Mungesa e grave në borde është problem shumë më i thellë social, ekonomik, kulturor dhe përfaqësues. Ndërtimi i shkallëve për të ngritur pozitën e gruas në karrierë, nuk mund të bëhet kurrë përmes “shkallëve të qelqta”. Miratimi i ligjeve në shpejtësi të dritës, pa diskutime gjithëpërfshirëse, veçmas me ekspertë të fushës, pa studime të hollësishme që do të paraqisnin saktë sfidat dhe përfitimet nga këto masa, sigurisht që nuk janë mjeti përkatës për balancimin e pjesëmarrjes gjinore në tregun e punës
Kur David Cameron, kryeministër i Britanisë së Madhe, propozoi përdorimin e kuotave që do të promovonin diversitet gjinor në kabinetin e tij, ishin pikërisht gratë ato që e kundërshtuan këtë propozim, duke refuzuar të marrin pozita vetëm në funksion të plotësimit të numrave. Po në këtë kohë, për të plotësuar kuotën e bordeve, kompania e modës Louis Vuitton LMVH në Francë anëtarësoi në bord Bernadette Chirac, gruan e ish-presidentit të Francës. Zonja Chirac nuk kishte kurrfarë njohurie menaxheriale për të qenë në atë pozitë, por kompania arsyetoi këtë veprim se ajo të paktën i ndjek sfilatat e modës dhe po kështu është femër.
Bëhen tash 10 vjet prej kur Norvegjia miratoi nenin, me të cilin përcaktoi se pjesëmarrja e gruas në borde do të jetë së paku 40 për qind. Së pari, Parlamenti i Norvegjisë e miratoi ligjin në vitin 2004, por pasi që ai nuk po respektohej, nga viti 2008 në formë të imponueshme, kompanitë u njoftuan që detyrimisht të plotësojnë këtë normë. Norvegjia ishte e para, veprimin e së cilës e pasuan edhe një sërë vendesh të tjera, duke miratuar pjesëmarrjen e gruas në përqindjen që sillet kryesisht nga30 deri 40 për qind. Së bashku me ligjin, vendet si, Italia, Franca dhe Belgjika, miratuan masa për dënime financiare për kompanitë që nuk respektojnë kuotën, derisa Gjermania, Holanda dhe Spanja zgjodhën ligje më të lehta, të tilla që nuk parashihnin sanksione në rast mosrespektimi të kuotave të miratuara. Në ndërkohë, Britania ende e ka të hapur ligjin për udhëzime të radhës, pa përcaktuar normë të detyruar të pjesëmarrjes gjinore. Në vitin 2013, për të qenë në trendin e ndryshimeve që ndodhnin në disa shtete evropiane, Bashkimi Evropian miratoi ligjin, i cili përcaktoi se 5000 kompani të zgjedhura private evropiane do të duhej të kishin së fundi deri në vitin 2020 përfaqësim minimal 40 për qind për secilën gjini, ndërsa kompanitë shtetërore këtë duhet ta bëjnë nga ky vit, 2018.
Parlamenti i Kosovës, në mars të vitit 2018, miratoi plotësimin e Ligjit për Shoqëritë Tregtare, i cili përcakton se në shoqëritë tregtare, të paktën 40 për qind e bordit, duhet të jetë i përbërë nga gratë. Miratimi i këtij ligji u përcoll me dyshime, pasi siç ka ndodhur edhe me jo pak ligje të tjera, ai nuk është paraprirë me debate të grupeve të interesit, veçmas nga të cilat do të dilnin propozime dhe mundësi të gjetjes së vendimeve më cilësore dhe më të mira.
Parë në retrospektivë, kjo kuotë sigurisht që ndikimin e drejtpërdrejtë do të duhej ta kishte në rritjen e numrit të grave, të cilat do të bëhen anëtare të bordeve. Duket se është ndjekur përvoja e shteteve evropiane, kur në 10 vjet të fundit, thuajse në gjithë kontinentin tonë, numri i femrave në borde është dyfishuar. Natyrisht se një proces kaq përmbajtjesor shtron pyetje: A kishte polemika dhe mospajtime në Evropë lidhur me këtë veprim? Përgjigjja do të ishte: po. Edhe sot e kësaj dite ka shumë polemika lidhur me raportin ndërmjet vendosjes së kuotave dhe rritjes së cilësisë së përfaqësimit. A kanë ndodhur ndryshime në vendimmarrje? Po,ndryshime kanë ndodhur edhe në procesin e vendimmarrjes. A ka ndryshime në performancën financiare? Në shifra është dëshmuar se shumë kompani që kanë zbatuar vendimet për rritjen e përfaqësimit të gruas në vendimmarrje kanë performancë më të mirë financiare.
