Janë bërë pak më shumë se gjashtë muaj qëkur Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli emergjencën globale shkaku i një virusi të ri.
Në atë ditë të fundjanarit ishin evidentuar gati 10.000 raste të raportuara me koronavirus dhe më shumë se 200 persona kishin vdekur. Asnjëra prej këtyre vdekjeve nuk ishte jashtë Kinës.
Që atëherë, bota dhe jetët tona kanë ndryshuar thelbësisht. Andaj, si po ia del bota në këtë betejë midis qenieve njerëzore dhe koronavirusit?
E përbashkëta e realiteteve të ndryshme
Nëse shikohet planeti si tërësi, pamja nuk duket aq e ndritshme.
Janë bërë tanimë më shumë se 19 milionë raste të konfirmuara dhe 700.000 vdekje. Në fillimin e pandemisë shkonin javë derisa arrihej shifra prej 100.000 të infektuarve, kurse sot këto shifra arrihen brenda pak orësh.
“Jemi ende në mesin e një pandemie të shpejtë, intensive dhe shumë serioze”, ka thënë mjekia Margaret Harris nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Ama, teksa ballafaqohemi me një pandemi të vetme, rrëfimi i saj nuk është një i vetëm. Ndikimi i COVID-19 është i ndryshëm përreth botës dhe është shumë e lehtë të mbyllen sytë karshi realitetit që ekziston përtej vendit tuaj.
Por një fakt i bashkon të gjithë, qoftë ata që shtëpi i quajnë pyjet e Amazonës, qoftë ata në rrokaqiejt e Singaporit apo në rrugët e Britanisë së Madhe: Ky është një virus që lulëzon në kontaktin e afërt njerëzor. Sa më afër njëri-tjetrit që të jemi, aq më lehtë përhapet. Kjo gjë është po aq e vërtetë sot sa ishte edhe në kohën kur virusi u shfaq për herë të parë në Kinë.
Ky parim qendror e shpjegon situatën kudo që ju jeni në botë dhe dikton se si do të duket e ardhmja.
Tani po shkakton një numër të lartë rastesh në Amerikën Latine – që tani është epiqendra e re e pandemisë – dhe po ndikon në shtimin e rasteve në Indi. Kjo shpjegon, po ashtu, pse Hong-Kongu po i mban njerëzit në objekte të veçanta karantinimi apo pse autoritetet në Korenë e Jugut po i përcjellin llogaritë bankare dhe telefonatat e njerëzve.
Situata ilustron edhe pse Evropa dhe Australia janë duke luftuar për ta balancuar ngritjen e karantinave për frenimin e përhapjes së sëmundjes. Dhe pse jemi duke u munduar ta gjejmë një “normalitet të ri” para atij të vjetrit.
“Ky është një virus që po sillet rreth të gjithë planetit. Ndikon mbi të gjithë ne. Shkon nga një njeri në tjetrin dhe vë në pah se të gjithë jemi të lidhur”, ka thënë mjekia Elisabetta Groppelli nga Universiteti i Londrës “St George's”. “Nuk ka të bëjë vetëm me udhëtimet, por ka të bëjë me të folurit dhe kalimin e kohës së bashku – kjo është ajo çka njerëzit bëjnë”.
Edhe veprimi më i thjeshtë i të kënduarit në bashkësi ndikon në shpërndarjen e virusit.
Rastet e suksesit
Është vërtetuar se ky është një virus veçanërisht hileqar për t’u dalluar, duke shkaktuar simptoma të buta apo nganjëherë edhe fare, teksa për disa të prekur të tjerë simptomat mund të bëhen vdekjeprurëse, duke shkaktuar mbingarkim të spitaleve.
“Është virusi pandemik i përkryer për kohën tonë. Tani po jetojmë në kohën e koronavirusit”, ka thënë Harris.
Suksesi është arritur aty ku u shkatërrua aftësia e virusit për t’u shpërndarë nga një person te tjetri. Zelanda e Re e ka rrokur vëmendjen më të madhe. Aty autoritetet vepruan herët, kur ende kishin shumë pak raste në nivel vendi: u mbyllën, i mbyllën kufijtë dhe tashmë gati s’kanë asnjë rast. Jeta pothuajse është kthyer në normalitet.
Zbatimi i masave bazike ashtu si duhet iu ka ndihmuar edhe vendeve më të varfra. Mongolia ka kufirin më të gjatë me Kinën, vendin ku edhe ka shpërthyer pandemia.