimin e tij, dhe tradhtoi edhe Kosovën duke mbetur neutrale ndaj statusit. Në këtë mënyrë BE-ja nuk ka si ta trajtojë Kosovën njësoj sikurse shtetet e tjera të rajonit dhe nuk i ndihmon as Serbisë së cilës ia lë përshtypjen se ende mund të gjejnë një zgjidhje tjetër që nuk është pavarësi e Kosovës. Një paqartësi e tillë vazhdon edhe dhjetë vjet nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës
Ishte pranvera e vitit 2007, vetëm disa ditë pasi ishte bërë publike e ashtuquajtura Pakoja e Ahtisaarit, që më saktësisht ishte propozimi gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës. Në qytetin e bukur gjerman, Bremen, ishin mbledhur në një takim joformal ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, i cili në atë kohë kishte 27 anëtarë.
Pritej që me kryesimin e ministrit të atëhershëm gjerman, Frank Walter Steinmayer, me rolin aktiv të përfaqësuesit të lartë, Javier Solana, këto shtete të dëshmojnë unitet lidhur me problemin i cili e mundonte aq shumë Evropën dhe zgjidhja e së cilit do të përmbyllte fazën e shpërbërjes së ish- Jugosllavisë. Në Bremen të Gjermanisë më 30 mars 2007 pritej që BE-ja qoftë dhe nga një takim joformal i njohur me emërtimin “Gymnich” të shprehte unitet lidhur me Kosovën. Një gjë e tillë pritej edhe duke u bazuar në fuqinë që ka Gjermania. Por kjo nuk ndodhi. BE-ja edhe atëherë, sikur që mundohet edhe sot, luante me fjalë për të manipuluar opinionin.
Dolën në konferencë për shtyp presidenti i sotëm i Gjermanisë, Steinmayer, krahas Javier Solanës, dhe u thanë gazetarëve se kanë pasur një diskutim të hapur, konstruktiv dhe të frytshëm. Dhe, si konkluzion i tyre ishte se “të gjitha vendet e BE-së janë unike në mbështetje të përpjekjeve të Martti Ahtisaarit”. Ku ishte manipulimi? Ishte tek fjala “përpjekje”. Sepse Ahtisaari nuk bënte më përpjekje. Ai i kishte kryer ato. Procesi i ndërmjetësuar nga ai kishte përfunduar dhe ai kishte bërë publike pakon e tij me propozimin për pavarësinë e Kosovës nën mbikëqyrje ndërkombëtare. Pra, BE-ja pritej të deklarohej se është unike në mbështetje të propozimit të Ahtisaarit e jo të shpëtojë fytyrën duke mbështetur “përpjekjet e tij”.
Të vërtetën që kishte ndodhur në takim gazetarëve ua kishte zbuluar një ministër i Jashtëm i një vendi të vogël, i cili kishte dalë nga takimi para se ai të përfundonte për të folur për media. Këtë e bënte zakonisht, sepse kur përfundonin takimet interesi i gazetarëve për të ishte më i vogël. Dhe ai ministër u kishte thënë gazetarëve se në takim nuk ka pasur unitet, se shumica e shteteve mbështesin propozimin e Ahtisaarit për pavarësinë e Kosovës ndërkombëtarisht të mbikëqyrur, porse ka shtete si Sllovakia, Greqia, Qiproja dhe Rumania që mbështesin Rusinë në interpretimet e tyre.
Kur mediat gjermane shkruan për dështim të takimit, Steinmayer i zemëruar në konferencë për gazetarë një ditë më vonë tha se kanë porositur disa kolegë “që të kenë kujdes kur flasin për gazetarë”. Në fakt, pas shumë vjetësh, nga diplomatët dëgjuam se ministrat në fund të takimit ishin marrë vesh që para mediave të aktronin unitetin e BE-së, edhe pse e dinin se ai nuk ekzistonte. Që atëherë gjithçka ka shkuar keq në sjelljen e BE-së ndaj statusit të Kosovës.
