OpEd

Shtet fusnotë

Sa më shumë që mendoj për punën e kësaj fusnote aq më shumë më vjen ideja se edhe nuk e kanë pasur keq kur na e kanë imponuar. Porse teksti shpjegues do të mundë të zëvendësohej lirshëm me shtet: në bërje (si eksperiment i përjetshëm); i pakryer (se ende nuk e dimë as me çfarë territori disponojmë); i uzurpuar (nga një klikë njerëzish të paaftë për të udhëhequr shtet, ama shumë të aftë për t'u pasuruar brenda nate) dhe shtet hajgare (sepse krejt bëjnë hajgare me të, e edhe ne bëjmë hajgare me vetveten)...

“Fusnota është si një fjollë bore. Me kalimin e kohës, shkrihet” -- Edita Tahiri, shkurt 2012.

“...Të përkrahet lufta kundër mosndëshkimit me përkrahjen e Mekanizmit për gjykatat penale ndërkombëtare dhe Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovo* (*ky emërtim nuk paragjykon statusin dhe është në përputhje me rezolutën 1244/1999 të KS të OKB-së dhe me Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës), nëpërmjet EULEX-it...” -- kështu hyri Kosova në dokumentin e Sofjes më 2018, dhe kjo 15 vjet pas Selanikut, kur kishte hyrë në atë dokument nëpërmjet UNMIK-ut.

Çfarë t'i thuash tjetër pos që historia po na përsëritet, përderisa nuk mbeti asnjë politikan në pushtet pa na lodhë duke na thënë se arritja më e madhe e Kosovës do të jetë liberalizimi i vizave që mund të na ndodhë në fund të vitit dhe kjo me pikëpyetje për qarkullim në ndonjë shtet që nuk na ka njohur.

Teatri i madh fusnotian

Sa më shumë që mendoj për punën e kësaj fusnote aq më shumë më vjen ideja se edhe nuk e kanë pasur keq kur na e kanë imponuar. Porse teksti shpjegues do të mundë të zëvendësohej lirshëm me: shtet në bërje, shtet i pakryer, shtet i uzurpuar apo shtet hajgare..., sepse kështu në të vërtetë e kemi shtetin, në bërje (si eksperiment i përjetshëm); i pakryer (se ende nuk e dimë as me çfarë territori disponojmë); i uzurpuar (nga një klikë njerëzish të paaftë për të udhëhequr shtet, ama shumë të aftë për t'u pasuruar brenda nate) dhe shtet hajgare (sepse krejt bëjnë hajgare me të, e edhe ne bëjmë hajgare me vetveten)...

Dhe kjo javë na i solli në skenë hajgarexhinjtë më të mëdhenj aktualë që i kemi: Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi.

Haradinaj, për të treguar se sa punëtor është, e kishte caktuar një mbledhje me 74 (apo më shumë) zëvendësministrat e kotë që i ka kjo Qeveri, në orën 7 të mëngjesit. Nuk e di nëse të gjithë kishin ardhur në takim, sepse nuk e di nëse ka sallë qeveritare që mund t'i mbledhë krejt me një vend e as nëse ndonjë gazetar pati kohë që t'i numëronte, pasi mediat i larguan nga salla posa ia nisën zëvendësministrat të ankoheshin.

Këta të gjithë supozohej se duheshin sjellë raportet për punën tremujore, kurse Haradinaj pritej të thoshte se ishte i kënaqur me punën e tyre, se ndryshe s'kishte si ta arsyetonte shpenzimin enorm të buxhetit për t'i emëruar njerëzit që madje as nuk i njeh kur i takon. E çfarë alamet pune kishin “kryer” këta na e tregoi disa orë më vonë kur u tha ministrave të vet: “U jepni ndonjë punë zëvendësministrave tuaj (se gjynah, v.a.)”.

Me rëndësi që po marrin rroga e kanë beneficione që ua siguron ligji, për të tjerat, s'ka dert. Çka janë, fundja, vetëm një milion euro në vit nëse investohen në tan' këta burra. Kosova, me siguri iu ka borxh se janë sakrifikuar për këtë vend që kanë pranuar të bëhen vetëm zëvendësministra.

