OpEd

Sëmundja e “lopëve të çmendura”

Duke qenë në dijeni se ne jemi ende mbrapa në zhvillim në shumë segmente të shoqërisë, druaj se ne ende kemi për ta kaluar virusin e “lopëve të çmendura” për të arritur më pas te koronavirusi, pas disa vjetësh. Lirisht këtë testin e virusit të “lopëve të çmendura” fillojeni që ta bëni duke filluar nga presidenti Thaçi. Statusi i tij i fundit në Facebook është indikator më se i sigurt për simptomat e virusit të “lopëve të çmendura”

E mbani ndërmend atë të nëmurën e lashtë kineze, të cilën e kisha trajtuar si temë më parë në ditarin tim, “jetofsh në kohëra interesante”. Të gjithë ne sot, të cilët jetojmë, jemi protagonistët e kohërave interesante.

Organizata Botërore e Shëndetit shpalli dje koronavirusin pandemi me përmasa botërore. Shumë qeveri të ndryshme të botës, duke u bazuar në gjendjen faktike të tyre në terren, kanë shpallur situatat emergjente, si dhe kanë ndërmarrë masa drastike për parandalimin e përhapjes së virusit në popullatën e vendit të tyre.

Ç'është e vërteta, çdo vit nëpër botë vdesin shumë më tepër njerëz nga gripi sezonal, sesa që kanë vdekur nga pandemia e koronavirusit. Por ja që ky i fundit mori famë botërore me vetë faktin se nga cili vend e pati origjinën (Kina), dhe mjetet e propagandës e arritën efektin e vet.

Edhe Qeveria e Kosovës, ashtu si edhe shumë qeveri të ndryshme botërore, i ndërmori masat e saja parandaluese për përhapjen e këtij virusi dhe mbrojtjen e popullatës. Për një periudhë 2-javore u mbyllën shkollat, si dhe kopshtet e fëmijëve, ato publiket dhe privatet, u suspenduan tubimet publike, ngjarjet sportive në prani të publikut, ndalimi i fluturimeve në zonat e rrezikshmërisë së lartë virale, kontrollin e pasagjerëve në të gjitha pikat hyrëse në Kosovë dhe një sërë masash të tjera parandaluese.

Duke e ditur gjendjen nëpër spitalet, si dhe në sistemin e shëndetësisë në Kosovë në këta 20 vjetët e fundit vetëm mos ia mësyftë ky virus atje, sepse do të ndodhë “hataja”.

Në fakt, kjo puna e “anashkalimit” të koronavirusit ndaj Kosovës ma kujton vitin 2008, atëherë kur ndodhi kriza financiare botërore. Asokohe punoja në Raiffesien Bank. Kosova, e cila nuk prodhonte pothuajse asgjë me eksport neglizhent, e cila importonte çdo gjë, e cila nuk ka bursë, valuta e saj zyrtare është euroja, remitencat nga diaspora përbënin 50% të të hyrave të shtetit, ndërsa pjesa tjetër nga doganat, nga të gjithë këta faktorë të cilët e rrethonin atë edhe e kursenin që direkt të mos prekej nga kriza botërore, e cila i kishte kapluar bankat e ndryshme të mëdha nëpër botë. Mirëpo, unë nuk jam në gjendje të rendis faktorë se pse Kosova do të duhej që të kursehej dhe të mos preket nga koronavirusi kur edhe të gjitha shtetet fqinje, të cilat e rrethojnë atë u prekën nga kjo pandemi.

Dje edhe presidenti Trump ndërmori disa masa preventive për mbrojtjen e popullatës amerikane nga përhapja e koronavirusit në Amerikë. Ai pezulloi të gjitha fluturimet nga Evropa, përveç atyre nga Mbretëria e Bashkuar për 30 ditët e ardhshme. Para konferencës për shtyp në Shtëpinë e Bardhë kishte pyetur:

Kush është një njeri i vogël, i cili po më sillet korridoreve të Shtëpisë së Bardhë?

Është emisari i LDK-së president, z. Skënder Hyseni.

Shpalleni emisar timin për koronavirus për Evropë edhe hiqmani prej syve.

Kabllogramet diplomatike vendore kryesisht ishin të përmbushura me të gjitha “kërcënimet” e ndryshme, të cilat po vinin në adresë të Qeverisë Kurti nga senatorë, kongresistë, si dhe nga djali i presidentit Trump për heqjen e tarifës ndaj Serbisë apo të përballet me “tërheqjen” e trupave amerikane nga Kosova. Më të ekzaltuarit nga këto “kërcënime” ishin mediat e ndryshme dhe analistët e shumtë, të cilët i kemi. Nuk bën që ta harrojmë edhe opozitën, sidomos PDK-në, e cila edhe thirri seancë të jashtëzakonshme me këtë temë “prishjen e marrëdhënieve me SHBA-në”. Por në vazhdën e thirrjeve të seancave të saja të jashtëzakonshme, kjo opozitë nuk ishte në gjendje që të nxirrte as edhe një rezolutë, por kur e njëjta u propozua nga mazhoranca dhe erdhi koha e votimit të saj ata e liruan seancën. Që siç do të thoshte presidenti ynë ikën me bisht nën shalë.