Ndasitë kishin dalë në shesh edhe më qartë një ditë pasi Kosova shpalli Pavarësinë. Ministri i Jashtëm i Spanjës, Miguel Moratinos, duke shkelur një marrëveshje mes shteteve që askush të mos dalë me deklarata publike pa u miratuar “deklarata e përbashkët e Këshillit të BE-së”, erdhi më herët në ndërtesën e Këshillit në Bruksel dhe gazetarëve u tha se “shpallja e Pavarësisë e Kosovës është shkelje drastike e së drejtës ndërkombëtare”, dhe pastaj vazhdoi ta krahasonte atë me ndërhyrjen amerikane në Irak dhe kështu prishi tërë atmosferën edhe para se të niste takimi. Deklarata e përbashkët doli si diçka krejt e paqartë, siç janë të paqarta edhe komunikatat e BE-së edhe sot, kur bëhet fjalë për Kosovën. BE-ja nuk pati qëndrim të përbashkët fare për statusin e Kosovës. Madje edhe në pjesën e deklaratës ku i referohet faktit se Kuvendi i Kosovës ka shpallur Rezolutën për pavarësi, nuk “merr në dijeni” shpalljen e Pavarësisë, por “merr në dijeni” obligimet që ka marrë Kosova për të mbrojtur pakicat dhe për prani ndërkombëtare.
Për dallim nga deklaratat në rastet e tjera, kur ndonjë shtet ka shpallur pavarësi, si në rastin e Malit të Zi, ku u bëhet ftesë vendeve anëtare që me shtetin e ri të “vendosin raporte si me shtetet sovrane sipas ligjeve nacionale dhe ndërkombëtare”, një thirrje e tillë për Kosovën mungoi.
Deklaratat e pavarësisë për nga natyra e tyre janë unilaterale: Një entitet shpall pavarësinë e vet. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është më së paku unilaterale, sepse u bë krejtësisht në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, pas një procesi ndërkombëtar ku ishin përfshirë tri organizatat kryesore ndërkombëtare (OKB,BE dhe NATO) me pjesëmarrje aktive edhe të fuqive të mëdha, si Rusia dhe SHBA-ja. Prej negociatave e deri tek shpallja e Pavarësisë gjithçka iu përshtat nevojave të BE-së dhe roleve që planifikoheshin për të. Por, në fund BE-ja tradhtoi Ahtisaarin, duke mos pasur unitet për të mbështetur propozimin e tij, dhe tradhtoi edhe Kosovën duke mbetur neutrale ndaj statusit. Kosova deri më sot i ka përmbushur obligimet nga Pakoja e Ahtisaarit, ndërsa BE-ja pos që ka bërë eksperimente me praninë e saj në Kosovë, jo edhe aq të suksesshme, nuk ka lëvizur nga vendi sa u përket obligimeve politike. Në këtë mënyrë BE-ja nuk ka si ta trajtojë Kosovën njësoj sikur shtetet e tjera të rajonit dhe nuk i ndihmon as Serbisë së cilës ia lë përshtypjen se ende mund të gjejnë një zgjidhje tjetër që nuk është pavarësi e Kosovës. Një paqartësi e tillë vazhdon dhe dhjetë vjet nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës.
Dhjetë vjet prej shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ende numërojmë shtetet të cilat e kanë njohur këtë pavarësi. Ky numërim nuk do të ishte aq i rëndësishëm sikur mungesa e njohjeve nga disa shtete të mos paraqiste pengesa serioze, shpesh edhe të pakapërcyeshme për faktorizimin ndërkombëtar të Kosovës dhe për realizimin e aspiratave të saja të integrimit në organizmat ndërkombëtarë.
Në dy organizatat euroatlantike që Kosova synon një ditë të anëtarësohet, NATO-ja dhe Bashkimi Evropian, nuk ndihmon shumë fakti se Kosovën e kanë njohur pothuajse të gjitha shtetet anëtare (në NATO 24 prej 28, ndërsa në BE 23 prej 28) pasi në çështjet që kanë të bëjnë me procesin e integrimit në BE, e në rastin e NATO-s në të gjitha çështjet vendoset me konsensus. Kjo u pa javën e shkuar edhe në tekstin e një strategjie të zgjerimit që miratoi Komisioni Evropian, ku Kosova, për shkak të kërkesës së Spanjës, përmendet ndryshe nga shtetet e tjera të rajonit. Madje fitohet përshtypja se më aktive janë shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën sesa ato që e kanë njohur. BE-ja ia përmend Kosovës emrin me fusnotë, ndërsa NATO-as heziton madje edhe emrin t’ia përmendë Kosovës dhe kur përmend liderët politikë ata i përmend me emra e jo me funksione që kanë.
Pa njohje nga të gjitha vendet anëtare të NATO-s dhe të BE-së Kosova nuk mund të anëtarësohet në këto organizata.
