OpEd

Si është e mundur që në vende të pasura të ketë vdekje nga pasojat e përmbytjeve?

Nuk është problem shkatërrimi material, sepse duke qenë një pjesë ku njerëzit janë të organizuar dhe relativisht përgjegjës, gjasat janë t’i kenë siguruar shtëpitë e tyre dhe do të kompensohen. Edhe shtetet janë të zhvilluara dhe do të gjejnë mjete për të rindërtuar zonat e shkatërruara. Por, njerëzit që kanë humbur jetën nuk do të mund të kthehen më

Përmbytje me përmasa të mëdha kanë kapluar ditëve të shkuara pjesët më të pasura të botës. Pjesët veriperëndimore të Gjermanisë dhe pjesë të Belgjikës e Holandës.

Nuk është befasi që të ketë vërshime të tilla në këtë pjesë të Evropës nga kalojnë dy lumenj të mëdhenj, Rajna dhe Maas, si dhe shumë të vegjël. Është pak a shumë zonë e rrafshët. Por nga ana tjetër nuk ka afër bjeshkë me borë, shkrirja e së cilës në pranverë sjell fryrjen e lumenjve dhe shkakton vërshime si në disa pjesë të tjera të Evropës.

Këto janë vërshime si pasojë direkte e reshjeve të mëdha të shiut për një periudhë të shkurtër kohore. Në diku rreth 30 orë ka rënë aq sasi e shiut sa zakonisht bie gjatë tërë verës për tre muaj. Pra, në rrethana të tilla, nuk ka qenë e mundur të parandalohen përmbytjet në tërësi, të kontrollohet rrjedha e ujit nëpër lumenj apo të ndalet nëpër digat e ndërtuara për të zvogëluar pasojat në rastet kur nuk mund të parandalohen përmbytjet.

Por, ajo që ka shkaktuar indinjatë është numri i madh i viktimave, sidomos në Gjermani, por edhe në Belgjikë. Deri tash është besuar se përmbytjet në vendet e pasura mund të shkaktojnë dëme të mëdha materiale, të shkatërrojnë shtëpi, ura, rrugë dhe pyje. Por, që të ketë aq viktima në njerëz nuk është besuar. Është menduar se kjo është e mundur vetëm në vendet e varfra ku shtetet nuk janë të organizuara si duhet, ku numri i banorëve është tepër i madh, ku ndërtimet janë bërë pa leje dhe pa plane, dhe ku thjesht njerëzit jetojnë afër ujit, duke pritur që ai një ditë t’u hyjë nëpër shtëpi.

Por sot në mënyrë aq precize mund të parashihen reshjet, deri në minutë. Mund të parashihet rrjedha e ujit dhe rrezikshmëria nga përmbytjet. Dhe kjo pa dyshim mund të bëhet me kohë që të organizohet evakuimi i njerëzve nga shtëpitë e tyre. Po ashtu mund të ketë kohë edhe për të përgatitur ekspeditat e njësive të specializuara për të ndihmuar evakuimin e atyre që nuk janë në mundësi të largohen vetë. E nëse kësaj ia shtojmë mundësinë e autoriteteve që të dinë me saktësi të madhe se kush jeton ku, duke përdorur edhe telefonat mobilë dhe sinjalet satelitore, atëherë mundësia për të parandaluar që përmbytjet, sado të mëdha të jenë, të mos marrin aq shumë jetë njerëzish bëhet edhe më e madhe.

Si është e mundur që në Belgjikë, një vend aq i zhvilluar, dikush të presë mbi kulm më shumë se 30 orë për t’i ardhur në ndihmë. Si është e mundur që në Gjermani, vend i njohur në botë për precizitet dhe disiplinë, të mos evakuohen zonat për të cilat është ditur se ka rrezik nga përmbytjet. Këto janë pyetje që njerëzit po i bëjnë tash e do t’i bëjnë gjithnjë e më shumë në ditët në vijim kur do të dalin shifrat më të sakta të pasojave të përmbytjeve, e ato do të jenë tragjike dhe dramatike.

Nuk është problem shkatërrimi material, sepse duke qenë një pjesë ku njerëzit janë të organizuar dhe relativisht përgjegjës, gjasat janë t’i kenë siguruar shtëpitë e tyre dhe do të kompensohen. Edhe shtetet janë të zhvilluara dhe do të gjejnë mjete për të rindërtuar zonat e shkatërruara. Por, njerëzit që kanë humbur jetën nuk do të mund të kthehen më.

Edhe këto përmbytje do të jenë një mësim i ri për të gjithë, sidomos për Evropën e pasur. Do të nxirren mësime se si duhet të reagohet me kohë, të evakuohen njerëzit dhe të shpëtohen jetët e tyre.

Holanda këtu dëshmon edhe një herë se sa i përket menaxhimit të ujërave dhe rrezikut, është para të tjerëve, për shkak të historisë së saj me gjasë. Holanda është përballur me përmbytje ndoshta edhe më shumë sesa Gjermania e Belgjika. Sepse në Holandë vijnë dhe aty derdhen të dy lumenjtë e mëdhenj që shkaktuan këto përmbytje: lumi Maas dhe Lumi Rajna.

Në Holandë u përmbytën qytete dhe qyteza të tëra. Por, nuk pati pasoja në njerëz, së paku deri më tash. Kjo, sepse autoritetet janë më të vetëdijshme dhe njerëzit po ashtu më të ndërgjegjshëm kur është në pyetje rreziku nga përmbytjet.

A kanë ardhur tepër vonë thirrjet për evakuim në Gjermani e Belgjikë, a kanë qenë tepër të sigurt qytetarët se do të kalojnë lehtë, a ka ndodhur diçka e papritur? Të gjitha këto janë pyetje që po bëhen dhe do të bëhen. Por, gjithmonë me pyetjen e hidhur që e bëjnë të gjithë: si është e mundur që në vende aq të zhvilluara aq njerëz të vdesin nga pasojat e përmbytjeve.

Këto përmbytje po ashtu janë vërejtje edhe për ata që vazhdojnë të mohojnë pasojat nga ndryshimet klimatike. Po, është e vërtetë se ka pasur përmbytje edhe në të kaluarën. Por kjo nuk duhet të jetë argument për të mohuar ndryshimet klimatike. Ato janë parashikuar dhe po ndodhin edhe më shpejt sesa që është menduar. E pasojat nuk po e kursejnë, e as nuk do ta kursejnë askënd, pa marrë parasysh a janë të varfër apo të pasur, a jetojnë në vende të zhvilluara apo të pazhvilluara.