Por, për të marrë përgjigje të plotë, a janë të lidhura këto ndryshime drejtpërdrejt me rritjen e imponuar të numrit të grave në borde?
Efektiviteti: Dilemat për dhe kundër
Në një hulumtim të vitit 2015,bërë në Francë me 24 anëtarë të bordeve të ndryshme, u konstatua se procesi i vendimmarrjes kishte pasur ndryshime që kur kuotat kishin filluar të zbatoheshin. Por,substanca e vendimeve nuk kishte ndryshuar në kahun e synuar, pasi që shumica e grave të pranuara në borde nuk paraqisnin mendimet e tyre dhe ishin të ardhura nga jashtë apo “outsiders”.Po në Francë, për t’iu shmangur zbatimit të këtyre masave ligjore, kompanitë kishin ulur numrin e tërësishëm të anëtarëve në borde. Në disa studime të tjera,ka rezultuar se lidhja pozitive mes pjesëmarrjes së gruas në borde dhe rritjes së performancës financiare, është në masë të madhe, për të mos thënë plotësisht, alarm i rrejshëm dhe propagandë. Nga matjet para lansimit të kuotës dhe pas funksionalizimit të saj, nuk ka kurrfarë koherence që do të thoshte se faji apo lavdi mbeten tek pjesëmarrja e gruas, se suksesi apo dështimi janë të lidhura domosdo me prezencën e saj. Ka kompani që kanë vepruar më mirë para kuotës dhe ka të tilla që kanë vepruar shumë më mirë pas saj.
Pas disa vitesh funksionimi të kuotës në Norvegji, autoret Bertrant, Black, Jensen dhe Lleras-Muney, në vitin 2014 në mënyrë të plotë kanë hulumtuar efektivitetin e kuotës dhe ndikimin e saj me studimin “Thyerja e tavanit të qelqtë? Efekti i kuotave të bordit në rezultatet e tregut të punës në Norvegji”. Gjetjet tregojnë që është e vërtetë që kuota ka ndikuar në rritjen e numrit të femrave si pjesë e bordeve. Kështu kjo e ka prekur drejtpërdrejt jetën e disa prej tyre, apo më mirë thënë, fare pak grave, të cilat kishin pasur fatin të jenë në borde. Hulumtimi sjell deri te përfundimi se kuota ka dështuar të përmirësojë pozitën dhe rolin e gruas në shoqëri. Asnjë pozitë brenda menaxhmentit dhe administratës së kompanive norvegjeze nuk kishte ndryshuar për shkak të kësaj kuote. Asnjë grua nuk ka pasur përparime në karrierë dhe asnjë punëtore femër nuk ka pasur ndryshim në të ardhura për shkak të kësaj kuote. Kështu, kuota nuk ka prodhuar kurrfarë efekti në tregun e punës, në të ardhurat e fituara apo edhe në cilësinë e jetës për shumicën e punëtoreve femra.
Sigurisht që ligjin duhet parë edhe në perspektivë relative. Shikuar në nivel afatshkurtër, qeveria mund të konkludojë se me të vërtetë ka punuar drejt për përmirësimin e pozitës së gruas në shoqëri. Më shumë gra do të kenë pozitë “kyç” si pjesëtare në borde dhe po kështu, më shumë gra do të kenë ndikim në vendimmarrje. Por shikuar në kontekst afatgjatë, cili do të jetë efekti i këtyre vendimeve në jetën e grave, veçmas atyre si pjesë dhe vlerë e tregut të punës?A do të thotë kjo se sektori privat nuk po arrin të vetërregullohet dhe cilësia nuk është vlera kryesore për sukses në tregun e punës?