Pothuajse në të njëjtën kohë, doli shakaxhiu tjetër, Thaçi, me një deklaratë që as ai vetë nuk e beson: “Kemi pasur nevoja bazike të ndërtimit të një infrastrukture arsimore moderne në gjithë vendin dhe pa modesti e them se infrastruktura arsimore në Kosovë është më e mira në rajon”.

Nëse e ka pasur fjalën për universitetet publike që i ka krijuar për t'i akomoduar dostat, alamet infrastrukture ka bërë, me t'i shndërruar ish-shkollat e larta pedagogjike në universitete. E nëse e ka fjalën për nivelin e analfabetizmit funksional, aty garant e zëmë vendin e parë në rajon. Nuk po flasim për punime shkencore pa vlerë e as për testin PISA. Ndoshta kur ka folur për infrastrukturë e ka pasur mendjen te kilometri i asfaltit 14-milionësh -- aty po, jemi dëshmuar se dimë t'i ndërtojmë rrugët më të shtrenjta në Evropë.

Shumë ironike që njeriu që e ka shkatërruar arsimin e Kosovës, duke lejuar që ministrat e arsimit të shikojnë të “shnukin” sa më shumë nga tenderët për ndërtimin e shkollave dhe për shtrirjen e rrjeteve të internetit dhe kompjuterike që kurrë nuk u realizuan, të flasë “pa modesti” për suksesin në arsim.

Kuvendi fusnotist

Po është një trup që e ka zgjedhur edhe Haradinajn kryeministër e edhe Thaçin kryetar, e që quhet Kuvend. E ditëve të fundit do të mundë të quhej edhe Kuvend i turpit për mënyrën e funksionimit që nuk e ndryshon qëkur ka nisur kjo legjislaturë. Pardje u caktua një seancë me dy duzina pikash rendi dite, që e dinin të gjithë se nuk do të mundë të kaloheshin. Kur dilnin në votim çështjet e caktuara, në sallë nuk kishte më shumë sesa 70 e ca deputetë. Dhe kur kalonin ligjet a amendamentet mjaftoheshin me gjysmën e shumicës së thjeshtë prezente në sallë. Qe, kaq ua bën për përgjegjësitë që i kanë.

Kuvendi është bërë i turpit edhe për shkak se nuk arrin t'i themelojë ende dy komisionet hetimore: atë për turqit e dëbuar dhe për shpenzimet gjatë lobimit që nga 2010-a. Bllokuesit janë partitë në pushtet. Njëri komision po kushtëzohet nga PDK-ja me zgjedhjen e anëtarëve të AKP-së (aty ku është parja, kuptohet) -- dhe me gjasë kjo punë do të shndërrohet në punë pazari: komisioni do të formohet vetëm nëse zgjidhen në AKP ata që i ka në mendje PDK-ja.

Komisioni i dytë kushtëzohet nga PDK-ja dhe AAK-ja. PDK-ja nuk do ta dërgojë asnjë përfaqësues aty, ngase i pari për t'u hetuar do të jetë Thaçi. E AAK-ja nuk e dërgon askënd aty përderisa PDK-ja të mos e bëjë këtë. Po shihet se edhe AAK-ja ia ruan shpinën Thaçit. Duhet, sepse ndryshe Haradinaj kurrë nuk do të zgjidhej kryeministër.

E përderisa ende vazhdon përpëlitja jo komisioni, jo çkomisioni, dy ditët e fundit na e zbuluan fazën më të dëshpëruar dhe të shqetësuar të Xhavit Halitit. Humbja e nervave te ai (e kjo nuk është vërejtur asnjëherë më parë që nga 2001-a) ia nisi me insistimin e Anton Qunit për nja 8 milionë të 3-përqindëshit, për të cilat kërkonte llogari nga Haliti. Prej aty u kalua në propozimin për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, sipas të cilit zëvendësi/ja e parë duhet të jetë e gjinisë së kundërt me kryetarin/kryetaren e Kuvendit -- që mund ta detyrojë që t'ia lëshojë vendin një kolegeje. E fundit qe përplasja vulgare që pati me Arben Gashin e LDK-së. Dhe nuk mbeti veç në këmbim fjalësh banale, por dje, me një veprim të një pubertetliu i mësyu Gashit për ta shtyrë, në kërkim të fesatit. Qëlluan deputetët e tjerë që ndërhynë dhe e gjitha u ndal aty..., deri në kapitullin e ardhshëm.

