Asnjë shtet, asnjë shoqëri nuk do të duhej t’i gëzohej një rënieje të tillë politike të një figure, e cila pa dyshim ka bërë histori. Në një shtet normal, kryeministri dhe presidenti aktualë do të kërkonin sqarime nga amerikanët për futjen në Listën e zezë të një figure të tillë, siç ishte ish-presidenti dhe ish-kryeministri Berisha. Nëse amerikanët kanë dëshmi e Prokuroria në Shqipëri nuk i ka për korrupsionin eventual të Berishës, atëherë kjo e turpëron Shqipërinë edhe më shumë. Figura e Sali Berishës në politikë i ka dy anë të medaljes. Ka merita për shembjen e komunizmit, për hyrjen në NATO dhe liberalizimin e vizave. Por edhe ka përgjegjësi për piramidat që e çuan Shqipërinë në luftë civile, për Gërdecin dhe për mbjelljen dhe mbajtjen gjallë të një situate permanente konfliktuoze politike në vend që nuk shihet në atë nivel askund tjetër në Evropë
Në shikim të parë Shqipëria duket mirë me stabilitetin e saj politik. Ka një shumicë sadopak stabile në Kuvend që siguron një qeveri me mandat të ri të pakontestuar. Ka rritje ekonomike, është vend anëtar i NATO-s, i ka përmbushur kriteret për të nisur negociatat e anëtarësimit në BE, dhe nuk ka faj pse ato nuk po nisin. Me përjashtim të disa acarimeve me Kosovën, asnjëherë Shqipëria nuk i ka pasur punët më mirë në atë që quhet “bashkëpunim rajonal”. Raportet me Serbinë ndoshta janë në nivelin më të lartë në histori ndonjëherë. Edhe në skenën ndërkombëtare Shqipëria qëndron mirë, aleate e fortë amerikane që strehon refugjatë nga Afganistani, raporte të shkëlqyera me Turqinë, gjithnjë e më të mira me Greqinë, e ato me Italinë mbesin raporte si me miqtë më të mirë.
Nga ky aspekt, Edi Rama mund të ndihet i qetë në fillim të mandatit të tretë në krye të Qeverisë. Por ajo për çfarë nuk do të duhej të gëzohej Rama, e askush tjetër në Shqipëri, është gjendja e opozitës. Edhe pse në shikim të parë është mirë për Qeverinë që opozita të merret me vetveten, e secila opozitë që për të tretën herë radhazi humb zgjedhjet duhet të merret me vetveten, një vend nuk përparon me një opozitë të dobët, ani pse një opozitë çfarë ishte PD-ja ishte një fat i madh i PS-së dhe i Edi Rames. Aq më tepër nuk duhet gëzuar kur shkaku i grindjeve brenda Partisë Demokratike është rënia dramatike e liderit të saj, Sali Berisha.
Asnjë shtet, asnjë shoqëri, nuk do të duhej t’i gëzohej një rënieje të tillë politike të një figure, e cila pa dyshim ka bërë histori. Në një shtet normal, kryeministri dhe presidenti aktualë do të kërkonin sqarime nga amerikanët për futjen në listën e zezë të një figure të tillë siç ishte ish-presidenti dhe ish-kryeministri Berisha. Nëse amerikanët kanë dëshmi e Prokuroria në Shqipëri nuk i ka për korrupsionin eventual të Berishës, atëherë kjo e turpëron Shqipërinë edhe më shumë. Figura e Sali Berishës në politikë i ka dy anë të medaljes. Ka merita për shembjen e komunizmit, për hyrjen në NATO dhe liberalizimin e vizave. Por edhe ka përgjegjësi për piramidat që e çuan Shqipërinë në luftë civile, për Gërdecin dhe për mbjelljen dhe mbajtjen gjallë të një situate permanente konfliktuoze politike në vend, që nuk shihet në atë nivel askund tjetër në Evropë.
Konflikti politik në Shqipëri ka qenë i tillë që të huajt është dashur të ndërmjetësonin për të pajtuar liderin e opozitës me Qeverinë, pa marrë parasysh a ishin “të majtët” apo “të djathtët“ në pushtet. Kur një herë në një restorant në Strasbourg disa politikanë të lartë evropianë kishin ndërmjetësuar mes dy liderëve shqiptarë, njëri prej tyre kishte dalë duke u thënë miqve se “kjo është punë për psikiatër e jo për politikanë”.
Berisha ka pasur një rol të madh në krijimin e kësaj atmosfere. Me fjalorin e tij, me sjelljen, me postimet në Facebook kur u zbulua ky rrjet social, ai ka bërë shumë që në Shqipëri të ruhej ky nivel i ulët i diskursit politik. Kjo ka krijuar ndasi në shoqëri e jo vetëm në skenën politike. E tash ai po krijon ndasi edhe në PD. Sepse është pikërisht Sali Berisha ai që nuk ka lejuar reformimin e Partisë Demokratike. Tash vetë ai dhe njerëzit e tij po e pranojnë se e ka instaluar personalisht Lulzim Bashën në krye të PD-së.