Kroacia dhe Sllovenia, dy shtetet e para që janë pavarësuar në fillim të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, dhe pavarësinë kishin shpallur pa u koordinuar me askënd në bashkësinë ndërkombëtare, dhe pa pajtimin e Beogradit si kryeqytet të shtetit nga i cili pavarësoheshin, kanë shënuar 26-vjetorin e njohjes së tyre nga Bashkimi Evropian që njihet në këto shtete, dhe si “ditën e njohjes ndërkombëtare”. Si fenomen përmendet një fakt shumë pak i njohur se janë ende 14 shtete në botë të cilat nuk e kanë njohur Kroacinë si shtet dhe nuk kanë lidhur marrëdhënie diplomatike. Edhe më interesant është se shumica e atyre shteteve që nuk e kanë njohur Kroacinë e kanë njohur Kosovën. Si për shembull: Butani, Gjibuti, Liberia, Ishujt Mareshal, Swaziland, Tonga dhe Tuvalu. Për disa nga këto shtete vështirë se do të kishim dëgjuar sikur të mos ishin në listën e vendeve që e kanë njohur Kosovën.
Është fakt se shumica e njohjeve të Kosovës janë bërë falë punës dhe insistimit të shteteve sponsorizuese të Pavarësisë së Kosovës dhe atyre që mbështetën këtë shtetësi që nga fillimi i procesit të caktimit të statusit. Nëse shihet harta e botës me shtetet që e kanë njohur Kosovën, vërehet qartë se fjala është për shtete ku ndikim të madh kanë fuqitë perëndimore, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e madhe, Franca dhe Gjermania. Deri diku ka ndihmuar edhe Turqia. Njohjet kanë munguar nga vendet ku kanë ndikim Rusia dhe Spanja. Rusia tek vendet e ish-Bashkimit Sovjetik dhe në disa vende islamike, të cilat kanë qëndrim antiperëndimor, ndërsa Spanja në disa vende të Afrikës së Veriut dhe të Amerikës Latine.
Prandaj është jo vetëm jofalënderuese ndaj atyre që na kanë ndihmuar, por edhe e dëmshme që politikanët nga Kosova të bëjnë gara se kush ka merita për cilën njohje. Ata ose kanë vendosur kontakte formale kur një shtet na ka njohur, pasi puna ishte kryer nga dikush jashtë Kosovës, ose prisnin që të shpallej njohja e pastaj të mundohen të merren meritat për vete. Një sjellje e tillë ka ndikuar edhe në zbehjen e vullnetit tek këto shtete që të vazhdojnë me nivelin e njëjtë të lobingut për njohje me të cilin kishin filluar në fazën e parë të passhpalljes së Pavarësisë, dhe kjo bëri që disa shtete edhe të hamenden përsëri. Nëse shikohen datat se kur cili shtet e ka njohur Kosovën, shihet se procesi me kalimin e kohës është bërë më i ngadalshëm.
Edhe BE-ja, edhe shtetet që e kanë mbështetur Kosovën kanë pasur mundësi që në këta dhjetë vjet të zgjidhin çështjen e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Rasti më i mirë ka qenë pas shpalljes së mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në verën e vitit 2010 u paraqit ky mendim si një rast i jashtëzakonshëm për të siguruar njohje nga shtetet kyç, sidomos nga ato shtete të BE-së të cilat kundërshtonin pavarësinë e Kosovës duke u bazuar në argumente të së drejtës ndërkombëtare. Më 22 korrik të këtij viti Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, pikërisht duke u përgjigjur në pyetjen e Serbisë, dha mendimin se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk shkel të drejtën ndërkombëtare e as nuk është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
U prit që BE-ja dhe NATO-ja do t’u thonë vendeve të tyre anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën që tash ta bëjnë këtë, sepse nuk vlen më argumenti i tyre pasi organi më i thirrur në botë për të interpretuar të drejtën ndërkombëtare u shpreh se shpallja e Pavarësisë nuk është në kundërshtim me normat e kësaj së drejte. Por me përjashtim të Parlamentit Evropian asnjë organizëm tjetër i BE-së apo i NATO-s nuk bën mundim që të rrisë presionin për njohje.
Në vend të kësaj i tërë debati dhe fokusi nga ky mendim pozitiv që dha rast për njohje u bart në organizimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Jo vetëm se u harrua njohja nga ana e 5 shteteve të BE-së, por BE-ja filloi ta konsideronte këtë mosnjohje nga 5 shtete të saja anëtare si një rrethanë të mirë.
