Gazetarët po punojnë drejt përmirësimit të diversitetit në vetë industrinë e tyre. Kjo është vetëm një prej shumë momenteve të ndritshme që do të duhej t’i theksonim gjatë shënimit të sivjetmë të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit. Çdo ditë, burra dhe gra të guximshme (dhe ndonjëherë edhe fëmijë) përreth botës guxojnë t’i sfidojnë rreziqet për të na sjellë lajmet. Ne të gjithë përfitojmë prej përkushtimit të tyre dhe prandaj është obligim i të gjithë nesh që ta nderojmë suksesin e tyre, e jo vetëm sakrificën
Accra, 3 maj – Çdo vit më 3 maj, Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit – prodhuesit e lajmeve dhe konsumuesit e tyre ndalojnë për të reflektuar rreth gjendjes së mediave kudo në botë. Sivjet, derisa gazetarët dhe zyrtarët qeveritarë mblidhen zyrtarisht në Ganë për shënimin e 25-të të kësaj ngjarjeje, vëmendja do të përqendrohet te moria e presioneve dhe sfidave me të cilat përballen ushtruesit e këtij profesioni në botën mbarë si dhe në atë se si armiqësia zyrtare dhe e sponsorizuar prej shtetit ndaj shtypit po e kërcënon demokracinë.
Por këto shqetësime, ndonëse padyshim legjitime, nuk e përbëjnë gjithë rrëfimin. Po shfaqen po ashtu shenja të elasticitetit gazetaresk. Kështu që, në vend se të përqendrohemi ekskluzivisht te pengesat me të cilat gazetaria përreth botës po përballet, le ta shënojmë 3 majin duke i marrë parasysh shkaqet e shumta të optimizmit.
Për ata që nuk e dinë, derisa tregu medial është imun karshi erozionit të lirisë së shtypit, rezistenca është e mundur. Ngjarjet e fundit në Evropë e ilustrojnë këtë gjë më së miri.
Në Sllovaki, zemërimi publik i ndezur për shkak të vrasjes së dyfishtë, politikisht të motivuar, të gazetarit hulumtues, Jan Kuciak, dhe të fejuarës së tij, Martina Kusnirova, e detyroi kryeministrin Robert Fico të japë dorëheqje dhe e ka shtyrë pasardhësin e tij, Peter Pellegrini, të ecë nëpër litar.
Ani pse në mënyrë disi më të butë, edhe Hungaria e ka përjetuar një version të vetin të zbythjes gazetareske. Sipas një studimi të fundit të Qendrës Evropiane të Gazetarisë, me gjithë kontrollin e thelluar qeveritar mbi mediat, raportimi hulumtues vazhdon të jetë aktiv, ndërsa “abuzimet me paranë e taksapaguesve vazhdimisht po ekspozohen”.
Sa për dijeni, mediat po sulmohen më shumë se kurrë më parë dhe atë jo vetëm prej lajmeve të rreme e presidentëve të polarizuar. Vrasja e nëntë gazetarëve në Kabul më 30 prill, në sulmet e njëpasnjëshme me bomba që lanë gjithsej 25 të vdekur, shënoi ditën më fatale për gazetarët në Afganistan që prej rënies së talebanëve dhe i solli një hije të re të zezë rrëfimit të zymtë global. Sipas “Gazetarëve pa Kufij”, më shumë se 1.000 gazetarë janë vrarë përreth botës gjatë 15 vjetëve të fundit dhe vetëm një grusht ekzekutorësh janë sjellë përpara drejtësisë. Por me gjithë këtë fijet e reja të shpresës po shumëfishohen. Gazetarët dhe mbështetësit e tyre përreth botës po kundërpërgjigjen në mënyra trimëruese.
Kijeni parasysh censurën online. Ndërsa qeveritë prej Kinës deri në Rusi po e bllokojnë apo filtrojnë në mënyrë rutinore qasjen në Internet, gjysma e popullatës së botës tani është e lidhur në rrjet – me një rritje prej 20 për qind brenda vetëm pesë vjetëve.
Në Sudan, gazetarët po e shfrytëzojnë këtë lidhje për të shpëtuar jetë. Vitin e shkuar, kur qeveria refuzoi ta informojë publikun rreth shpërthimit shkatërrimtar të kolerës, gazetarë të “Radio Dabanga”, në bashkëpunim me mjekët dhe infermierët, e shfrytëzuan shërbimin e mesazheve “WhatsApp” për të ndarë informata rreth parandalimit dhe trajtimit të sëmundjes.
Edhe në shtetet e dhunshme dhe të ndara si Somalia, Interneti po përdoret për të mirë; përdorimi i shtuar i lidhjes i ka mbajtur pjesëtarët e diasporës së majme të shtetit në kontakt me miqtë dhe familjarët dhe për më tepër e ka bërë të mundur zhvillimin e dialogut kuptimplotë në mesin e komuniteteve.
Normat ligjore, po ashtu, po lëvizin në drejtimin e duhur. Ndërmjet viteve 2011 dhe 2016, numri i shteteve me ligje për lirinë e informimit është rritur prej 90 në 112. Ky përkushtim është thelluar muajin e fundit, kur Bashkimi Evropian e miratoi një ligj të ri për mbrojtjen e informatorëve nga persekutimi. Në një deklaratë, autoritetet bënë të ditur se shpresojnë që masa do t’i ndihmojë gazetarët hulumtues, duke ua mbrojtur burimet që raportojnë rreth shkeljes së ligjit evropian.
Aty ku ekzistojnë masa më të pakta të mbrojtjes ligjore, gazetarët bëhen më kreativë. Në Filipine, ku organizatat e pavarura të lajmeve janë shndërruar në shënjestra të shpifjeve të politikave dhe trollëve online, gazetarët po e prodhojnë një efekt shkatërrimtar. Për shembull, në një seri të fundit të raportimeve që i identifikuan njerëzit që i kërcënuan mediat, uebfaqja informative “Rappler” e zbuloi një rrjet të tërë të trollëve të lidhur drejtpërsëdrejti me njerëz të Qeverisë.
Krejt në fund, gazetarët po punojnë drejt përmirësimit të diversitetit në vet industrinë e tyre. Në Republikën Demokratike të Kongos, për shembull, një organizatë mediale krijoi një bazë të dhënash me hollësitë kontaktuese të mijëra grave eksperte që janë të gatshme të japin komente mediale dhe analiza. Kjo ndërmarrje e thjeshtë ka bërë që të rritet në mënyrë dramatike përqindja e grave eksperte që zënë vend në shtyp.
Këto janë vetëm disa prej pikave të ndritshme që do të duhej t’i theksonim gjatë shënimit të sivjetmë të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit. Çdo ditë, burra dhe gra të guximshme (dhe ndonjëherë edhe fëmijë) përreth botës guxojnë t’i sfidojnë rreziqet për të na sjellë lajmet. Ne të gjithë përfitojmë prej përkushtimit të tyre dhe prandaj është obligim i të gjithë neve që ta nderojmë suksesin e tyre, e jo vetëm sakrificën.
(Leon Willems është drejtor i “Free Press Unlimited”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)