OpEd

Shteti me telekombandë!

Çfarëdo diagnoze tjetër e momentit nga ndonjë lideruc partiak apo qeveritar për një Kosovë stabile dhe me një zhvillim normal, e me aspirata të integrimeve euroatlantike, më së buti thënë është një rrenë dhe të njëjtën duhet mbërthyer me këmishën e të “çmendurve psikikë”, të rrezikshëm për rrethin ku jetojnë dhe veprojnë.

E enjte, 28.2.2019

Edhe një javë me zhvillime të shumta diplomatike dhe politike, si në vend ashtu edhe në skenën ndërkombëtare, po e lëmë pas nesh. Nuk do ta përdor atë klishenë diplomatike “tamam kur mendova se i pashë dhe se i dëgjova të gjitha ndodhitë edhe kjo gjë”, sepse vorbulla e kësaj vrime të zezë, e cila na ka përfshirë dhe në të cilën kemi rënë na ka sjellë në “event horizont” (horizontin e ngjarjes), një kufi teorik rreth një vrime të zezë përtej së cilës asnjë rreze drite ose rrezatim tjetër nuk mund të shpëtojnë. Fizikani dhe profesori i njohur botëror, i cili u mor me studimin e vrimave të zeza në gjithësi, ishte shkencëtari i mirënjohur, i ndjeri Stephen Hawking.

Kabllogrami diplomatik i radhës, të cilin do ta ndaj me ditarin tim, ndërlidhet me Osman Ejupin, njërin nga drejtorët e Bordit të Telekomit, i cili për një muaj punësoi katër fëmijët e tij në këtë ndërmarrje publike. Ky po që do të jetë shampioni i kësaj “vrime të zezë” dhe “horizontit të ngjarjes” së kësaj ndërmarrjeje publike. Maksima e PDK-së “Familja, Prona, Shteti” aq bukur u implementua nga jo vetëm ata të cilët e “zbuluan” atë, por edhe këto partitë e tjera që po lënë nam me implementimin e saj. Së fundmi, AAK-ja dhe Nisma janë dy nga këto parti, të cilat, Kosovës së cilës po jep shpirt, do t’ia japin ato goditjet e fundit “që të mos vuajë” shumë. “Familjen e rehatuam, Pronën e shkretuam, Shtetin e shkatërruam” - kjo është maksima qeverisëse e këtij konstelacioni të kotillave partiake.

Me siguri e kujtoni fushatën e marketingut të VALA-s, “U pjek pitja”?! Ajo jo vetëm që u pjek, por u hangër me gjithë tepsi. PTK-ja e dikurshme apo Telekomi sot ka qenë dhe ka mbetur çerdhe e partive politike për zhvatje, punësim të militantëve dhe vend i prodhimit të votave familjare në zgjedhjet e radhës. Krimet ekonomike, të cilat janë bërë në këtë institucion, do të duhej të ishin tema studimi nëpër fakultete ekonomike, si dhe atyre të kriminalistikës. Kosova, shtet me telekombandë!

Nga telekombanda janë keqpërdorur tenderë të shumtë, janë paguar media të shumta e portale për shpëlarje të informatave nëpërmjet kanaleve të marketingut, janë zhvatur mjete nëpërmjet sponsorimeve pa kurrfarë kriteri dhe janë punësuar me qindra e qindra kili-mili-tantë partiakë e fëmijë, familjarë dhe dashnore politikanësh e të njerëzve në pushtet. Sikur ai institucion të mundë të gjëmonte nga dhimbjet, të cilat ia ka shkaktuar zëri, do t’i dëgjohej përtej këtij planetit tonë të quajtur Tokë. Ai institucion është i kapluar nga metastaza e kancerit terminal. Fundi i tij është shumë i dhimbshëm. Në një Kosovë, e cila do të duhej që një ditë ta marrë drejtësinë e saj në duart e veta, do të duhej të merrej me përgjegjësinë e secilit person, i cili punoi në atë institucion në pozita menaxhuese që nga viti 1999 e këndej. Aty nuk do ta kurseja as veten si menaxher i Departamentit për marrëdhëniet me publikun dhe zëdhënës i saj gjatë viteve 2002-2004, kam ende ca gjëra për t’i thënë. Në të njëjtën lloj përgjegjësie do të duhej të ishte edhe secili njeri që në Kosovë u mor me politikë, dhe që ushtroi pozita publike nga viti 1999 e deri më 2019. Këtu do të duhej të bëhej ai lustrimi politik. Këtë ua kemi borxh brezave që do t’i lëmë pas. Atëherë dhe vetëm atëherë kjo Kosovë të cilën ne e deshëm vetëm për ta zhvatur, vetëm për ta plaçkitur, vetëm për ta çliruar në tela të çiftelisë, mund të shohë një përparim dhe zhvillim të një shteti dhe të një shoqërie normale. Çfarëdo diagnoze tjetër e momentit nga ndonjë lideruc partiak apo qeveritar për një Kosovë stabile dhe me një zhvillim normal, e me aspirata të integrimeve euro-atlantike, më së buti thënë është një rrenë dhe të njëjtin duhet mbërthyer me këmishën e të “çmendurve psikikë”, të rrezikshëm për rrethin ku jetojnë dhe veprojnë.