Kur liderët e Serbisë nëpër takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se nuk është e vërtetë një gjë e tillë nga zyrtarët e BE-së, dëgjojnë se “BE-ja është neutral ndaj statusit dhe nuk e konsideron Kosovën si shtet”. Nga zyrtarët e angazhuar në dialog diplomatëve u thuhet se “fakti se BE-ja është e ndarë në qëndrime rreth statusit është përparësi e jo dobësi e BE-së, sepse kështu ajo është në pozitë të jetë lehtësuesi më i mirë në dialog”.
Rreth kësaj çështjeje shpesh në BE arsyetohen duke thënë se “BE-ja nuk njeh shtete, por kjo është kompetencë e vendeve anëtare”. Por pse atëherë liderët politikë të BE-së së paku nuk japin deklarata politike se do të ishte mirë që të gjitha shtetet ta njihnin Kosovën. Ata deklarohen shpesh për çështje tjera për të cilat nuk ka konsensus në BE dhe pse atëherë hezitojnë që të deklarohen se a do të ishte mirë apo jo të njihet Kosova. Shkak i kësaj është dialogu, sepse në BE kanë frikë se në rast të njohjes së Kosovës nga të gjitha shtetet, atëherë nuk do të mund të ishin ndërmjetësues në mes të “Beogradit dhe Prishtinës”, por eventualisht ndërmjetësues mes dy shteteve sovrane dhe të pavarura.
Mosnjohja e Kosovës nga 5 shtetet e BE-së ia ka vështirësuar Kosovës jetën, ia ka vështirësuar edhe BE-së realizimin e politikës së zgjerimit në rajonin e Ballkanit, e ka bërë BE-në të duket qesharake në skenën ndërkombëtare ku dëshiron të “flasë me një zë” e nuk mund të kenë unitet as rreth një çështjeje kaq të rëndësishme në vetë oborrin e BE-së në Ballkan. Mosnjohja ia ka vështirësuar edhe Serbisë përballjen me realitetin e ri se Kosova është shtet. Këtë privatisht e kanë thënë edhe vetë disa politikanë serbë të cilët, qysh para se të shpallej Pavarësia kishin tërhequr vërejtjen se nëse do të ketë shtete që nuk do ta njohin Kosovën atëherë Serbia kurrsesi nuk mund ta bëjë këtë. Në këtë pikë jemi edhe sot, nëntë vjet pas shpalljes së Pavarësisë. Ndërsa me kalimin e kohës Serbia po inkurajohet duke shpresuar se një ditë do të ndryshojnë rrethanat ndërkombëtare dhe mund të kthejnë situatën në Kosovë në favor të tyre. Kjo ndasi në BE dhe NATO rreth statusit e Kosovës është bërë edhe rrezik potencial për sigurinë dhe stabilitetin në rajon, sepse kuptohet si sinjal se nuk ka përfunduar ende vizatimi i kufijve të shteteve në Ballkan.
Për të ndryshuar një qasje të tillë të paqartë të BE-së dhe NATO-s (në të dyja organizatat janë shtetet e njëjta që kundërshtojnë Pavarësinë, me përjashtim të Qipros, e cila nuk është anëtare e NATO-s por vetëm e BE-së) duhet një vullnet i madh politik nga niveli më i lartë i shteteve anëtare. Me gjithë mirëkuptimin për të gjithë ata që kritikojnë Kosovën për shkak të krimit të organizuar dhe korrupsionit, për trafikime dhe mosfunksionim të rendit dhe ligjit, këto nuk kanë qenë arsyet për të mos e njohur Kosovën për shtetet të cilat nuk e kanë njohur. Thjesht, janë ose frikë nga problemet që kanë brenda në shtetet e tyre, ose ndikimi i Rusisë, ose ndonjë arsye tjetër. Dhjetë vjet është dashur të ishin kohë mjaft e gjatë për ta përmbyllur këtë gjë, por, për fat të keq, duket sikur Serbia po rrit mbështetjen për të vënë në dyshim shumë gjëra që mendohej se janë kryer. Dhe rreziku bëhet edhe më i madh kur fitohet përshtypja se edhe në mesin e liderëve të Kosovës ka të tillë që janë gati të jenë pjesë në këtë lojë.