OpEd

Sfidat e koncertit të ri global të Trumpit

Sfida e koncertit të ri global të Trumpit është se ai mendon që interesat transaksionale mund të zëvendësojnë bindjet ideologjike. Historia na ka mësuar se kjo është e pamundur

Javën e kaluar kam shkruar për mënyrën se si Trumpi i sheh marrëdhëniet ndërkombëtare, si një lloj renesance të koncertit të vjetër evropian, ku Trumpi beson se ai, Xi Jinping dhe Putin janë liderët e së njëjtës ligë që kanë për përgjegjësi të menaxhojnë punët e botës “mano a mano”. Kësisoj Trumpi po huazon nga tradita e vjetër e bashkëpunimit të fuqive të mëdha. 

Në shekullin XIX Koncerti Evropian arriti me sukses të kanalizojë konkurrencën ndërmjet fuqive të mëdha në bashkëpunim konstruktiv. Sidoqoftë me fillimin e shekullit XX Koncerti kolapsoj. Ai nuk arriti të parandalonte konfliktin midis anëtarëve të vet dhe, gjatë rrjedhës së tri luftërave, Prusia mundi sistematikisht Austrinë dhe Francën dhe konsolidoi pozicionin e saj Gjermani e bashkuar, duke përmbysur ekuilibrin e kontinentit evropian. Ndërkohë intensifikimi i konkurrencës perandorake në Afrikë dhe Azi vetëm shtoi edhe më shumë benzinë mbi zjarr. 

Ndonëse me fillimin e Luftës së Parë Botërore Koncerti Evropian kolapsoi, ideja e bashkëpunimit në mes të fuqive të mëdha ka vazhduar të jetojë. Ajo u rishfaq në mesin e shekullit XX, kur presidenti i SHBA-së, Franklin Roosevelt, foli për një botë të menaxhuar nga “katër policë” globalë: Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Sovjetik, Mbretëria e Bashkuar dhe Kina. Kësisoj edhe sot strukturat sikur G8 apo BRICS janë të ngritura mbi themelet e botëkuptimit të vendosur që nga koha e Koncertit Evropian – fuqitë e mëdha duhet të bashkëpunojnë. 

Por prirja e Trumpit që të shohë botën nga optika e fuqive të mëdha nxitet nga instinkti, jo nga kuptimi i historisë. Ai i sheh marrëdhëniet ndërkombëtare përmes optikes të së kaluarës së tij biznesore dhe ndërtimore, duke e parë atë si një sistem të drejtuar nga konkurrentë të ashpër, por të respektuar. Ai beson se Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia krahas konkurrencës duhet të bashkëpunojnë, sepse ato kanë përfitime të përbashkëta nga sistemi. Ai sheh Xinë dhe Putinin si biznesmenë të “ashpër, por të mençur, që duan vendin e tyre”. 

Kësisoj, në kuadër të optikës së koncertit të fuqive të mëdha në sytë e Trumpit biznesmen Kina dhe Rusia nuk shfaqen më vetëm si kundërshtarët primarë amerikanë, por si partnerë potencialë, të cilët bashkëpunojnë me SHBA-në për të promovuar interesat e tyre të përbashkëta. Në këtë frymë, në mënyrë që koncerti i Trumpit të funksionojë ai duhet të lejojë realizimin e interesave të njërës fuqi, duke mos dëmtuar interesat e dy fuqive të tjera. Kjo nënkupton organizimin e botës në sferat e ndara të influencës - një hapësirë ku fuqia e caktuar ka monopol mbi ushtrimin e pushtetit të saj. Sot në terma praktikë kjo do të nënkuptonte që SHBA-ja të lejojë Rusisë pushtimin e një pjese të Ukrainës dhe zgjidhjen e luftës në Ukrainës sipas kushteve ruse. Në Paqësor Washingtoni do të lejonte pushtimin e Tajvanit nga Kina. Në shkëmbim Kina dhe Rusia nuk do të përziheshin në pushtimin amerikan të Venezuelës, Panamasë apo Grenlandës. 

Problemi me këtë qasje të Trumpit është se ai mendon që interesat transaksionale mund të zëvendësojnë bindjet ideologjike. Historia na ka mësuar se kjo është e pamundur. Trumpit mund të mos i interesojë sfera kineze e influencës dhe Tajvani, i cili është, sipas tij, “9,500 milje larg Amerikës dhe vetëm 68 milje afër Kinës”, por edhe Trumpi e di se imazhet e një shteti paqësor demokratik, i cili shtypet në mënyrë të paprovokuar nga një agresor i dhunshëm nuk do të tolerohen nga populli amerikan. Sot, Trumpi dhe Putini mund të detyrojnë Ukrainën të dorëzohet, por kjo nuk do të japë fund luftës. Populli ukrainas kurrë nuk do të pranojë okupimin rus, ndërsa Putini kurrë nuk do të ndalet me Ukrainën. Po kështu edhe në Lindjen e Mesme është e pamundur të imagjinohet një skenar ku fuqitë e mëdha do të dakordoheshin për një rrugë përpara lidhur me Palestinën, Iranin apo Sirinë. 

Sfidë tjetër e koncertit të Trumpit, përveç aspektit ideologjik, janë interesat e fuqive rajonale. Fuqitë e mëdha patjetër zotërojnë pushtet të konsiderueshëm, por ato nuk mund të diktojnë vullnetin e tyre fuqive rajonale. Kësisoj për shembull në Ukrainë SHBA-ja është e kufizuar nga pozicioni evropian, i cili dallon nga ai amerikan. Në Paqësor po kështu SHBA-ja është e kufizuar nga pozicioni japonez dhe të Koresë Jugore. Në Lindjen e Mesme shtetet arabe kurrë nuk do të pranojnë një zgjidhje që shkel vijat e tyre të kuqe. Dhe në gjithë këtë mes kemi edhe fuqi sikur India, Brazili apo Afrika e Jugut, të cilat do të kanë interesat e tyre në kuadër të zgjidhjes së secilit nga këto konflikte ndërkombëtare. 

Dhe sfida e fundit janë vetë karakteret kryesore të koncertit të ri global: Trump, Xi dhe Putin. Asnjëri nga ta nuk është i interesuar për bashkëpunim. Trumpi kërkon të ndërtojë një koncert të fuqive të mëdha jo përmes bashkëpunimit të sinqertë, por përmes një strategjie allish verishi transaksional, duke përdorur kërcënimet dhe incentivat në procesin negociator. Ky proces komplikohet edhe më shumë ku shohim hendekun në mes interesave beninje afatshkurtra të Trumpit (ku i kanë ngelur efektivisht edhe dy vjet) dhe qëllimeve malinje afatgjata të autokratëve sikur Xi dhe Putin të cilët do të jenë në pushtet edhe shumë kohë pasi që Trumpi të lirojë Shtëpinë e Bardhë. 

Kësisoj Trumpi gjen veten në një botë ku ndarjet ideologjike në mes fuqive të mëdha, interesat e fuqive rajonale dhe hendeku në mes karaktereve kyç të koncertit do ta bëjnë tejet të vështirë ngritjen e një koncerti të ri global të Trumpit. Sikur liderët evropianë të shekullit XIX, edhe Trumpi së shpejti do të kuptojë pse mirëmbajtja e një koncerti të fuqive të mëdha është mision i pamundur.