Duke qenë në dijeni se ne jemi ende mbrapa në zhvillim në shumë segmente të shoqërisë, druaj se ne ende kemi për ta kaluar virusin e “lopëve të çmendura” për të arritur më pas te koronavirusi, pas disa vitesh.

Lirisht këtë testin e virusit të “lopëve të çmendura” fillojeni që ta bëni duke filluar nga presidenti Thaçi.

Statusi i tij i fundit në Facebook është indikator më se i sigurt për simptomat e virusit të “lopëve të çmendura”.

Njeriu me pozitën më të lartë publike, e cila do të duhej të ishte unifikuese institucionale, shtetërore dhe popullore i drejtohet institucionit të kryeministrit me një gjuhë prej vagabondi. Po ai gjithmonë ka qenë i tillë, i vetmi problem ka qenë se populli ynë pati zgjedhur që t’i mbyllte sytë para një fakti të tillë. Tani ai ka filluar të na shpërfaqet për atë, i cili ai është në të vërtetë. "I doli gjyshja", kishin për të thënë në Gjakovë.

Jam i vetëdijshëm se si diplomat që jam unë mund të shkaktoj një skandal diplomatik me Indinë, pasi që lopët atje janë të shenjta dhe çdo krahasim me njerëzit është fyese. Do ta pranoja edhe shkarkimin tim diplomatik për njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e Indisë, përndryshe nuk mund të flasim për një skandal diplomatik.

Prezenca e sëmundjes së “lopëve të çmendura” është, gjithashtu, evidente dhe e pranishme edhe në Kuvendin e Kosovës sidomos andej nga ulëset e anës së djathtë. Ajo, gjithashtu, është më se evidente me prezencën e saj në shumicën e mediave dhe portaleve të Kosovës. Por ja që edhe këtë “fruth” na duhet që ta kalojmë, e ne do ta kalojmë atë. Përndryshe unë gëzohem që këto sëmundjet virale nuk munden që të përcillen nëpërmjet Facebookut edhe Twitterit, sepse në atë rast kishim shkuar për dreq të mallkuar. Sa virusi i “lopëve të çmendura” sillet andej, mend e zarar. Mirëpo, aty miku im i shquar Sheqerbregu na e ka lënë mundësinë që të tillët vetë t’i vendosim në karantinë, në mënyrë që efekti i tyre i përhapjes virale të jetë sa më minimal.

Siç po e shohim të gjithë dhe jemi dëshmitarë të saj, ky muaj do të jetë shumë interesant me zhvillimet, të cilat do të na i sjellë në botë ashtu edhe në vendin tonë. Kombinim i vendimeve të ndryshme qeveritare në përballje me një virus do të na bëjë që ndoshta ta kuptojmë se sa të brishtë që jemi dhe sa të ngjashëm që jemi. Virusi nuk po na pyet as për kufijtë imagjinarë, të cilët ne i kemi vendosur mes vendesh, as për racat, as për ngjyrën e lëkurës sonë e as për përkatësinë fetare të cilën mund ta kemi. Dëshirë e imja do të ishte që në fund njerëzimi dhe politikanët në veçanti ta nxjerrin një mësim nga kjo fatkeqësi, e cila e ka kapluar globin. Të gjithë jemi të njëjtë dhe të gjithë jemi të barabartë. Natyra i ka mënyrat e saja për të na e kumtuar këtë gjë e jona mbetet që të marrim këtë porosi dhe ta kuptojmë, e pasi ta kemi kuptuar të fillojmë të tregojmë respekt më të madh të ndërsjellë, si dhe dashuri ndaj njëri-tjetrit.

Dëshira tjetër e imja do të mbetet ajo që koronavirusi, ashtu siç e harroi Kosovën deri më tash, ta vazhdojë që ta harrojë edhe të mos ndalet për vizitë aty fare. Kemi mjaft telashe edhe pa atë. Falemnderës.

P. S. Albin unë për vete u mundova burrë që të përmbahem 100 ditë edhe të mos merrem me punët e Qeverisë pa kaluar ajo kohë. Mirëpo, ç'është e vërteta ju nuk po lini që mos me u marrë me ju. Kryesisht keni bërë punë edhe vendime jo të kollajshme edhe të mëdha, që në muajin e parë të qeverisjes suaj. Aty-këtu keni edhe ndonjë gabim në hapa, por ne nuk do të lejojmë që gabimet në hapa të shndërrohen në rutinë për juve, prandaj do t’ua tërheqim vëmendjen dhe kritikojmë me kohë.

Qat tarifë hjeke Albin i ka ardhë dakika…

© KOHA Ditore