Kur u shfaq Basha në krye të PD-së, në Evropë lindi një entuziazëm dhe një pritje që ai do ta reformonte këtë parti. Një i ri, me përvojë si ministër dhe kryebashkiak, i shkolluar në Holandë, jepte shpresa se ai do ta bënte PD-në një parti moderne evropiane të qendrës së djathtë. Në fakt, PD-ja formalisht edhe është në grupin e Partive Popullore Evropiane (EPP). Pritej që Basha të ishte disi sikur Andrej Plenkoviq që është në krye të Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ) e që është në pushtet në Kroaci. I ardhur nga Evropa, Plenkoviq reformoi partinë, e ktheu në rrugën e qendrës së djathtë dhe largoi nga udhëheqja konservatorët që donin të shkonin edhe më djathtas. Përfundimisht e distancoi partinë nga e kaluara korruptuese.
Sa për ilustrim: Ivo Sanader, që së bashku me Sali Berishën të njëjtën ditë udhëhoqën vendet e tyre përkatëse drejt anëtarësimit në NATO, ish-kryetar i HDZ-së dhe i Qeverisë kroate, është në burg i akuzuar për korrupsion, përfshirë edhe për shitje të dëmshme të aseteve shtetërore. As Amerika e as Gjermania nuk patën këtu ndonjë rol, por punën e bëri Prokuroria e shtetit në Kroaci.
Por Basha nuk e pati guximin, e nuk e dimë nëse e ka pasur fare qëllimin, që ta reformojë PD-në në atë masë që Sali Berisha të mbetej vetëm një kujtim dhe një figurë kyç nga historia e partisë. E tash kur Basha vendosi ta largojë Berishën, pasi ai është në listën e zezë të SHBA-së, Berisha i kërcënohet.
Fati i Berishës, i Sanaderit por edhe i të tjerëve dëshmon se asnjë miqësi ndërkombëtare nuk të mbron kur një ditë të dalë në shesh se ke bërë gjëra të gabuara. Presidenti amerikan, George W. Bush, kancelaja gjermane Angela Merkel, janë vetëm disa nga liderët botërorë që u thurnin lavde edhe Berishës, edhe Sanaderit në Kroaci. E besa edhe Gruevskit të Maqedonisë së Veriut. Këto lëvdata mund t’u mbesin në kujtesë, por nuk u ndihmojnë shumë për t’u mbrojtur nga akuzat me të cilat përballen.
Tash sfida për Shqipërinë është krijimi i një opozite të fortë. Por kjo nuk do të varet nga epilogu i konfliktit Basha – Berisha brenda PD-së. Do të varet nga dalja e një brezi të ri në Shqipëri, me orientim nga qendra e djathtë, me mësime nga Evropa, që do ta marrë përsipër këtë parti. Kjo parti prej krijimit të saj e deri me sot nuk ka pasur lider tjetër pos Sali Berishës. Tash duhet ta ndërtojë identitetin pa të. Dhe kjo është sfidë. Sepse në këtë drejtim duhet të ndërtohet edhe tradita e re e marrjes së përgjegjësisë për disfatat. Nuk ka vend në demokracitë evropiane ku një lidership mbetet pas humbjes së tri palë zgjedhjeve, e nëse i numërohen zgjedhjet lokale, edhe më shumë. Kjo ndodh vetëm me partitë e privatizuara, e PD-ja ishte bërë një e tillë.
Shqipërisë për të ecur përpara, pos qeverisjes së mirë, i duhet edhe një opozitë e mirë. Jo opozitë e cila vetëm sulmon, shan e ofendon, por e cila e mbështet kur duhet edhe Qeverinë, si për shembull kur duhet mbrojtur interesat në skenën ndërkombëtare. I duhet një opozitë e cila e lufton Qeverinë brenda shtetit, por e mbron shtetin jashtë. Një opozitë e cila kur kritikon për korrupsion ofron alternativë dhe njerëz me duar të pastra e jo njerëz të dështuar dhe të korruptuar nga e kaluara. Një opozitë e tillë në Shqipëri do ta ketë mbështetjen e madhe edhe nga jashtë.
E kur Shqipëria të ketë qeveri dhe opozitë të duhur nuk do të jetë më aq e rëndësishme se çfarë thonë ambasadorët e huaj, qofshin ata edhe të Amerikës. Kur qytetarët në Shqipëri do të besojnë më shumë në gjykatat e tyre sesa në diplomatët e huaj, do ta dinë se po jetojnë në një shtet modern evropian.