Sipas “Statistics Norway”, në Norvegji janë të punësuara 64.6 për qind e grave të afta për punë, dhe 68.9 për qind e meshkujve të aftë për punë. Ndërsa sipas raportit të OECD lidhur me pjesëmarrjen e meshkujve dhe femrave në tregun e punës, në Francë punojnë 51.7 për qind e grave të afta për punë, ndërsa 60.7 për qind e meshkujve punëkërkues. Dallimet e pjesëmarrjes sipas gjinisë në tregun e punës janë të dukshme, por në vija shumë të ngushta. Agjencia e Statistikave të Kosovës me Anketën e Fuqisë Punëtore (tremujori i fundit i vitit 2017) doli me të dhëna se në Kosovë, vetëm 12.5% e femrave punëkërkuese ishin të punësuara, ndërsa 4 herë më shumë, apo 48.1% e meshkujve punëkërkues ishin të punësuar.
Eksperti i menaxhmentit Jean-Louis Barsoux vlerëson se kuotat janë zgjidhja më e keqe e problemit. Por, asgjë tjetër deri më tani nuk ka funksionuar përveç tyre, gjykon profesoresha e lidershipit, Ginka Toegel. E vërteta është se kuotat nuk janë aq të rrezikshme, të paktën jo ashtu siç perceptohet shpeshherë. Por deri më tani ato kanë dështuar të arrijnë atë që premtuan qeveritë kur miratuan ligjet për kuotat.
Kuotat kanë qenë efektive për të bërë hapin e parë ato gra që nuk kanë pasur shumë kontakte apo nuk kanë qenë pjesë e rrjeteve, si dhe për të evituar tendencat për diskriminim të hapur gjinor. Por në rastet kur nuk ka pasur një numër të duhur të grave me përgatitje të nevojshme profesionale në një fushë (siç rëndom ndodh me disa profesione edhe për meshkuj), atëherë kuotat vetëm sa kanë reprodukuar stereotipin se femra është aty sa për të bërë ekuilibër, si dhe stereotipin tjetër se nuk është edhe aq e kërkuar të punosh shumë për të qenë pjesë e bordeve.
Ndërhyrja për meritokraci
Mungesa e grave në borde është problem shumë më i thellë social, ekonomik, kulturor dhe përfaqësues. Ndërtimi i shkallëve për të ngritur pozitën e gruas në karrierë, nuk mund të bëhet kurrë përmes “shkallëve të qelqta”. Miratimi i ligjeve në shpejtësi të dritës, pa diskutime gjithëpërfshirëse, veçmas me ekspertë të fushës, pa studime të hollësishme që do të paraqisnin saktë sfidat dhe përfitimet nga këto masa, sigurisht që nuk janë mjeti përkatës për balancimin e pjesëmarrjes gjinore në tregun e punës.
Qeveria e Kosovës, si “dorë e padukshme” e Adam Smithiit, do të ndërhyjë në sektorin privat dhe tregun e punës . Por funksioni i saj rregullues kërkohet të jetë më efektiv kundrejt funksionimit të tërësishëm të bordeve në mënyrë të pavarur, pa ndikim nga udhëheqësit e bizneseve me vendime jofavorizuese për punëtorët. Qeveria nuk preferohet të ndërhyjë në pavarësinë dhe funksionalizimin e unioneve dhe sindikatave të punëtorëve, dhe po kështu edhe në kontrollimin e marrëveshjeve sekrete mes karteleve biznesore. Inspektorati duhet të ndërhyjë në “tregun e zi të punës” pa kontrata të rregullta pune për punëtorët dhe pa sigurim elementar të kushteve të punës e të mos ndërhyjë në marrëveshje qeveritare me favorizimin e disa bizneseve private. Kështu, më shumë se shumica e grave presin punë në tregun e punës të bazuar në merita dhe cilësi duke përjashtuar paragjykimet, stereotipat dhe tabutë. Dhe në momentin që shteti ndërhyn pa takt në sektorin privat, domosdo kjo do të sjellë de-ekuilibër me dëme që nuk bien domosdo mbi drejtuesit e këtyre bizneseve, por me mundësinë që shumë dëme drejtpërdrejt do të bien mbi punëtorët si pjesë e tregut të punës.