Dhe me vete mendoja, po të ishin acaruar gjakrat për ndonjë çështje a veprim parimor në interes të Kosovës, ndoshta edhe i kisha shikuar me simpati. Ama kështu, po e di që ky nivel, për fat të keq, është vetëm pasqyrim i politikës së përditshme që e ka bërë Kosovën me fusnotë: politikë e mujsharëve ku kërcet edhe plumbi për një fjalë goje kot.

Hajnia e mashtrimi copyright i fusnotës

Nuk ma ka marrë mendja kurrë që shqiptarët do të dëshmoheshin aq të sofistikuar në zanatin e krimit e të korrupsionit. Aq sa edhe do të mundë ta regjistronin të drejtën autoriale dhe të arkëtojnë para nga kjo punë.

Dy nga meseletë e fundit që lidhen për këto zanate u raportuan nga gazeta në javën e shkuar.

E para kishte të bënte me avullimin e një milion banderolave të barnave që kanë mundur të përfundonin në tregun e zi -- pra barnat që futen ilegalisht, pa paguar asnjë tatim shtetit e që mandej shiten si të rregullta me përfitime marramendëse për importuesit e tyre. Dëmi nga zhdukja e këtyre banderolave do t'i ketë kushtuar buxhetit nga 5 milionë euro.

Agjencia përgjegjëse (AKPPM-ja) për këtë tashmë është e përfshirë në një skandal me avullimin e 400 mijë eurove, që supozohet se janë shpenzuar për udhëtime e të ngjashme, dhe është përgjegjëse për një sektor që prej vitesh është infektuar nga hajnia e keqpërdorimet. Rezultati i krejt kësaj janë shëndetësia zero dhe mungesa kronike e barnave esenciale.

Raportimi i dytë kishte të bënte me një rast po ashtu skandaloz e që ka ndodhur në Polici. Në fakt është vazhdim i një zbulimi të bërë vitin e shkuar i cili, si me zor, shtyu Prokurorinë e Shtetit të merret me rastin e ish-drejtorit të Krimeve Ekonomike, Emin Beqiri.

Sipas aktakuzës, Beqiri e kishte udhëzuar sekserin se si t'i kërkonte 100 mijë euro në këmbim të mbylljes së rastit QAD. Sekseri nga ana tjetër e kishte mbajtur të informuar këtë organizatë për hetimet që po zhvilloheshin ndaj udhëheqësve të tyre. Kur problemi u bë më serioz, Beqiri refuzoi t'i dorëzonte telefonat që mbanin këmbimin e porosive inkriminuese. E lëre që nuk dorëzoi, për më tepër i fshiu këmbimet, duke besuar kështu se i kishte shpëtuar procedurës. Porse Beqiri duket se nuk ka llogaritur në avancimin e teknologjisë dhe “depos në ré”, prej nga u zbulua se porositë ishin fshirë. Por me gjasë jo bash krejt.

Dhe, seriali vazhdon. Të shohim se çfarë do të bëjnë tash gjykatat.

* * *

Nëntëmbëdhjetë vjet liri e dhjetë vjet shtet në bërje, shtet i pakryer, shtet i uzurpuar, shtet hajgare..., e plus me fusnotë. Për faj të këtyre që shtetin e kanë shndërruar në pronë private. Në lodër me të cilën disponojnë si t'ua ka ënda. Dhe për faj tonin, se këqyrim seri, thuajse bëhet fjalë për një përrallë, e jo për jetët tona.

Veç ka mbetur që të bëhet edhe shtet në shitje.

Porse aq shumë e kanë zhvatur dhe dërrmuar, saqë as blerës potencial nuk do t'i gjendet. Sepse çfarëdo blerje, mban me vete hipotekë të madhe: edhe krim, edhe fusnotë. Tepër!

[email protected]