Kabllogrami romantiko-diplomatik që e pranova mbrëmë kishte të bëjë me një vizitë që Hashim Kallamari ia kishte bërë Isa Mustafës, natën vonë, në shtëpinë e tij në vigjilien e trevjetorit të zgjedhjes së tij plehsident i Kosovës, dhe ndoshta rikujtim i muajve të mjaltit me Isain. Epilogun e kësaj vizite romantike-diplomatike do ta kuptojmë më vonë e në ndërkohë Albin Kurti i shtrirë në Infektivë. Ehhhh ...

Nga kabllogramet ndërkombëtare do t’i veçoja ngjarjet në Kashmir, territorin problematik ndërmjet Pakistanit dhe Indisë, të cilat ditëve të fundit i kanë nxehur gjakrat ndërmjet vete. India sulmoi me aeroplanët e saj luftarakë disa “kampe terroristësh” me ç’rast tha se ajo zhduku 300 terroristë. Në raportimet nga Pakistani u përqeshën se mijëra kilogramë bomba të lëshuara kishin dëmtuar vetëm drunjtë e thatë dhe shkrepat e atij territori. Ditëve në vijim u rrëzuan aeroplanë e helikopterë ushtarakë të njërës edhe të palës tjetër. Pati pilotë, të cilët humbën jetën, pati edhe të tillë të zënë rob dhe të paraduar në TV-të nacionale të tyre. Këto shtete dhe problematika, si dhe retorika ndërmjet tyre nuk duhen që të nënvlerësohen. Që të dyja janë shtete me potencial nuklear bërthamor. Një përshkallëzim i ndonjë Sandokani atje do të ishte fatal për atë kontinent e edhe për botën si tërësi. Diplomacia kosovare do të duhej që të rreshtohej përkrah interesave të Indisë, sepse ata e kanë lopën të shenjtë, ndërsa ne lopët e gjalla i votojmë në mënyrë demokratike që të na udhëheqin, kështu që vijën “ideologjike” e kemi pak a shumë të “njëjtë”.

Në ndërkohë, në Hannoi të Vietnamit, është duke ndodhur samiti i radhës ndërmjet presidentit amerikan, Donald Trump, dhe liderit suprem të Koresë Veriore, Kim Jong-un. Tema si gjithnjë mbetet çarmatimi nuklear i Koresë së Veriut. Edhe kësaj radhe nuk është arritur ndonjë marrëveshje formale, mirëpo ekipet e që të dyja palëve thonë se do të ketë edhe takime të tjera dhe se kjo temë do të avancojë në të ardhmen.

Data 29 mars, dita zyrtare kur Britania e Madhe do të duhej që ta lërë Bashkësinë Evropiane sa vjen e afrohet, mirëpo ambiguiteti i ndërlidhur me këtë proces vetëm sa bëhet edhe më i koklavitur, dhe skena politike britanike është shndërruar në një cirk të vërtetë. Ky do të jetë një muaj i gjatë dhe i mundimshëm për qytetarët e këtij ishulli, nënës së demokracisë dhe industrisë së kontinentit të vjetër, nejse edhe babës së kolonializmit …

E di për ju cinikët, të cilët e lexoni ditarin tim dhe thoni “ky ambasadori ynë në Facebook shumë mirë na i numëron problemet tona, por zgjidhje nuk jep asnjëherë”. Në mënyrë që edhe këtyre cinikëve t’ua mbyll gojën, ambasadori juaj në Facebook ka menduar për zgjidhjen diplomatike më adekuate dhe praktike, duke marrë parasysh momentin në të cilin sot gjendet Kosova dhe temën e telekombandës, dhe krizave të tjera aktuale, të cilat e kanë pllakosur Kosovën e shkretë ditëve të fundit.

Të gjithë ishim dëshmitarë të një lloj linçimi publik, i cili i është bërë Naim Abazit për shkak të deklaratave të tija në lidhje me Halil Kastratin dhe shtëpive, të cilat ai i “dhuron” për familjet e skamnorëve në Kosovë. Nuk dëshiroj të bëhem pjesë e atij debati, por zgjidhja ime është paksa universale. Do të rehabilitonte Naimin, Telekombin, edhe Halilin, por me një kusht!

Naimi do të duhej të hiqte dorë nga Odeoni dhe të fillonte me spektaklin e ri të radhës të sponsorizuar nga telekombanda e Kosovës “TelekomBingo KOSOVARE”. Ku pa humbur kohë Naimi do të thërriste ashtu një numër telefoni të VALA nga plikoja e nxjerrë nga vazoja, dhe pas një alo të tij do ta priste përgjigjen nga ana tjetër e dëgjueses së telefonit. Po qe se përgjigja do të ishte “TelekomBingo Kosovare” Naimi pa humbur kohë do të thoshte “po pra e nderuar TelekomBingo Kosovare”, e nderuar ju jeni fituese e një thithëse elektrike, një vendi të punës në Telekomb dhe e një shtëpie nga “Jetimët e Ballkanit”. Ndër dhuratat e tjera, të cilat do t’i siguronte sponsori gjeneral, Telekombanda e Kosovës, do të mundë të ishin: një vikend romantik në Monako, një vizitë vikendi bizneseve të Devollëve, një darkë me Stupcat, një drekë gala me Bordin e Drejtorëve, një master në Universitetin e Sheffield-it në Selanik, një vikend romantik me Sindikatën e Pavarur Profesionale të Telekombit, mbushje impulsesh vlerash të ndryshme, dhe çmimi kryesor 1 milion euro për të kaluar natën me … (Zgjedh e Merr, Gërvisht e Fito). Të gjithë ujqit e ngopur dhe të gjitha delet në numër!

P.S. Ramush hala mos e hjek taksën, të kallxoj unë kur…